2010-02-04 16:22:33

Çelësi i fjalëve të Kishës: ç’është shfajësimi?


(04.02.2010 RV)Siç e dëgjuat edhe më parë, sot u paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit, Mesazhi i Papës Benedikti XVI për Krezhmët e këtij viti, me temë “Vepra shëlbuese e Zotit u dëftua me anë të fesë në Krishtin” (Rom 3,21-22). Në këtë mesazh, Ati i Shenjtë shpjegon qartë kuptimin e drejtësisë së Hyjit, përmes së cilës, e vetëm përmes saj, në të gjithë shfajësohemi, apo largohemi nga mëkati dhe e keqja. Pikërisht prej këndej, Kisha flet për doktrinën e shfajësimit, apo të justifikimit, që do të përpiqemi ta shpjegojmë sot. Pra, do t’i japim përgjigje pyetjes: “ç’është shfajësimi?”

“E dimë se njeriu nuk shfajësohet në saje të veprave të Ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin. Prandaj, ne besuam në Jezu Krishtin, që ta fitojmë drejtësinë nga feja e Krishtit e jo nga veprat e Ligjit, sepse “askush nuk do të mund ta fitojë drejtësinë” me anë të veprave të Ligjit”. Për tri herë rresht në këtë frazë, marrë nga Letra drejtuar Galatasve (2,16), shën Pali na paraqet thelbin e mesazhit teologjik, të cilin do ta shtjellojë edhe më pas në atë letër e në kryeveprën e tij të mëvonshme, që është Letra drejtuar Romakëve, nga është marrë tema e sivjetme e mesazhit papnor për Krezhmët. Kjo tezë sintetizohet zakonisht me termin “shfajësim, apo justifikim, në sajë të fesë” e pohimi i shën Palit ka qenë gjithnjë objekt debati ndërmjet Kishës Katolike e Reformës Protestante, që nga vitet 1500, megjithëse në vitin 1999 u arrit në një deklaratë të përbashkët katoliko-luterane, e cila vuri në dukje thelbin e përbashkët fetar që rrethon këtë temë themelore.
Fjala greke “dikaiosýne”, “shfajësim”, dhe folja relative “dikaioùn”, “shfajësoj”, kanë natyrë gjyqësore dhe tregojnë njohjen e faktit se një person është i drejtë dhe korrekt. Por koncepti fetar shkon përtej këtij kuptimi juridik. Le të përpiqemi ta shjegojmë me fjalë të thjeshta. Fillojmë nga “drejtësia” e Zotit, apo dëshira e tij për të shëlbuar çdo krijesë të vetën. Është ajo që shën Pali e quan “hir”, e që në greqisht shprehet me fjalën “chàris”, e njëjta që është në bazën e fjalës “karitas”. Pra, kemi të bëjmë me dashurinë e Zotit, që i drejtohet njeriut të larguar prej Hyjit përmes mëkatit. Është Zoti që shkon i pari drejt krijesës së vet.
Me të vërtetë, në Letrën drejtuar Romakëve, shën Pali shkruan: “Isaia guxon të thotë edhe më tepër: “Më gjetën (Zotin) ata që nuk më kërkuan, u jam dëftuar atyre që nuk më pyesnin” (10,20). Natyrisht që njeriu, me lirinë e tij, mund ta pranojë ose ta refuzojë Hirin e Tënzot, drejtësinë shëlbuese hyjnore. Pranimi është pikërisht feja, “pìstis” në greqisht, e cila lirisht, vullnetarisht e me gëzim i hap krahët për të përqafuar dhuratën e Zotit, hirin e Tij shëlbues e dashurinë e Tij, që çliron. Stadi i fundit i besimtarit të vërtetë, pra i atij që ka fe, është “shfajësimi”, apo kthimi i tij në person të drejtë nga Zoti, që e shkëput nga e keqja dhe nga mëkati, nga “sarx”, “mishi”. Ky i fundit është për Apostullin e Popujve parimi i brendshëm malinj, që e çon lirinë tonë drejt mëkatit (në greqisht “hamartìa”).
Njeriu mund të përpiqet të “shfajësohet” vetë, pra ta shpëtojë veten nga mëkati përmes veprave të Ligjit, duke respektuar normat, që i imponojnë të praktikojë akte të drejta e të mira. Por është njëlloj sikur ai të donte të dilte i vetëm nga një terren me rërë që lëviz, pa një dorë që e tërheq drejt tokës së sigurtë. Kështu deklaron shën Pali, kur denoncon iluzionin e atyre, që duan të shëlbohen nga drejtësia që vjen nga Ligji e jo “me atë që vjen nga feja në Krishtin, me drejtësinë që vjen nga Hyji, e themeluar në fe” (Fil 3,9).
Por, a mund të themi se nuk është e nevojshme të bëjmë vepra të mira? Jo, pasi vërtet që ato nuk janë arsyeja e fundme e shëlbimit tonë, por janë “fryti” i nevojshëm, që rrjedh nga “shfajësimi” ynë, i cili na shtyn të kryejmë akte “dashurie, hareje, paqeje, durese, dashamirësie, mirësie, besnikërie, butësie, përkormërie” (Gal 5,22). Veprat e mira janë shenjë e vërtetësisë së shfjaësimit tonë, pra të faktit se jemi kthyer vërtet në rrugën e Zotit e kemi fe të patundur.







All the contents on this site are copyrighted ©.