2010-02-10 10:58:10

Zbulimi i varrit masiv, apel për pastrimin e institucioneve nga të inkriminuarit e komunizmit


(10.2.2010 RV)Zbulimi i një varri masiv në afërsi të komunës Linzë, pranë malit të Dajtit (Tiranë), është një apel i fortë për pastrimin e institucioneve, sidomos të atyre të drejtësisë, nga elementët e inkriminuar gjatë periudhës së sistemit komunist në Shqipëri.
Ky mesazh u përcoll dje nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët ishin prezent pikërisht në vendin, ku ditët e fundit janë gjendur eshtrat e 19 personave, që mendohet se janë viktima të krimeve të diktaturës komuniste. Eshtrat u gjetën në sajë të kërkimeve të djalit të njërit prej atyre qindra të dënuarve nga diktatura, të cilëve regjimi komunist u mohoi edhe të drejtën për të pasur një varr.
Rreth 2 kilometra larg rrugës automobilistike, përgjatë një shtegu të ngushtë të përbaltur, i shtrirë mes dy kodrinash të gjelbëruara nga pisha të larta nga njëra anë dhe bimësi e ulët nga ana tjetër, mendohet se gjatë 20 viteve, zona ka shërbyer si vend ekzekutimi i personave që rebeloheshin ndaj regjimit diktatorial në fuqi.
"Banorët që jetojnë këtu pranë kanë pasur dijeni se këtu janë pushkatuar shumë njerëz gjatë viteve të diktaturës. Pas viteve '93 shumë familjarë, që kanë humbur të afërmit në atë periudhë, janë vënë kërkim të eshtrave të tyre, duke bërë gërmime në këtë zonë për gjetjen e trupave të zhdukur", thotë Fatos Progni, roje e një objekti të vogël aty pranë, që pas viteve '90 shërben si arkiva e Bashkisë së Tiranës.
Vetëm një muaj më parë në po këtë vend, vijon ai, u gjendën së bashku në të njëjtin varr një çift të rinjsh, i zhdukur pa lënë gjurmë në vitin 1985. Që prej 13 vjetësh të afërmit e tyre ishin vënë në kërkim të eshtrave, të cilat i zbuluan në këtë vend, vetëm një muaj më parë.
Pikërisht në këtë shteg të fshehtë, që për shumë të pafajshëm, ishte 'shtegu i vdekjes', një grup deputetësh të PD-së, erdhën sot në shenjë homazhi e nderimi, duke përkujtuar ata që ëndërruan dhe dhanë jetën për kauzën e madhe të lirisë.
Pasi mbajtën një minutë heshtje në nderim të tyre, deputetja e PD-së, Mesila Doda tha se "qëndrimi ynë këtu sot është për të rikujtuar krimet makabre të atij regjimi, i cili duhet të dënohet nga ne dhe të gjithë brezat që do të vijnë. Njerëzit që kanë dhënë vendime, ata që kanë vrarë dhe ekzekutuar, sot nuk mund të vazhdojnë më të qëndrojnë në drejtim dhe nuk mund të vazhdojnë të jenë më në krye të Gjykatave".
Ndërsa, deputeti demokrat Genti Strazimiri, tha se ky vend duhet të jetë "një vend shtegtimi, ku të përkujtohet historia e dëshmorëve të fjalës së lirë, e atyre që humbën jetën në këto gërxhe".
Nga ana e tij, deputeti demokrat Eduard Halimi konfirmoi vendosmërinë e maxhorancës për t'i shkuar deri në fund qëllimit të saj, që gjyqtarët dhe politikanët që kanë dënuar njerëz të pafajshëm të largohen nga skena publike.
"PD është partia që ka ardhur në emër të lirisë dhe ajo është e vendosur që t'i shkojë deri në fund idealeve demokratike. Persekutorët nuk do të gjejnë paqe asnjëherë", tha ai.( nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.