2010-02-09 15:36:44

Papa për Ditën e 18-të Botërore të Sëmurit: vuajtja njerëzore ka kuptim në planin e dashurisë së Zotit


(09.2.2010 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI do të kremtojë të enjten e ardhshme, më 11 shkurt, në ora 11.00 në Bazilikën e Vatikanit, Meshën e Shenjtë për të sëmurët, në festën liturgjike të së Lumes Virgjër Mari të Lurdë e në Ditën e 18-të Botërore të të Sëmurit, që sivjet përqendrohet mbi temën “Kisha në shërbimin e dashurisë për ata që vuajnë”. Vlerës së dinjitetit njerëzor në sëmundje e në vuajtje, Papa i ka kushtuar vëmendje të veçantë në shumë raste e fjalime. T’i përshkojmë së bashku disa nga reflektimet e Benediktit XVI mbi këtë argument.
“Pse vuajmë? A mund të konsiderohet në mënyrë pozitive përvoja e dhembjes? Kush mund të na lirojë nga vuajtja e nga vdekja?”: këto janë, pranon Benedikti XVI, pikëpyetjet thelbësore. Pyetje, pohon Papa, që “nga pikëpamja njerëzore, në të shumtën e rasteve, mbetën pa përgjigje”, pasi që vuajtja “përbënë një enigmë të pashqyrtueshme për arsyen”. E megjithëkëtë, vuajtja nuk është e pa kuptimtë:
“Në sprovë e në sëmundje Zoti na viziton në mënyrë të mistershme e, nëse e lëshojmë veten në vullnetin e tij, mund të përjetojmë e shijojmë fuqinë e dashurisë së tij” ( Fjalimi në Spitalin “Shën Gjon Pagëzuesi” në Romë, 2 dhjetor 2007).
Sëmundja, nënvizon Papa, “është sprovë e dhimbshme dhe e veçantë, mirëpo para misterit të Hyjit, që ka marrë trupin tonë të vdekshëm, ajo merr kuptimin e vet dhe bëhet dhuratë e rast i shenjtërimit”. Vuajtja, në misterin e Zotit, bëhet dashuri për të tjerët:
“Atëherë kur vuajtja e dëshpërimi bëhen më të forta, mendoni që Krishti është duke ju bashkuar me kryqin e tij sepse përmes jush don t’u thotë një fjalë dashurie atyre që e kanë humbur rrugën e jetës e, të mbyllur në zbrazëtinë e egoizmit, jetojnë në mëkat e larg nga Zoti. Në të vërtetë, gjendja e juaj shëndetësore dëshmon se jeta e vërtetë nuk është këtu, por pranë Hyjit, ku secili prej nesh do të gjejë gëzimin e vet nëse me përvujtëri do të ecën gjurmëve të tij, pas njeriut më të vërtetë: Jezusit të Nazaretit, Mësuesit e Zotërisë”. (Fjalimi në Hospice Sacro Cuore në Romë, 10 dhjetor 2009).
Ja se pse, na tërheq vëmendjen Papa, duhet ta kundërshtojmë mendësinë e efektshmërisë që anon t’i mënjanojë personat e sëmurë, duke i konsideruar ata si “peshë dhe problem për shoqërinë”:
“Kush e njeh kuptimin e dinjitetit njerëzor e di se duhet të respektohen e mbështetën vështirësitë dhe vuajtjet që lidhen me kushtet shëndetësore të njerëzve”. (Fjalimi në Hospice Sacro Cuore në Romë, 10 dhjetor 2009).
Spitalet dhe shtëpitë e kurimeve, është reflektimi i Papës, mund të bëhen “vende të privilegjuara për të dëshmuar dashurinë e krishterë që e ushqen shpresën”. Kjo shpresë e madhe, nënvizoi më tutje Ati i Shenjtë, “mund të jetë vetëm Zoti, që e përqafon gjithësinë e mund të na propozon e dhuron atë që, vetvetiu, nuk mund ta arrijmë”:
“Ai që mund ta zhduk fuqinë e së keqes është vetëm Zoti. E pikërisht për faktin që Jezu Krishti ka ardhur në botë, për të na zbuluar planin hyjnor të shpëtimit tonë, feja na ndihmon të depërtojmë e të gjejmë kuptimin e gjithë asaj që është njerëzore e këndej edhe të vuajtjes”. (fjalimi në Casa Sollievo della Sofferenza, San Giovanni Rotondo, 21 qershor 2009).
Një thirrje të veçantë Papa i drejton personelit shëndetësor, që është i thirrur, çdo ditë ta dëshmojë dashurinë e Zotit ndaj personit që vuan. Dashuria e përzemërsia, nënvizon Ati i Shenjtë, “shprehin një vëmendje posaçërisht domethënëse pikërisht në përkujdesjen e të sëmurëve”. E në Eukaristinë, Papa e tregon themelin e veprimtarisë baritore në fushën e shëndetësisë:
“Pikërisht në Eukaristi veprimtaria baritore e shëndetësisë mund të nxjerr vazhdimisht forcë për të ndihmuar me sukses njeriun e për ta respektuar atë në dinjitetin e tij”.(Fjalimi drejtuar Këshillit Papnor për Baritorinë e Shëndetit, 22 mars 2007).







All the contents on this site are copyrighted ©.