Intervistë me prof. Etore Goti Tedeskin, presidenti i IOR-it, mbi Enciklikën “Caritas
in Veritate”: problemi i uljes së numrit të lindjeve
(10.02.2010 RV)Të dashur dëgjues
dje filluam transmetimin e një interviste të gjatë me presidentin e Bankës së Vatikanit
IOR(Instituti i Veprave Fetare), prof. Etore Goti Tedeski mbi enciklikën e fundit
të Papës Benedikti XVI “Caritas in Veritate”, ku ai shpjegon arsyet e krizës së sotme
ekonomike e reflekton mbi mënyrën e daljes prej saj, mbi bazën e parimeve të përshkruara
në enciklikë nga Ati i Shenjtë. Sot, ju ftojmë të ndiqni pjesën e dytë. Në Enciklikën
e tij, Papa thotë se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik, nëse ulet numri i lindjeve
dhe mungon respekti për jetën. Rritja e popullsisë nuk mund të konsiderohet si arsye
për moszhvillimin. Të dëgjojmë opinionin e prof. Etore Goti Tedeski:
Zanafilla
e vërtetë e krizës – unë personalisht nuk kam asnjë dyshim – është rënia e numrit
të lindjeve në vendet perëndimore. Në vitet ’75, teoritë e të ashtuquajturve neo-maltusianë
parashikonin se nëse treguesi i popullsisë do të rritej siç kishte bërë vitet e fundit,
pra me rreth 4-4,5%, para vitit 2000, miliona vetë do të vdisnin nga uria, sidomos
në Azi, në Indi. Kjo tregon qartë se sa aftësi parashikuese mund të ketë njeriu, sidomos
të ashtuquajturit sociologë-ekonomistë. Bëri mirë Papa, para pak kohësh, kur i paralajmëroi
ekonomistët nga prirja për të bërë parashikime afatgjata, mbi bazën e të cilave merren
pastaj vendime, që bëjnë edhe më keq se parashikimet. Kanë parashikuar më mirë gjatë
50 apo 100 vjetëve të fundit, shkrimtarët e mëdhenj si Zhyl Verni dhe Herbert Uells.
Por, çfarë ndodhi kur në botën perëndimore u ul numri i lindjeve, ndërsa në të ashtuquajturën
Botë e tretë apo e Katërt, meqë nuk dinin të lexonin librat mbi bombën demografike,
vazhduan qetësisht të bënin fëmijë, duke përmirësuar edhe jetën e tyre falë shëndetësisë,
ushqimit më të mirë etj? Në botën perëndimore treguesi i lindjeve kalon nga 4-4,5%
në vitet ’75, në 0% pas pesë vjetësh. Kjo do të thotë që çdo çift kishte vetëm dy
fëmijë. Duke rënë numri i lindjeve, bie edhe numri i të rinjve që punojnë, ndërsa
rritet numri i të moshuarve që dalin nga sistemi prodhues e duhen mbajtur nga kolektivi.
Praktikisht: nëse popullsia nuk rritet, shpenzimet fikse të kësaj strukture ekonomike
e shoqërore rriten, pasi rritet kostoja e shëndetësisë dhe e asistencës shoqërore.
Jo vetëm kaq: nuk mund të ulen më taksat. Që prej 30 vjetësh, dëgjojmë qeveritë të
thonë se do të ulin taksat, por kjo nuk është e mundur. Struktura e një shoqërie me
lindje zero pengon uljen e taksave, pasi në të kundërt do të rriteshin eksponencialisht
shpenzimet. Pastaj, kemi edhe një fenomen tjetër. Të rinjtë që nuk punojnë
e zhvendosin me vite ciklin e akumulimit të kursimeve; nuk formojnë familje; shpesh
familjet nuk mendojnë për fëmijët, prandaj kursimet shpenzohen. Kjo sjell më pak aktivitet
financiar në treg e bankat punojnë më pak. Për pasojë, paraja kushton më shumë e është
gjithnjë e më e paktë. Për këtë arsye, shpiken të ashtuquajturat prodhime derivate
për të kompensuar zvogëlimin e popullsisë. Për shembull, një fenomen është delokalizimi,
pra transferimi i prodhimit në Azi, për ta shitur më pas me kosto më të ulët. Rritet
prodhimi, por edhe kjo rritje ka një kufi. Duke u shprehur thjeshtë, një njeri mund
të bëjë punë jashtë orarit, në masën 10% ose 20%, por më shumë se kaq nuk mund të
shkojë, pasi nuk e lejon fiziku. Për të përballuar koston e jetesës mund të shkojë
për të blerë në vende me çmime të lira, por pas këtyre lëvizjeve, s’i mbetet tjetër
veçse të marrë borxh. Sistemi fillon të rritet falë borxhit të familjeve. Nëse unë
si familje kam një prodhim të brendshëm brut prej 100%, mund të shkoj lehtë në 120-130%
përmes marrjes së borxhit në një bankë. Por unë duhet të jem në gjendje ta paguaj
borxhin, përndryshe ai nuk mund të qëndrojë në këmbë për një kohë të gjatë. Po
jap një shembull: gjatë 10 vjetëve të fundit, treguesi i borxhit të familjeve amerikane,
i cili në vitin 1998 ishte mjaft i lartë (68% i Prodhimit të Brendshëm Brut), në vitin
2008 kalon në 96% të Prodhimit të Brendshëm Brut, pra rritet me 28 pikë. Nëse këto
28 pikë i ndajmë për 10 vjetët që kanë kaluar, del një zhvillim prej 2,8% në vit,
i cili varet krejtësisht nga konsumizmi dhe borxhi i familjeve amerikane. Në thelb,
kjo ka qenë në bazën e krizës, derisa u arrit në ekseset e të ashtuquajturve “subprime”.