2010-02-04 16:22:06

Ndërroi jetë në Shkodër Atë Ambroz Martini o.f.m.


(04.02.2010 RV)RealAudioMP3 Provinca françeskane e Shqipërisë njofton me hidhërim se dje, më 3 shkurt 2010 ndërroi jetë në Kuvendin françeskan të Gjuhadolit, në Shkodër, Atë Ambroz Martini o.f.m., në pagëzim Zef. Atë Ambroz Martini ishte,hallkë lidhëse e Kishës së martiruzuar e asaj në diaspor, dëshmitarë i Ungjillit dhe i dashurisë vëllazërore.
Atë Ambroz Martini u lind më 2 dhjetor 1928 në Theth, Dukagjin. Mbas mbylljes se kuvendit françeskan në Gjuhadol, në Shkodër u nis për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. U caktua në vijën e frontit shqiptaro-grek. Ishte koha e provokacioneve të Gushtit. Prej andej arriti me shumë zgjuarsi që së bashku me piktorin e ardhshëm Lin Delija të arratisej në Jugosllavi, me shpresën për të kaluar në perëndim për të përfunduar studimet teologjike e lëna përgjysmë dhe të shugurohej meshtar.
Filloi kështu për të periudha e gjatë e mërgimit pa shpresën e kthimit në atdhe, por pa e humbur kurrë shpresën në Zotin.
Në Jugosllavi kreu fillimisht shkollën e Arteve të Bukura në Herceg Novi. Më pas vijoi studimet filologjike në Universitetin e Beogradit. Këtu do të njihej me shkrimtarin dhe poetin Martin Camaj, miqësi kjo që do të zgjaste gjithë jetën. Me përfundimin e studimeve në Beograd, u caktua mësues në fshatin me banorë shqiptarë, Vladimir, afër Muriqanit.
Në Jugosllavinë e Titos u njoh me gjendjen e vështirë në të cilën gjendeshin refugjatët politikë shqiptarë. Pikërisht këtu u takua, mbas shumë kohe, me bashkëfshatarin e vëllain e tij françeskan Atë Daniel Gjeçajn. Atë Danieli me dijen, maturinë e mprehtësinë e tij karakteristike do të bëhej busull në jetë jo vetëm për Atë Ambrozin por edhe për të gjithë refugjatët e tjerë shqiptarë- kryesisht malësorë - që ishin në një situatë të dëshpëruar në Jugosllavi.
Pas shumë përpjekjesh arriti të kalojë në Itali ku, më në fund, vazhdoi studimet për teologji në Fiezole, në Firence. Me 29 qershor 1957 u shugurua meshtar, duke u futur kështu në rreshtat e françeskanëve shqiptarë që jetonin e punonin në mërgim për lulëzim të fesë e të kombit.
Atë Ambrozi kreu detyra të ndryshme si kapelan i shqiptarëve në Santa Roza, Kaliforni, SHBA; në Bruksel, Belgjikë dhe, para se të kthehej përfundimisht në Shqipëri në vitin 2008, në Montekatini Terme, në Itali.
Gjithmonë buzagaz, gjatë viteve të misionit të tij në shërbim të Krishtit e Fjalës së Tij, u qëndroi pranë shqiptarëve, pa dallim e kudo që ndodheshin me fjalën e tij të ngrohtë e shpresëdhënëse. Ndonëse vazhdimisht ishte i kërcënuar nga Sigurimi i Shtetit Atë Ambrozi asnjëherë nuk e ndërpreu korrespondencën e gjerë që kishte me të gjithë shqiptarët e arratisur në të gjitha kontinentet e botës.
Atë Ambroz Martini o.f.m. njeri i dashruar në Ungjill, në misionin e tij meshtarak françeskan, kultivoi, mbrojti e dëshmoi vlerat e bindjet e tij me të gjitha mënyrat e gjuhët që njihte e fliste e përveç shqipes, ai njite kroatishten, italishten, hollandishten, frëngjishten dhe anglishten.
Salikimet do të bëhen të shtunën më 6 shkurt.







All the contents on this site are copyrighted ©.