2010-02-05 15:34:24

Letër e Papës për presidentin e Maltës


(05.02.2010 RV)Mezi pres të vij për të kremtuar përvjetorin e rëndësishëm të mbërritjes së Shën Palit në brigjet tuaja: kështu i shkruan Papa presidentit të Maltës, Xhorxh Abela, duke e falenderuar për ftesën që të vizitojë ishullin më 17 e 18 prill. Në letrën e botuar nga gazeta “Times” e Maltës, Benedikti XVI nënvizon se kjo ngjarje do të jetë një rast i rëndësishëm për të reflektuar dhe për t’u thelluar në fenë e krishterë. Rasti i vizitës është 1950-vjetori i shpëtimit të Shën Palit nga mbytja në brigjet malteze, që sipas traditës, ka ndodhur në vitin 60, gjatë udhëtimit të Apostullit për në Romë.
Papa, sipas komunikatës së kryedioqezës së Maltës, do të mbërrijë në ishull më 17 prill. Pas takimit me autoritetet civile, Ati i Shenjtë do të vizitojë Shpellën e Shën Palit në Rabat. Paraditen e 18 prillit, Papa do të kremtojë Meshën në qytetin e Florianës. Pasdite, do të takojë të rinjtë maltezë në La Valeta, për t’u kthyer më pas në Romë. Ky do të jetë udhëtimi i 14-të apostolik ndërkombëtar i Benediktit XVI, i treti i një pape në arqipelagun e Mesdheut, pas vizitave të Gjon Palit II në vitin 1990 e në vitin 2001.







All the contents on this site are copyrighted ©.