2010-02-10 11:18:03

Më 10 shkurt kalendari Kishtar përkujton Shën Skolastiken, virgjër.


(10.2.2010 RV)Kalendari kishtar më 10 shkurt përkujton Shën Skolastiken, virgjër, motra e Shën Benediktit dhe të lumin Alojzije Stepinca, ipeshkëv e martir. Liturgjia e sotme na kujtojnë se Krishti është gjithnjë i mëshirshëm e kujdeset që njeriut të mos i mungojë buka e përditshme, por mbi të gjitha kujdeset të shuajë urinë e tij shpirtërore, urinë për jetën e vërtetë.
E tani po ndalemi te figura e Shën Skolastikes, motrës së Shën Benediktit.
Skolastika, si vëllai, ashtu edhe motra.
Skolastika shpejton hapin e nuk ndalohet për të soditur kodrinat mahnitëse të Italisë qendrore. Do të takohet me vëllain binjak, Benediktin, takim që po e pret që prej treqind e gjashtëdhjetë ditësh. Në të vërtetë, Benedikti e Skolastika, ndonëse i kanë themeluar kuvendet pak kilometra larg njëri-tjetrit, takohen vetëm një herë në vit. Benedikti zbret nga Mali i Kasinos, e motra del nga kuvendi i ndërtuar në luginë e takohen në një shtëpizë në gjysmë të rrugës. Ia lejojnë vetes një takim të tillë që të çmallen e të bisedojnë për gjithçka i lidhë e, sidomos, për Zotin, që është zemra e jetës së tyre.
Benedikti e Skolastika janë binjakë në gjak e në shpirt. Që të vegjël kishin të njëjtat prirje, të njëjtën ëmbëlsi, të njëjtin durim e të njëjtën dëshirë për t’iu afruar Zotit. Kur Benedikti shkroi Rregullën e vet të njohur murgare, Skolastika e përshtati menjëherë për kuvendin ku jetonte me simotrat e veta, që ia kishin kushtuar gjithë jetën Hyjit. Skolastika është rregulltarja e parë benediktine.
“Dita do të fluturojë” - psherëtin motra, duke shpejtuar hapin. Zemra i thotë se ky do të jetë takimi i tyre i fundit. Është vetëm gjashtëdhjetë e tri vjeçe, por ndjen në trup frymën e acartë të vdekjes. Prandaj dëshiron që kjo ditë, e larë me rreze dielli, e 7 shkurtit të vitit 543, të jetë dita më e gjatë e të gjitha viteve.
Dy binjakët takohen, merren ngrykë, zhyten në një bisedë të këndshme, të pafund. Harrojnë se koha shket e shkon. Pas disa orëve, çuditen kur shohin se dielli dalë-nga-dalë fshihet pas malit. Benedikti ngrihet e bëhet gati për t’u nisur.
Motra, e ngashëryer, i lutet: “Vëllai im, rri edhe pak… E sikur të flasim gjithë natën?”.
Benedikti tund kokën. Dëshiron të ndalet, po në kuvend e presin. Skolastika trishtohet. Por – mrekulli – pikërisht në atë çast shpërthen një rrebesh i tërbuar. Shiu i rrëmbyer e përmbyt menjëherë oborrin rreth shtëpizës së vogël, ku vëlla e motër përgatiten të ndahen.
Benediktit i duhet ta kalojë natën aty. Në fund të fundit i duket si dhuratë, prandaj rinis bisedën, filli i së cilës vijon të zhdridhet, pa u këputur për asnjë çast, tërë natën.Tri ditë pas këtij takimi të paharrueshëm, vëllai merr lajmin e vdekjes të së motrës. Ishte takimi i tyre i fundmë! Benedikti i falet nderës Zotit për stuhinë e papritur. Shumë artistë kanë realizuar kompozime të mrekullueshme, që paraqesin lidhjen e ngushtë të vëllait me motrën. Në shumicën e këtyre pikturave shihet Shën Benedikti, që shikon shpirtin e Skolastikës duke fluturuar drejt qiellit në formën e pëllumbit!







All the contents on this site are copyrighted ©.