2010-02-11 12:55:08

Enciklika “Caritas in Veritate” mbi globalizimin. Flet prof. Etore Goti Tedeski, presidenti i IOR-it.


(11.02.2010 RV)RealAudioMP3 Të dashur dëgjues, këto ditë po transmetojmë një intervistë të gjatë me presidentin e Bankës së Vatikanit IOR(Instituti i Veprave Fetare), prof. Etore Goti Tedeski mbi enciklikën e fundit të Papës Benedikti XVI “Caritas in Veritate” e mbi propozimet e Atit të Shenjtë për të dalë nga kriza ekonomike aktuale. Në Enciklikë, Benedikti XVI ngul këmbë mbi nevojën e udhëheqjes së globalizimit, me një orientim “kulturor personalist dhe komunitar”, thotë Papa, i cili kërkon një rend të ri ndërkombëtar. A janë objektiva që mund të hyjnë shpejt në rendin e ditës së politikës botërore? Të dëgjojmë pjesën e tretë të intervistës me presidentin e Bankës së Vatikanit:........RealAudioMP3
Përgjigjia është po. Për Atin e Shenjtë e ardhmja është e lidhur gjithnjë me diçka që neve na shpëton e që është hiri hyjnor, i cili e bën njeriun të bëjë mrekulli, nëse mund të shprehemi kështu. Por, të shohim se ku është problemi. Ne nuk duhet ta konsiderojmë globalizimin qëllim në vetvete. Globalizimi është mjet e një mjet i përshtatshëm për të globalizuar të mirën, për të globalizuar vlerat, që i lejojnë njeriut të ketë zhvillim të plotë. Pra, para së gjithash, globalizimi është mjet. Që të jetë i frytshëm duhet të ketë një qëllim, si çdo mjet tjetër. Nuk ekziston ndonjë mjet që të jetë i mirë në vetvete. As spitali, apo klinika nuk janë të mira në vetvete: është detyrë e administratorëve të vendosin se ç’të bëjnë me to. Pra, mjeti nuk është i mirë, apo i keq. Mjeti është neutral për natyrën e vet. Por për t’i dhënë kuptim përdorimit të një mjeti, njeriu duhet të ketë ide të qarta, përndryshe mjeti – në rastin tonë globalizimi – do të përvetësojë edhe idenë, mendimin. Nëse mendimi nuk përcakton mënyrën e sjelljes, atëherë sjellja do të ndikojë mbi mendimin.
Pse nuk është e lehtë? Sepse ne po globalizojmë kultura të ndryshme, shumë të ndryshme ndërmjet tyre. Të marrim tri zona të mëdha. Zona amerikanoveriore, nga pikpamja kulturore, është protestante amerikane, shumë liberale, shumë e hapur, shumë liberiste, shumë e vendosur, por me sjellje që nganjëherë na çudisin ne evropianëve, që jemi mësuar ta pyesim gjithnjë veten nëse bëjmë mirë apo keq, madje duke humbur kohë. Ndërsa ata ekzagjerojnë disi në aktivizmin e tyre, në vendimarrje, për t’u penduar më vonë. Pra, modeli amerikan ka një këndvështrim kulturor mbi mënyrën si bëhen gjërat, që nuk është si ai evropian. Ai evropian mbështetet tepër pak nga vetë ne, që ia ulim rëndësinë, duke harruar rrënjët tona e gjërat në të cilat besojmë. Në këtë çast, Evropa është në një situatë krejt tjetër, edhe përsa i përket krizës ekonomike. Para së gjithash, është e ndarë e ka këndvështrime të ndryshme mbi mënyrën si bëhen gjërat. Lexoja në gazetë kryeministrin francez Sarkozi, që thoshte: “Për emigracionin nuk do të bëjmë të njëjtat gabime që ka bërë Italia”. Kjo të bën të mendosh se nuk do të jetë e lehtë të biem dakord mbi një politikë të përbashkët evropiane mbi emigracionin.
Të shkojmë në Azi: të mendojmë se atje kemi Kinën dhe Indinë që mbizotërojnë. Çfarë kulture fetare ka Kina? Kam një djalë që ndodhet në Kinë që prej tri vjetësh, është ekonomist, e nganjëherë më flet e më lejon të kuptoj ndonjë gjë më shumë. Sjellja ekonomike e një njeriu, qoftë ky bankier, industrialist, politikan apo ekonomist nuk varet vetëm nga studimet që ka bërë, por edhe nga edukata që ka marrë. Cila është edukata kineze? Ka pak nga konfucianizmi, pak nga budizmi e pak nga maoizmi, përzier bashkë. Atëherë, ç’kuptim ka për ta të thonë të vërtetën, të mbajnë fjalën, të kenë sensin e detyrës, të bindjes? A është i njëjtë me tonin? Nuk e di.
Pastaj kemi Afrikën, që na shqetëson më shumë në skenarin ndërkombëtar, që është krijuar. Afrika, që ne ish-kolonialistët evropianë e kemi përbuzur gjithnjë, e kemi konsideruar si diçka për t’u përdorur sipas nevojave, për ta ndihmuar më vonë edhe të zhvillohet, pasi rritja e intelektualëve në Afrikë varet edhe nga fakti se kolonializmi i mirë evropian ka përçuar vlera të shumta: vendet e kolonizuara janë zhvilluar më parë, s’ka dyshim për këtë. Por sot, Afrika varet nga kinezët, të cilët po shfrytëzojnë si burimet e lëndët e para, ashtu edhe krahun e punës. Afrikani po bëhet krahu i lirë i punës i kinezëve. Por a ka kinezi të njëjtin këndvështrim mbi njeriun si ne? Këto janë, sipas meje, pyetjet e mëdha që shtron Papa. Ja përse është i shqetësuar se cilat janë vlerat e njeriut në procesin e globalizimit. Sot, ekziston vetëm një autoritet i madh moral, që përmend pa pushim vlerën e njeriut: Papa dhe Kisha e Shenjtë Katolike Apostolike romake. Unë nuk di tjetër.







All the contents on this site are copyrighted ©.