2010-02-10 14:26:37

Berisha: plan masash për të nderuar Nënë Terezën në 100 vjetorin e lindjes së saj.


(10.2.2010 RV)Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha kërkoi sot, në mbledhjen e Qeverisë , që të ndërmerren të gjitha masat për të nderuar gruan më të madhe të njerëzimit, Nënë Terezën, në 100 vjetorin e lindjes së saj.
Ky është viti i Nënë Terezës, tha Kryeministri i Shqipërisë duke theksuar se "në këtë vit gruaja që u shenjtërua për së gjalli dhe që ia doli me misionin e saj të pushtojë zemrat e miliarda njerëzve në planet dhe të shpallet nënë e mbarë njerëzimit, ka 100 vjetorin e lindjes së saj".
"Në gjithë jetën, Nënë Tereza u shqua për besimin e saj të jashtëzakonshëm në Zotin, vlerat, dashuria dhe forca e saj transformuese dhe udhërrëfyese. Askush nuk i ka dhënë më shumë nder dhe dinjitet njeriut se sa ajo me veprimtarinë dhe virtytet e saj", tha Kryeministri Berisha.
Sipas tij "për dekada me radhë, ajo dhe urdhri rregulltar që themeloi, vepruan në hapësira ku kishin pushuar së vepruari mjekësia, familja dhe institucionet e tjera bamirëse ose fetare". "Ndërsa ajo gjendej aty në ndihmë të qenieve të braktisura tërësisht duke u afruar dashurinë, mirësinë e shpirtit njerëzor, shpresën si udhërrëfyese e jetës", tha Kryeministri.
Ai kërkoi që të ngrihet një komitet i kryesuar nga ministri i Kulturës dhe i përbërë nga personalitete të të gjitha fushave për të bashkërenduar përgatitjet për nderimin e kësaj figure.
Kryeministri Shqipërisë informoi se "një grup pune ka qenë aktiv prej disa kohësh dhe është marrë me hartimin e projektit për këtë 100 vjetor, i cili nuk mund të karakterizohet nga pompoziteti dhe madhështia, pasi këto nuk kishin asgjë të përbashkët me shpirtin dhe karakterin e Nënë Terezës".
Kryeministri Berisha kërkoi që aktivitetet për Nënë Terezën të organizohen jashtë shkëlqimeve protokollare dhe të udhëhiqen nga një nder dhe mirënjohje e thellë mbarëpopullore ndaj veprës së ndritur dhe trashëgimisë së mrekullueshme që ajo la për njeriun dhe njerëzimin.
"Nënë Tereza siç e ka shprehur edhe vetë, me gjak ishte shqiptare, por në të vërtetë për përkatësinë ajo ishte Nënë Tereza e Kalkutës, sepse Kalkuta ishte dhe qyteti ku ajo zgjodhi të përballej për dekada me radhë me vuajtjen me dhimbjen njerëzore", tha Kryeministri Berisha, duke kërkuar "një bashkërendim ndërkombëtar të aktiviteteve për 100 vjetorin e Nënë Terezës".
Sipas Kryeministrit Berisha "aktivitetet duhet të bashkërendohen së bashku me Konferencën Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë dhe me faktorë të tjerë të rëndësishëm, si Kosova dhe Maqedonia". "100 vjetori i Nënë Terezës do të jetë kryengjarja e këtij viti për kombin shqiptar", tha Kryeministri Berisha.
Kreu i Qeverisë së Tiranës vuri në dukje se Shtatorja e së Lumes Nënë Terezë, që ndodhet në një vend jo shumë të përshtatshëm, të zhvendoset nga pozicioni që ndodhet dhe të vendoset në Sheshin që mban emrin e saj.
"Ka një ide nga grupi i punës që të ngrihet një muze për të paraqitur jetën dhe veprën e Nënë Terezës. Ndaj duhet të bashkërendohet puna me këshillin bashkiak të Tiranës dhe autoritetet vendore të kryeqytetit dhe të procedohet që hapësira mes Rektoratit dhe Muzeut Arkeologjik të përdoret për ndërtimin e këtij muzeu", tha Kryeministri, duke kërkuar që fillimi i punimeve për ndërtimin e tij të bëhet në kuadrin e 100 vjetorit të ditëlindjes së saj.
Gjithashtu Kryeministri kërkoi që të merren në mbrojtje nga Ministria e Kulturës shtëpitë në qytetin e Tiranës dhe të Shkodrës ku kanë jetuar familjarët e Nënë Terezës.







All the contents on this site are copyrighted ©.