2010-02-10 16:35:31

Bisedime të reja për Saharën Perëndimore


(10.02.2010 RV)Filloi sot në Nju Jork, nën udhëheqjen e OKB-së, një raund i ri bisedimesh ndërmjet përfaqësuesve të Marokut dhe atyre të Frontit Polisario, organizatë për çlirimin e Saharës Perëndimore. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun i nxiti palët të bëjnë hapa përpara për përcaktimin e statusit të Saharës Perëndimore dhe për njohjen e të drejtave të popullit saharaui. Të dëgjojmë ekspertin italian të çështjeve afrikanoveriore, Luçiano Ardezi:
Nisemi nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, të cilat prej vitesh u kërkojnë palëve të gjejnë një zgjidhje politike, që të lejojë vetëvendosjen e popullit saharaui. E reja e këtyre bisedimeve është se vijnë pas një greve të gjatë urie të një militanteje për të drejtat e njeriut, Aminatu Haidar, e cila fillimisht u përjashtua nga Sahara Perëndimore për të hyrë më pas pa kushte. Kjo grevë urie e vuri edhe më tepër në dukje rastin e Saharës Perëndimore – që zgjatet tashmë që nga viti 1975 – e planin e paqes, që ka mbetur pa u zbatuar prej 20 vjetësh. Baza e bisedimeve tashmë njihet: Maroku kërkon që zgjidhja politike të jetë ajo e autonomisë, ndërsa Fronti Polisario nuk vendos kushte. Fronti kërkon vetëm respektimin e vullnetit popullor e vetëvendosjen me referendum.







All the contents on this site are copyrighted ©.