2010-02-09 15:37:48

Intervistë me prof. Etore Goti Tedeskin, presidenti i IOR-it, mbi Enciklikën “Caritas in Veritate”: dalja nga kriza quhet "kursim"


(09.02.2010 RV)Të dashur dëgjues, fillojmë sot transmetimin e një interviste të gjatë me presidentin e Bankës së Vatikanit IOR(Instituti i Veprave Fetare), prof. Etore Goti Tedeski mbi enciklikën e fundit të Papës Benedikti XVI “Caritas in Veritate”, ku përvijohen linjat e zhvillimit botëror, sipas doktrinës shoqërore të Kishës. Disa muaj pas botimit, kjo enciklikë akoma vazhdon të diskutohet dhe të merret si pikë referimi në ambientet e financës, të ndërmarrjeve, të politikave e të punës kërkimore ekonomike. Por, për një bilanc të dëgjojmë profesorin, në pjesën e parë të intervistës, që do të vazhdojmë ta transmetojmë edhe në ditët e ardhshme…

Është pritur mirë, me një kor konsensusi. Por, duhet të bëjmë një konsideratë: sa herë që në botë dalin probleme të rënda – në këtë rast, kriza e madhe ekonomike nga e cila vuajnë të gjithë, shtetet, institucionet politike, institucionet financiare dhe industriale, familjet e qytetarët e thjeshtë – të gjithë janë dakord se duhet etika. Të gjithë vënë re se etika është një element i mangët në natyrë, kur ka probleme, prandaj të gjithë kanë bërë komplimente për Enciklikën, e kanë ngritur në qiell rëndësinë e saj dhe kërkesën e Enciklikës për etikë, duke e interpretuar më pas, në mënyra të ndryshme. Siç e dimë, Enciklika bën thirrje për etikë në çaste të përcaktuara mirë e me konsiderata jashtëzakonisht të sakta. Por të gjithë ata që nuk e kanë lexuar, janë dakord për faktin se Enciklika i referohet nevojës për etikë. Në të vërtetë, sapo të përfundojë kriza – megjithëse kam dyshime se po përfundon, apo jo – do të flitet gjithnjë e më pak si për etikë, ashtu edhe për Enciklikë. Kushedi përse, mungesën e etikës e shohim gjithnjë tek tjetri, flasim për të, bëjmë kurse etike, i japim përkufizime, flasim për mjete etike si për shembull, Banka Etike, Fondi Etik, duke harruar se etika duhet jetuar para së gjithash, e jo mësuar. Duhet treguar se ç’do të thotë sjellje etike.

Presidenti amerikan Barak Obama është shprehur kundër gjigantizmit të bankave, apo kthimit të superbonusit për administratorët e tyre… Sipas jush, mundësitë për ndryshim, që dha kriza, janë shfrytëzuar apo jo?
Para së gjithash mendoj se është ekzagjeruar në fajësimin e bankierëve e të financierëve për fillimin e krizës. Origjina e krizës nuk është në banka e as në financa. Bankat dhe financa e kanë rënduar krizën, duke u përpjekur të kompensojnë problemet që kishin lindur më parë, si për shembull, rënia e zhvillimit ekonomik, të cilin u munduan ta fshehin përmes përdorimit të mjeteve financiare. Për të qenë polemik edhe më tej, do të thosha se më shumë se sa bankierët, përgjegjësi kanë qeveritarët, të cilët kanë nxitur, përkrahur e justifikuar rritjen e kredive, që u përdorën në mbështetje të një treguesi zhvillimi, i cili dihej se ishte i rremë. Tani ndodhemi para një problemi edhe më të madh, për të cilin po dëgjojmë prej kohësh. Termi teknik është “averaging”, që do të thotë “shfryrja e borxhit”. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, në të gjithë botën perëndimore, ndikimi i borxhit të përgjithshëm mbi prodhimin e brendshëm brut ka kaluar nga 200% në 300%, pra, është rritur me rreth 30%. Kjo fryrje artificiale e borxhit është e ndryshme nga vendi në vend: në Itali për shembull, është shumë i lartë borxhi i qeverisë e shumë i ulët ai i familjeve; në SHBA, e kundërta. Borxhi i përgjithshëm përfshin borxhet e qeverisë, të familjeve, të institucioneve financiare e jo e të atyre industriale dhe duhet të shfryhet, të ulet. Që ai të kthehet në standarte të pranueshme, për vendet evropiane e për SHBA-të duhet të kalojnë 5-7 vjet. Kjo do të thotë që për 5-7 vjet kemi përpara zgjedhje strategjike ekonomiko-financiare jo të lehta. Nëse nuk duam të shpallim falimentimin, si Argjentina, ose nëse nuk e rrisim inflacionin për të zvogëluar kështu borxhin, gjë që do të penalizonte të gjithë, ekziston vetëm një mënyrë për të rikrijuar ekuilibrin ekonomiko-financiar, e ajo quhet “kursim”.







All the contents on this site are copyrighted ©.