2010-02-05 15:30:00

Papa ipeshkvijve skocezë: mbrojeni Ungjillin nga ata që duan t’ia zvogëlojnë forcën


(04.02.2010 RV)Sot paradite, Papa Benedikti XVI priti në audiencë ipeshkvijtë skocezë, të cilët kanë ardhur për vizitë ad Limina në Vatikan. Ati i Shenjtë u foli për mbrojtjen e jetës, për formimin e brezave të rinj të meshtarëve e të laikëve, që të dinë të dëshmojnë të vërtetën e krishterë në çdo fushë e në çdo vend. Duhen, tha qartë Papa, meshtarë që impenjohen seriozisht në lutje e që e jetojnë me gëzim shërbimin e tyre, pasi kjo sjell fryte jo vetëm për jetën shpirtërore të besimtarëve, por edhe për thirrjet e reja:
“Emphasize the indispenable role of the priest…
Të nënvizohet roli i domosdoshëm i meshtarit në jetën e Kishës, sidomos në kujdesin për Eukaristinë, nga e cila gjallërohet vetë Kisha. E inkurajojini personat që kanë për detyrë formimin e seminaristëve, të bëjnë ç’është e mundur për të përgatitur një brez të ri meshtarësh të impenjuar e të zellshëm, të formuar mirë nga pikpamja njerëzore, nga ajo akademike e shpirtërore për të shërbyer në shekullin XXI”.
Po kjo gjë duhet bërë edhe me laikët, theksoi Papa Racinger, pavarësisht se pa u përzier me detyrat që mund t’i kryejë vetëm meshtari. Formimi i laikëve fillon nga shkollat e nga ato katolike, në veçanti:
“As you encourage Catholic teachers…
Duke i nxitur mësuesit në punën e tyre, vini theksin veçanërisht në cilësinë dhe thellësinë e edukimit fetar, në mënyrë që të përgatiten laikë katolikë të mirëinformuar, në gjendje dhe të gatshëm të kryejnë misionin e tyre. Prania më e madhe katolike në media, në politikën lokale e kombëtare, në gjykatë, në profesione të ndryshme e në universitete s’bën tjetër, veçse i shërben pasurimit të jetës kombëtare të Skocisë, me persona fetarë, që dëshmojnë të vërtetën, sidomos kur ajo vihet në diskutim”.
Në fjalimin e Atit të Shenjtë nuk mungoi edhe trajtimi i sfidave të shekullarizimit në rritje në Skoci. Përkrahja e eutanazisë, u tha Papa ipeshkvijve, e godet në zemër konceptin e krishterë mbi dinjitetin e jetës njerëzore:
“Recent developments in medical ethics…
Zhvillimet e fundit në fushën e etikës mjekësore dhe disa praktika në fushën e embrionologjisë krijojnë shqetësime të mëdha. Nëse mësimi i Kishës kompromentohet, qoftë edhe pak, në njërin prej këtyre sektorëve, bëhet e vështirë mbrotja e doktrinës katolike në tërësinë e saj”.
Barinjtë e Kishës, vazhdoi Benedikti XVI, duhet t’i këshillojnë gjithnjë besimtarët të respektojnë e të ndjekin mësimet e Magjisterit, duke mbështetur njëkohësisht, të drejtën e Kishës për të jetuar lirisht në shoqëri, sipas bindjeve të veta. Më pas, shtoi:
“All too often the Church’s doctrine…
Tepër shpesh, doktrina e Kishës kuptohet si një sërë ndalimesh e qëndrimesh të vjetra, ndërkohë që realiteti, siç e dimë, na tregon se ajo është krijuese e jetësore dhe ka për qëllim realizimin më të plotë të mundësive të mëdha të së mirës e të lumturisë, që Zoti ka dikuar në secilin prej nesh”.
Ati i Shenjtë i përgëzoi ipeshkvijtë për hapat e bëra në fushën e ekumenizmit. 450 vjet pas asaj, që Papa e quajti “ndarje të dhimbshme” të Kishës katolike në Skoci, Benedikti XVI vuri në dukje përparimet e bëra për të shëruar plagët e asaj kohe, të cilat duken edhe sot me sektarizmin, që vazhdon të ngrejë krye. Duke i rezistuar presioneve që kanë për qëllim ta zvogëlojnë rëndësinë e mesazhit të krishterë, përfundoi Papa, orientohuni drejt bashkimit të plotë e të dukshëm, për t’iu përgjigjur tërësisht vullnetit të Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.