2010-02-09 16:49:02

Shqipëri: regjistrimi i popullsisë, pyetësori për fenë nuk do jetë detyrim


(09.2.2010 RV)INSTAT mban sot një tryezë rreth regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, iniciativë e qeverisë që parashikohet të nisë në vitin 2011. Instituti i Statistikave në Shqipëri bëri të ditur sot se vitin tjetër do të nisë përveç regjistrimit të popullsisë dhe regjistrimi i banesave. Përfaqësues të INSTAT bënë të ditur në tryezën e sotme se gjatë këtyre regjistrimeve do të ndahet një pyetësor që do të jetë individual.
Pyetësori do të përmbajë pyetje për etninë dhe fenë, por siç theksuan përfaqësues të INSTAT, nuk do të jetë i detyruar. Individët edhe mund ti shmangen përgjigjes së kësaj pyetje.
Banorët gjithashtu do të marrin edhe një pyetësor rreth njësive ekonomike që ata u përkasin, për të bërë të mundur kështu dhe regjistrimin e popullsisë sa i përket fushës ekonomike.
Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare u deklaruar fillimisht nga kryeministri Sali Berisha duke e cilësuar si prioritet të qeverisë. Ndaj këtij regjistrimi kanë reaguar ndërkohë disa historianë dhe studiues duke e cilësuar si të gabuar këtë lloj regjistrimi të popullsisë.
Një reagim i tillë i historianëve dhe studiuesve, sipas nesh, nuk është i drejtë. Nuk ka e nuk mund të ketë frikë prej besimtarëve të vërtetë, prej bashkësisë fetare, sepse feja e vërtetë nuk shkakton as ndarje, as përçarje, nuk është kërcënim për askënd por pasuri e vërtetë për individin e për mbarë shoqërinë, pasi që nuk mund të ketë njeri e shoqëri autentike pa përmasën shpirtërore. Mjaft më me shoqëri pa Zot e pa fe në Hyjin.
Historianët e studiuesit, mos ta harrojmë të kaluarën e as varret masive me viktima të pafajshme që ka shkaktuar shoqëria e shpallur ateiste dhe e pa Zot e pa besim në Hyjin. Nga feja nuk duhet të ketë frikë askush. Sepse Feja respekton çdo person, afron, bashkon, krijon harmoni e vëllazërim. Feja nuk imponohet as me ligje, as me urdhra, as me pushtet e as me dhunë. Feja në Zotin është dhuratë e Hirit Hyjnor, dritë për hapat tanë në udhën e jetës. “Feja është syri i zemrës”, thotë shën Agostini, ndërsa Gandhi shton: “Feja është timoni i jetës”. E si mund të ecim rrugës së qytetërimit të vërtetë pa timonin e fesë? Si ti ushqehemi e të frymëzohemi për gjeste dashurie e vëllazërimi pa këtë dritë të shpirtit?! Kush ka fe, shikon me sy të Zotit e të afërmin e nderon e respekton si vëlla e jo kundërshtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.