2010-02-06 14:10:27

6 shkurt 196 fjalimi famëkeq i diktatorit komunist në Shqipëri kundër Fesë në Zotin


(06.2.2010 RV)Para do kohësh, apo më mirë të themi vite më parë, një grup intelektualësh katolikë të kryeqytetit të Shqipërisë propozuan që shkurti të shpallej "Muaji i kujtimit të martirizimit të Kishës Katolike në Shqipëri" e të kremtohet me lutje e shtegtime ndër vendet ku u rrënuan Kishat dhe u martirizuan meshtarët e laikët katolikë, si dhe qytetarët e lirë, të gjithë të pafajshëm, të gjithë të dashuruar në të vërtetën e lirinë njerëzore e qytetare, të gjithë të përkushtuar për të punuar për të mirën e popullit e të vendit, po kjo mjaftonte për regjimin komunist e ateist për të arsyetuar përndjekjet, burgosjet, vrasjet e personave e mbylljen e institucioneve fetare e intelektuale dhe tempujve të Zotit. Koha e pohoi të vërtetën.
 
Pra, kanë kaluar mëse 40 vjet nga viti i kobshëm 1967, kur Shqipëria u shpall i vetmi shtet ateist në botë. E tragjedia nisi pikërisht në shkurt të këtij viti, me fjalimin famëkeq kundër zakoneve prapanike dhe paragjykimeve fetare, mbajtur nga diktatori më 6 shkurt 1967.

Më 19 shkurt u ndalua kremtimi i meshës të orës 10 në Katedralen e Shkodrës. Françeskanët morën urdhrin të zbraznin Kuvendin e Gjuhadolit, duke mbartur gjithë ç’kishin në Kuvendin e Arrës së Madhe. Pas një kontrolli të rreptë të sigurimit, u mbyll edhe Argjipeshkvia. Njëkohësisht nisën mbledhjet e lagjeve për demaskimin e klerit, ndër të cilat u dha sinjali i sulmit për mbylljen e të gjitha kishave.

Më 4 mars u mbyll Kisha katedrale e Shkodrës e mbas saj, njëri pas tjetrit, të gjithë tempujt e Zotit. E fundmja u mbyll Kisha e fshatit Delbinisht, ku fshatarët rezistuan derisa nisën arrestimet. Të Premten e Madhe të vitit 1967 qeveria komuniste i ngarkoi mbi shpinë Kishës katolike Kryqin e Krishtit. Nisi kështu ngjitja në Kalvar, deri në kryqëzim e deri në ngjallje, në të tretën ditë. E gjatë kësaj ngjitjeje të mundimshme, pati edhe meshtarë si Atë Pjetër Meshkalla, jezuit shqiptar, që morën guximin ta shpallnin haptas të vërtetën mbi diktaturën, duke u bërë shembull për qëndrimin që duhet të mbajë çdo shqiptar përballë mashtrimit e gënjeshtrës qeveritare në çdo kohë.







All the contents on this site are copyrighted ©.