Shqipëria e Maqedonia do të bashkëpunojnë për zhvillimin e korridorit 8
(08.2.2010 RV)Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë,
Ilir Meta deklaroi sot se "Shqipëria dhe Maqedonia do të intensifikojnë të gjitha
përpjekjet për të gjallëruar projektet që kanë të bëjnë me zhvillimin e Korridorit
8". Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Tiranë me Ministrin e
Jashtëm të Maqedonisë, Antonio Milososki, Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi nivelin
e marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërsa theksoi se "ekziston vullneti për t'i konsoliduar
akoma më shumë këto marrëdhënie në të gjitha fushat". Intensifikimi i mëtejshëm
i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve, sipas z. Meta është në interesin
e përbashkët të dy vendeve. "Ne jemi të interesuar për të rritur shkëmbimet tregtare
dhe për të krijuar lidhje më të ngushta midis komuniteteve të biznesit, për të zgjeruar
bashkëpunimin në fushën e transporteve, por edhe të arsimit, shëndetësisë, mjedisit,
turizmit, mbrojtjes, bujqësisë etj", tha z. Meta, duke veçuar zhvillimin e projekteve
të përbashkëta në infrastrukturën e energjisë. Ai vuri në dukje se është
rënë dakord për të forcuar më tej konsultimet diplomatike dhe për të shkëmbyer vizita
në nivelet më të larta gjatë këtij viti. Nënshkrimi sot i marrëveshjes për bashkëpunim
mes dy ministrive të jashtme dhe dy akademive diplomatike, sipas Ministrit Meta, janë
tregues i vullnetit për të intensifikuar më tej konsultimet diplomatike në të gjitha
çështjet. Duke u ndalur te ecuria e proceseve integruese, z. Meta përshëndeti
arritjen pozitive për gjithë qytetarët e Maqedonisë, që ka të bëjë me liberalizimin
e vizave. Ai shprehu besimin se "edhe Shqipëria do ta fitojë liberalizimin e vizave
brenda këtij viti". Kryediplomati Shqipërisë vuri në dukje se "Shqipëria
mbështet fuqimisht anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe shpreson që sa më shpejt
të kapërcehet çdo pengesë që ka mbetur, për ta formalizuar dhe konkretizuar këtë anëtarësim".
"Pavarësisht nga kjo ne të gjithë e vlerësojmë faktin se Maqedonia është shumë e angazhuar
në të gjitha misionet ndërkombëtare për ruajtjen e paqes në botë", tha z. Meta, duke
nënvizuar se "Shqipëria është e interesuar për ecurinë e mëtejshme të reformave në
Maqedoni, të cilat përshpejtojnë proceset e integrimit evropian të këtij vendi".
Z. Meta u ndal dhe tek Marrëveshja e Ohrit që promovon zhvillimin e qetë dhe harmonik
të shoqërisë, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë
qytetarëve të Maqedonisë. Ai shprehu bindjen se "përshpejtimi i zbatimit të plotë
të kësaj marrëveshjeje do të përshpejtojë edhe proceset e integrimit evropian të Maqedonisë".
Maqedonia ka luajtur një rol shumë pozitiv për stabilitetin e rajonit tonë,
tha z. Meta duke vlerësuar veçanërisht "nënshkrimin e marrëveshjes për demarkacionin
e kufirit midis Maqedonisë dhe Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes
tyre". ( nga ATSH-ja)