Zgjedhje presidenciale në Ukrainë: Janukoviç në krye.
(08.02.2010 RV)Ukraina votoi dje në ballotazh për presidentin e Republikës.
Viktor Janukoviç, lider i opozitës filo-ruse duket se ka fituar zgjedhjet, por kryeministrja
Julia Timoshenko e akuzon për manipulime. Gjithsesi, kreu i komisionit qendror të
zgjedhjeve e ka deklaruar të vlefshëm ballotazhin. Për shpalljen e rezultateve zyrtare
duhet pritur 17 shkurti. Për të ardhmen e Ukrainës pyetëm zv.drejtorin e revistës
“Familja e krishterë”, Fulvio Skaljone: Kam frikë se
e ardhmja e Ukrainës i ngjan trishtueshëm së kaluarës së saj, me zgjedhje të anulluara,
me grindje politike të vazhdueshme, që pengojnë debatin e vërtetë politik në vend,
i cili, të mos harrojmë, është në pragun e falimentimit. Në vitin 2009 prodhimi i
brendshëm brut është ulur me 14%, ndërsa prodhimi industrial me 25%. Gjithsesi, këto
zgjedhje janë funerali i të ashtuquajturit Revolucion Portokalli dhe i shpresave që
pati zgjuar. Shumë analistë mendojnë se do të kemi një lidhje të re me Moskën… Në
të vërtetë, kjo është njëra nga lajmet e pakta të mira, në njëfarë mënyre, pasi një
nga problemet e së kaluarës së afërt të Ukrainës ishte pikërisht ai i një politike
të çmendur kundër Rusisë, të cilën Kievi nuk mund t’ia lejojë vetes, pasi të gjitha
furnizimet me energji i vijnë nga Rusia. Moska lëviz 25% të import-eksportit në Ukrainë.
Në këto kushte, një vend që bën një politikë kundër një vendi tjetër, i cili në fakt
i mban në këmbë ekonominë, është politikisht i verbër, e nga pikpamja ekonomike, vetëvrasës.