2010-02-11 16:29:47

Iran: Revolucionit islamik përkujtohet me gjak dhe arrestime.


(11.02.2010 RV)Sipas lajmeve të përhapura në twitter, por jo të verifikuara, sot, në ditën kur Irani feston përvjetorin e revolucionit islamik të 1979, pati tre të vrarë dhe 120 të arrestuar.
Siç pritej protestat kundër regjimit të Ahmadinexhadit dhe të Ali Khameneit shpërthyen në mbarë vendin. Tre manifestues u vranë. Viktima e parë, është një vajzë, Lejla Zarei, 27 vjeçe, vrarë me armë zjarri në sheshin Vali Asër në Teheran. Sipas protestuesve, vrasësi quhet Rahim Razai, njofton siti internet “persian2english”.
Viktima e dytë është një person i paidentifikuar në lagjen Shararak –e Garb, gjithnjë në kryeqytet, dhe viktima e tretë në Shiraz, në jug të Iranit.
Gjithashtu pati 100 të arrestuar në Mashad, në Iranin veriperëndimor dhe 20 në Shiraz, në Iranin qendroro-jugor. Lajmi u dha nga siti internet i opozitës “Peykeiran”. Sipas sitit tjetër internet “persian2english” një numër i papërcaktuar protestuesish u arrestua edhe në Isfahan, në Iranin qendror, ku dëshmitarët thonë se forcat e sigurisë janë treguar tepër të dhunshme kundër protestuesve.
Gjatë manifestimeve protestuesit grisën posterat e Ali Khameneit dhe hodhën parrullat : “Vdekje diktatorit” “Vdekje Khameneit”. Po ashtu ata sulmuan e dogjën edhe motoçikletat e disa policëve basixhi e thyen edhe xhamat e një makine që bënte tifozllëk për Ahmadinexhadin. Gjendja mbetet ende tepër e tensionuar.
Në planin politik, gjithshtu, situata mbetet e turbullt. Bashkimi Evropian edhe kësaj here u tregua i përçarë në lidhje me situatën në Iran. Disa vende si Franca, Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Hollanda, Gjermania, Austria dhe Italia i bojkotuan fare festimet e revolucionit, ndërsa vende të tjera si Republika Çeke, Qiproja, Irlanda dhe Spanja u përfaqësuan me një të ngarkuar me punë. Ndërsa Bulgaria, Rumania, Polonia, Sllovenia, Hungaria, Sllovakia, Finlanda, Suedia, Belgjika, Portugalia dhe Greqia u përfaqësuan në nivel ambasadorësh.







All the contents on this site are copyrighted ©.