2010-02-09 17:27:44

Shqipëri:viktimat e regjimit komunist, ende pa një varr


(09.2.2010 RV)Qindra e mijëra të pushkatuar nga regjimi komunist për arsye politike, edhe pas 20 vitesh demokraci, nuk kanë një varr ku të prehen.
Historia e gjetjes së eshtrave të atyre që u ekzekutuan nga regjimi komunist në Shqipëri, është po aq e dhimbshme sa dhe ekzekutimi i tyre, dhe deri më sot, Shqipëria ende nuk ka një inventar të saktë, ndonëse, një fond i rëndësishëm që i përket periudhës nga viti 1944 e deri në vitin 1991, ku përfshihen dosjet e ish- Sigurimit të Shtetit, dosjet e gjyqësorit, hetuesisë, drejtorive të policive, gjendjes civile, etj, ruhet në Arkivin e Sistemit të Ministrisë së Brendshme.
Sipas drejtorit të këtij institucioni, Kastriot Dervishi, "ngjarjet e vitit 1991 krijuan probleme të mëdha, pasi u dogjën dhe u asgjësuan shumë dosje personale të të internuarve, të cilat tashmë nuk gjenden".
Në vitin 1991 u dogj dhe një numër i madh dosjesh të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. "Dosjet hetimore që i përkasin periudhës deri në vitin 1991, janë të ruajtura në origjinal dhe mikrofilm, e bazuar në teknologjinë gjermano-lindore", tha Dervishi.
Ndër to, Dervishi veçoi rreth 14 mijë dosjet hetimore dhe ato të gjyqësorit, ku janë përqendruar deri në detaje të gjitha praktikat për 25 mijë të dënuar të regjimit komunist.
Ndërsa shfletojmë disa nga dosjet hetimore të të dënuarve mbas viteve '44, vëmë re se akuzat e para të ngritura ndaj tyre është ajo e "bashkëpunimit me pushtuesit", ajo e "kriminelit të luftës". Më pas vijnë akuzat për "agjitacion dhe propagandë", "krijim organizatash kriminale për të rrëzuar pushtetin".
Në këto dosje përfshihen të gjitha praktikat, duke filluar nga ato hetimore, dënimi në gjyq, vendimi i ekzekutimit, materiale personale, të karakterit shënime, etj.
Sipas Dervishit, numërohen rreth 6535 të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit, nga 14563 të burgosur. Ndërkohë, që 21401 të tjerë u internuan pse guxuan t'i kundërvihen sistemit.
Kryeministri Sali Berisha, duke marrë shkas nga lajmi tronditës i zbulimit të një varreze masive në malin e Dajtit, kërkoi krijimin e një organizmi të veçantë për të kërkuar trupat e të ekzekutuarve të regjimit komunist.
Varri i përbashkët që u zbulua, sipas Kryeministrit Berisha, "është një apel i madh për shoqërinë shqiptare". "Ata nuk i ekzekutoi serbi, por regjimi i Enver Hoxhës, ndaj dhe ne duhet ta trajtojmë në mënyrën më serioze dhe më të vendosur këtë çështje", tha ai.
Varreza e përbashkët e Dajtit, sipas Kryeministrit Berisha "është një apel për ndërgjegjen njerëzore të shqiptarëve".
Sipas tij, "në vende të tjera ish- komuniste është bërë shumë më tepër për gjetjen e varrezave dhe trupave, ndërsa në Shqipëri askush nuk e di ku prehen kollosë dhe intelektualë të mëdhenj të kombit, themelues të pavarësisë së këtij vendi, por edhe qytetarë të thjeshtë, që ekzekutoheshin vetëm që Shqipëria të mbahej nën terror", tha Kryeministri. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.