2010-02-09 15:37:34

Ipeshkvijtë rumunë në vizitë ad limina në Vatikan. Imzot Robu: katolikët po ikin jashtështetit nga varfëria.


(09.02.2010 RV)RealAudioMP3 Ipeshkvijtë e Konferencës ipeshkvnore të Rumanisë filluan sot në Vatikan vizitën e tyre “ad limina”. Imzot Joan Robu, kryeipeshkvi i Bukureshtit dhe kryetari i ipeshkvijve rumunë u takua dje me Benediktin XVI. Por, më hollësisht, mbi gjendjen e Kishës Katolike në Rumani në mikrofonin e radios sonë le të dëgjojmë vetë Imzot Robun:

Përgjigje: Konferenca Ipeshkvnore rumune pasqyron në strukturën e saj fizionominë e larmishme të Kishës katolike në Rumani. Ne kemi tri rite: atë latin, bizantin dhe armen – dhe tri gjuhë kryesore liturgjike: rumanishten, hungarishten dhe gjermanishten. me një fjalë Kisha jonë është një lloj pasqyre e vetë Kishës universale.

Pyetje: Cila është veprimtaria e Kishës katolike në Rumani?

Përgjigje: Ajo zhvillon një veprimtari që tashmë i ngjason gjithnjë e më tepër jetës së Kishave që nuk kanë kaluar një periudhë persekutimi si ne. Ndërsa përpara vitit 1989 veprimtaria baritore mund të zhvillohej vetëm brenda mureve të kishave, sot fusha e baritorisë është zgjeruar. Për shembull masmediat, shkollat, universitetet, spitalet, ushtria, burgjet, veprimtaria me të rinjtë, me të moshuarit si edhe veprimtari të tjera shoqërore.

Pyetje: Cilat janë marrëdhëniet me Kishën ortodokse?

Përgjigje: Nuk e di nëse mund të flasim për marrëdhënie, domethënë për marrëdhënie të dendura. Është më me vend të flasim për bashkëjetesë. Jemi më afër njëri-tjetrit nëpërmjet një respekti të ndërsjellë. Por nuk kanë munguar as tensionet, edhe pas vizitës së Papës Gjon Pali II. Edhe tani ka ende tensione, për shembull ndërmjet Kishës ortodokse rumune dhe Kishës greko-katolike për shkak të pronësive si kisha, qela, kuvende etj, që janë konfiskuar padrejtësisht nga regjimi komunist dhe i janë dhënë Kishës ortodokse.

Pyetje: Si po ndryshon shoqëria rumune?

Përgjigje: Ndikimi i botës perëndimore nga ky këndvështrim është gjithnjë e më i fortë dhe kjo për shkak të masmediave, të emigracionit, të turizmit etj. E para vështirësi që më vjen në mend është se shumë familje katolike kanë emigruar, me një fjalë pra, plakja e vrullshme e shumë bashkësive, sepse ata që kanë ikur për arsye punësimi, kanë qenë kryesisht të rinjtë. Kështu që në një moment kur po përpiqeshim për një unitet më të madh dhe një përparim të mëtejshëm të bashkësive tona, u vu re kjo ikje e madhe jashtështetit, për shkaqe materiale. Fatkeqësisht autoritetet shtetërore nuk tregohen edhe aq të ndjeshme ndaj kësaj dukurie.

Pyetje: Cili ka qenë ndikimi i diktaturës komuniste në shpirtin e rumunëve?

Përgjigje: Të them të drejtën, unë mendoj më tepër për atë që është ndërtuar gjatë këtyre njëzet vjetëve liri në shpirtin e besimtarëve tanë, gjë që nuk është e lehtë për t’u matur. Ne barijtë, ipeshkvijtë, meshtarët jemi mësuar me këtë vështirësi. E dimë se është e vështirë të shihen frytet e veprimtarisë baritore për të cilët kemi punuar dhe pikërisht për këtë arsye, po thoshja se nuk më pëlqen të flas për fryte, por më mirë për hirin e Zotit që ka zbritur mbi ata që na janë besuar. Sidoqoftë dëshirojmë ta sigurojmë Atin e Shenjtë se Kisha rumune e ka ruajtur mirë identitetin e saj katolik, dhe edhe sot e kësaj dite e ruan.







All the contents on this site are copyrighted ©.