2010-02-05 15:56:19

Zhvillimi shoqëror dhe integrimi në qendër të fjalimit të imzot Miliores në OKB


(05.02.2010 RV)E mira e përgjithshme e njeriut në përmasat e saj të ndryshme, përfshi atë fetare, duhet të jenë në qendër të reflektimeve të atyre që merren me integrimin shoqëror. Ky ishte koncepti bazë i fjalimit të djeshëm të Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, imzot Çelestino Miliore, në sesionin e 48-të të Komisionit për zhvillimin shoqëror në Nju Jork.
Duke kujtuar enciklikën e Papës Benedikti XVI “Caritas in Veritate”, ku thuhet se “shoqëria e globalizuar na bën të afërt, por jo vëllezër”, prelati vuri në dukje se integrimi duhet të bëhet përmes eliminimit të varfërisë dhe gjetjes së një pune dinjitoze për të gjithë. Ekonomia e shoqëria zhvillohen më mirë nëse rriten lidhjet ndërmjet njerëzve, theksoi imzot Miliore, duke përmendur fushat e ndryshme, ku mund të ndodhë kjo, nga kurat mjekësore, tek kultura, edukimi, arti e sporti.
Zhvillimi shoqëror dhe integrimi, vazhdoi më tej Vëzhguesi i Vatikanit, nuk rrjedhin vetëm nga zgjidhje teknologjike, por kryesisht nga marrëdhënie njerëzore. Kjo kërkon mbrojtjen e jetës, ndërsa tepër shpesh rritja e popullsisë është konsideruar arsye e varfërisë e mungesa e punës, pasojë e saj. Detyra e pushtetit, nënvizoi imzot Miliore, është të gjejë zgjidhje të përshtatshme për t’u siguruar njerëzve kompetencat, formimin dhe arsimin, në mënyrë që të nxiten zhvillimi e të drejtat e njeriut.
Pikërisht bërthama familjare, sipas prelatit, është vendi ku fëmijët mësojnë gjëra të caktuara, sjellje e virtyte që i përgatisin për botën e punës, duke u mundësuar kështu kontributin në zhvillimin e vendit. Prandaj, edukimi e formimi duhen konceptuar si investime afatgjata e politikat mbi familjen duhet të bazohen mbi drejtësinë ekonomike e shoqërore.
Së fundi, kryeipeshkvi vuri theksin mbi fenomenin e emigracionit të parregullt, i cili po krijon kontraste në rritje, por edhe zgjidhja e tyre kërkon integrimin e kohezionin e emigrantit me shoqërinë. Integrimi, përfundoi imzot Miliore, kërkon kohë dhe respektimin e të drejtave themelore të secilit – si të qytetarëve të vendit mikpritës, ashtu edhe të emigrantëve – e ka nevojë për një kulturë të bazuar mbi drejtësinë shoqërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.