Pranë të sëmurit me respekt e dashuri: 25 vjetori i Këshillit Papnor për punëtorët
e shëndetësisë.
(09.2.2010 RV)Tri ditë me kremtime fetare e takime kulturore, mes tjerash edhe
me një Simpozium Ndërkombëtar, Këshilli Papnor për Punëtorët e Shëndetësisë kremton
e përkujton 25 vjetorin e themelimit të vet dhe organizon Ditën e XVIII Botërore të
Sëmurit, që kremtohet më 11 shkurt, në festën liturgjike të së Lumes Virgjërës Mari
të Lurdë. Tema e përbashkët e këtyre ngjarjeve është titulli i Mesazhit të Papës për
Ditën Botërore të Sëmurit 2010: “Kisha në shërbim të dashurisë për ata që vuajnë”.
Vlerës së dinjitetit njerëzor në sëmundje e në vuajtje, Papa Benedikti XVI i ka
kushtuar një vëmendje të veçantë në shumë raste. Në Letrën e tij për këtë rast, Benedikti
XVI nënvizon aktualitetin dhe vlerën e çmueshme të shërbimit e të përkujdesit të punëtorëve
të shëndetësisë ndaj të sëmurëve të prekur nga dhembjet fizike dhe vuajtjet morale
e shpirtërore. Sot, kur medicina e përqendron vëmendjen e saj mbi realitetin biofizik
të sëmundjes, është posaçërisht e rëndësishme të rizbulohet vëmendja olistike, pra
trajtimi e përkujdesi plotë përzemërsi ndaj personit të sëmurë, siç karakterizohej
edhe vepra traumaturgjike e Jezusit, të cilën e shohim të pranishme që në kohën e
Besëlidhjes së Vjetër. Kjo do të thotë - kujton enciklika Salvifici doloris - ta konsiderosh
e trajtosh të sëmurin si person në tërësinë e tij, të bashkosh vuajtjet morale me
dhembjen fizike që shkakton një pesë e organizmit si eshtrat, mëlçia, zemra e tjera,
por edhe të mbështetësh sjelljet dhe veprimet e punëtorëve të shëndetësisë për një
asistencë të përshtatshme, ndaj atij personi që gjendet në dhembje shkaktuar nga sëmundja.
Nuk është punë e lehtë të punosh me të sëmurët, e në këtë fushë baritoria e Kishës,
na mëson sa është jashtëzakonisht e rëndësishme prania jonë pranë atij personi që
vuan, për të qenë ngushëllim e mbështetje në momente të vështira, duke dëshmuar vlerën
e jetës e të miqësisë. Madje baritoria e Kishës në këto çaste të veçanta, na mëson
ta dëshmojmë Ungjillin e jetës, që shprehet në shumë mënyra në mbrojtje të jetës së:
foshnjës të porsalindur, të fëmijëve të braktisur, të pleqve të vetmuar, e të sëmurëve.
Në enciklikën e tij ‘Spe salvi’, Benedikti XVI na kujton se “masa e njerëzimit
dhe e përzemërsisë përcaktohet në raport me vuajtjen dhe me të sëmurin, duke na kujtuar
njëkohësisht përgjegjësinë që është element karakterizues i sistemit shoqëroro-shëndetësor
dhe i personelit shëndetësor. Mesazhi i Atit të Shenjtë me rastin e Ditës së XVIII
Botërore kushtuar të Sëmurit dhe me rastin e 25 vjetorit të Këshillit Papnor për punëtorët
e shëndetësisë, është një mjet i çmueshëm me udhëzime shpirtërore për personelin e
shëndetësisë dhe atë baritor, por mund të lexohet edhe si manifest i asaj dashurie
për të afërmin, që kaq shumë e ka përzemër personalisht Papa, e që duhet të jetë shenjë
dalluese e dëshmisë së krishterë në çdo fushë të veprimtarisë njerëzore e posaçërisht
në vuajtje e sëmundje. Vuajtjet e janë krahë për të fluturuar në qiell. “Të vuash
do të thotë të kesh një sekret të përbashkët me Zotin”, shkruan Kierkegaard.