Imzot Gjergj Volajt, ipeshkëv i Sapës e martir i fes në përvjetorin e vdekjes.
Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 3 shkurt përkujtojmë vdekjen e Imzot
Gjergj Volajt, ipeshkëv i Sapës e martir i fesë së krishterë. Bari i mirë,
i palodhshëm, predikatar i shquar i Fjalës së Zotit, imzot Gjergj Volaj qe një organizotar
i mirë i veprimtarisë baritore në dioqezën e Sapës, u dallua për besnikëri shembullore
ndaj parimeve Ungjillore e kishtare, qe dëshmitar i guximshëm i Krishtit dhe mbrojtës
i thesarit kishtar e kombëtar, që gjë vulosi me vdekjen prej martirit të fesë. U
pushkua nga regjimi komunist më 3 shkurt 1947, pasi qe arrestuar për propagandë e
agjitacion. Kujtojmë se imzot Gjergj Volaj lindi në fshatin Shirokë më 1905, u
shugurua meshtar më 1930 e ende meshtar i ri në moshën 35 vjeçare emërohet e shugurohet
ipeshkëv i dioqezës së Sapës, ku shërbeu deri në vdekje. Ja çka shkruan për këtë
figurë të jashtëzakonshme revista “Kumbona e se Dieles”. IMZOT GJERGJ VOLAJ - IPESHKËV I SAPËS
Gjergji, në mësime gjithmonë
i dalluar mbi të gjithë, vlerësohej me medalje të arta të Kolegjit
Në fshatin
Shirokë, në atë shpat të malit Tarabosh, në freskinë e ajrit, qartësinë e liqenit
dhe në kundërmimin e blerimit të maleve, përgjithësisht ndër familje peshkatarësh
brez pas brezi kanë lindur fëmijë, pasardhës të mirë, të zgjuar që në gjurmët e jetës
kanë mbetur emra në zë, KOLIQI, HARAPI, VOLAJ, RAKAJ, NOGA, RADOVANI, KOKAJ, etj. Në
familjet e këtij fshati bëhej një jetë e brendëshme me të vërtetë e shenjtë me edukim,
punë dhe lutje. E kesaj natyre ishte familja e peshkatarit Cuk (Lazër) Volaj. Në
thjeshtësinë e një jete të varfër dhe të zgjuar, në këtë familje më 21 shtator 1905
lindi fëmija i parë, Gjergji. Shtëpia u mbush me dritë, jeta në familje u bë më e
gëzueshme, gjithmonë duke e falenderuar Zotin për këtë dhuratë të bukur. Më vonë
një gëzim i ri gëzoi prindërit. Në vitin 1910 një ndriçim i ri, lindi djali i dytë
Kola. Familja u plotësua për mrekulli, por krahas gëzimeve, dalin përpara edhe vështirësi
që duhen përballuar. Babai, kryefamiljar, vdiq i ri dhe fëmijët e vegjël mbetën jetimë.
Nëna Tone, nënë tipike katolike, grua e bekuar, që çdo gjë ia kushtonte vullnetit
të Zotit, e gjendur ngusht në varfëri, gjen mbështetje për të rritur jetimët në famullinë
e Leonard Shajakaj në Bishkas, Theth e Shosh. Gjergjin, djalin e madh, e dërguan
që të vazhdonte mësimet në Kolegjen Saveriane, pasi ato fillore i kishte kryer në
shkollën e Shirokës. I lutej nënës që ta bekonte për t'u bërë meshtar Në mësime
gjithmonë i dalluar mbi të gjithë, vlerësohej me medalje të arta të Kolegjës. Më
1916 ishte 11 vjeç. Gjergji krejt i vogël, provoi thirrjen e Shpirtit të Shenjtë.
I lutej nënës që ta bekonte për t'u bërë meshtar. Nëna Tone, gruaja me shpirt mirësie,
me virtyte të rralla, nëna iu përgjigj, ia dha bekimin, e uroi me zemër për rrugën
e meshtarisë. Kështu bindemi se ditët e lindjes së fëmijëve në këtë familje ishin
aq të ndritshme dhe të gëzueshme, kishte hyrë brenda Shpirti i Shenjtë me thirrjen
e vet. Edhe djali i dytë Kola (P. Viktori) provon në vetvete një thirrje shpirtërore,
t'i kushtohet jetës rregulltare të meshtarit. I lutet nënës dhe nëna aq e mirë,
aq bujare, i bekoi duke i thënë: “U bëftë mbi ju vullneti i Zotit!”. Ishte shembulli
i përvujtërisë i një nëne katolike. Atëherë kur ishin të vegjël, megjithëse me
hallet e jetës, nëna e vet u këndonte: “Flej qetësisht n'at djep moj njome, pusho
n'paqe me ej e zana, si ma t'mirin nder gjithë kombe për Shqipni tash t'rritë
ty nana.” (Nga D. Ndre Zadeja)
Të ndjekim jetën e Gjergjit Në vitin 1926
rrugën e përgatitjes për meshtar e plotësoi me mësimet e larta në Padovë në Itali.
Edhe atje i respektueshëm u dallua në mësime. Kardinali Dalla Costa, Ipeshkëv i Padovës,
i prezantoi me përgjegjësin Delegatit Apostolik në Shqipëri Della Pietra, studentin
Gjergj Volaj, si ekzemplar të veçantë. Më 26 korrik 1930 u shugurua meshtar nga
Imzot Lazër Mjeda. Ishte 25 vjeç. Fillimisht u emërua në Malin e Jushit, por shërbeu
gjatë si famullitar në Shkrel. Dom Gjergj Volaj, meshtar i ri, në natyrë i përshpirtshëm,
me aftësi të madhe gojtarie, me hapin e misionarit shpateve të maleve, i ëmbël pranë
vuajtjeve, ngushëllues në jetën e ashpër të malësorëve, fitoi admirimin e besimtarëve
dhe vlerësimin e hirearkisë kishtare. Në vitin 1936, kur ishte vetëm 31 vjeç, me
hijeshinë e meshtarit të devotshëm, me pjekuri dhe dinjitet, u shugurua ipeshkëv për
dioqezën e Sapës, me qendër në Nënshat. Ishte më i riu ipeshkëv, por me aftësi dhe
kulturë të lartë. Krahas me kryeipeshkvin Imzot Gaspër Thaçi, Imzot Nikollë Deda,
Dom Ndre Zadeja, Dom Jak Ceka, Dom Luigj Prendushi, Dom Lek Dredha, Dom Nikollë Mazrreku,
Dom Loro Nogaj, etj, ishte organizator i Kishës në të gjithë Zadrimën. Punoi si shembull
i shkëlqyer i jetës katolike. Mbante të gjallë (me letrat baritore, shprehje gojëtarie
e shembuj frymëzues veprimtarie) zemrat e besimtarëve, duke ia forcuar besimin në
Zotin. Mbahet mend, në Shkodër më 26 maj 1946 ndërroi jetë Imzot Gaspër Thaçi.
Procesioni i përmortshëm nëpër rrugët e qytetit, megjithëse ishin marrë masa tepër
të rrepta nga pushteti që të pengonte në çdo mënyrë procesionin, ai u bë aq madhështor
dhe masiv, saqë u vlerësua si manifestim i papërsëritshëm kundër komunizmit. Në
meshën e përshpirtshme ceremoniale, fjalën e rastit e mbajti Imzot Gjergj Volaj. Ende
i mbetur në veshët tanë fjalimi i paharrueshëm prestigjoz historik, madje i guximshëm,
nga podi predikatar në Katedrale mbushnin si asnjëherë, brenda e jashtë me popull
besimtar e Shkodrën mbarë. Paraqitja e Imzot Volaj si prijës me shkopin baritor në
dorë, me gojëtarinë e rrjedhshme të predikatarit me forcë fjale, i prekur thellë nga
dhimbja dhe trazimet e kohës, ka mbetur shprehja gojore e një fjalimi më të fuqishëm
i predikatarit, ku respektohej dhe naltohej figura fetare dhe atdhetare e Imzot Thaçit,
kur thirri me zë të lartë: I paharrueshmi kryeipeshkëv Imzot Thaçi! Ti përgjithmonë
shqiptar! Ti përgjithmonë meshtar, katolik, apostolik romak! Ishte ky fillimi
i fjalës plot zë e forcë që ushtoi edhe jashtë katedrales dhe u përhap kudo si një
definicion paralajmërues i një vije të palëkundshme të të gjithë klerit katolik që
do të vazhdonte rrugën e mundimeve në kalvarin e madh deri në martirizim. I
dënuar me vdekje Imzot Gjergji Nuk harrohet edhe jehona e fjalës në shpatin
e kështjellës Rozafat në ditën e festës së Zojës së Këshillit të Mirë më 25 prill
1946. Shtegtim i vërtetë masiv i një populli besimtar në këtë Shenjtërore, të ardhur
e të grumbulluar nga qyteti e të gjitha katundet e Shkodrës për festën e Zojës. Mesha
e kremtua nga Imzot Volaj. Predikatari i njohur Volaj, me ngulm, aftësi e zgjuarsi,
foli për devocionin e Zojës, për besën e shpresën e qëndrueshme te Mbrojtësja e Shkodrës
dhe e Kishës Katolike në këto kohë të vështira. Ishte predikimi i fundit... Porosi
për lutje, thirrje për besim në Zotin. Ky fjalim paralajmërues i fundit të shpejtë.
Tek shkruaj, më duket se afrohen bashkë me mua të gjithë ata që e njohën dhe ia dëgjuan
zërin, duan të flasin për ipeshkëvin Imzot Gjergj Volaj, por edhe lotojnë sepse ia
morën jetën krejt të pafajshëm. Ishte koha e luftës së djallit kundër Krishtit. Në
rrethana poshtërimi u arrestua Imzot Gjergj Volaj. Për akuza të pavërteta e torturua
mizorisht. U dënua me vdekje. Për çudi (ndoshta edhe për të lehtësuar fajin e dënimit
të padrejtë) u lejua një takim special për nënën e tij një ditë para pushkatimit të
të birit. Ishte me të edhe ndonjë familjar tjetër. U duk ky takim si ndonjë nga ndalesat
në rrugën e mundimshme të Kalvarit: Ndalesa e Katërt Jezu Krishti i dënuar për vdekje
takon nënën e vet. Sa dhimbje të mëdha kanë provuar këto dy zemra të pastra e të dashura. I
dhimbshëm dhe i ngjashëm takimi me nënën e vet Tone, i të dënuarit me vdekje Imzot
Gjergj Volaj një ditë përpara pushkatimit. Ai e ngushëlloi nënën e vet tek e pa aq
të rrënuar. “Nënë, mos vajto atë që tani sheh tek unë. Qaj ditët më të vështira që
do të vijnë”. Ia shtrin dorën mbi kokë dhe i thotë: “Qofsh bekuar nënë!”. Të therura
zemre, lot, por bekim për amshim. “Qofsh i bekuar, biri i nënës!” iu përgjigj nëna. Krismat
në orët e para të mëngjeseve të atyre kohëve ishin gjithnjë ogurzeza. 3 shkurt 1947
pas vorreve, aty tek zalli i Kirit, u pushkatuan pesë veta të hedhur në një gropë.
Bashkë me Imzot Gjergjin ishin Cin Serreqi, Dulo Kali, Xhelal Hardolli, Bilbil Hajmi.Në
atë mëngjes Atë Viktori dhe Nëna e vet Tone ishin në kishë. Po luteshin, askush nuk
pat guxim që t'i tregonte gjëmën, por krisma e armëve ua kishte shporuar zemrat. Ata
shpirtërisht luteshin dhe kërkonin forcën e Zotit që t'i qëndronin dhimbjes.Por nuk
u mbyll këtu dhimbja për nënën e goditur rëndë nga vuajtjet. Atë Viktori, ai gjuhëtar
dhe atdhetar, ai studiues, etnograf, përkthyes dhe autor i sa e sa shkrimeve e studimeve,
bashkëpunëtor i ngushtë i Atë Justin Rrotës (gjuhëtar i madh i letërsisë shqipe) dhe
Atë Gjergj Fishtës, ishte sekretar dhe komentator i të gjitha veprave të poetit të
madh, nuk i shpëtoi dënimit për vite në internimet komuniste dhe nëna e vet krejtësisht
e vetmuar kalonte jetën e mbështetur në forcën ë Zotit, pranë familjes së Shan Kolë
Kuçit. A ishte “haraç” ky dhumin i kësaj familje të shenjtë? Po kështi ishte e vërteta.
Kështu ndodhi dhe vdiq nëna e tramvajeve, vdiqën dy vëllezër të martirizuar. A
thua familja u shua? Në dukje po, mbetet pas tyre një ndriçim i përjetshëm familjar
tamam si në ditën e lindjes. Lindën dhe nuk vdesin. Kanë fituar amshimin. Mbesin shembuj
të rrallë të kishës. Mbesin për të gjithë frymëzim virtytesh, dëshmie, guximi dhe
sakrifice. Janë përgjithmonë familje martire e ndriçuar e kishës katolike në Shqipëri! nga
* Kumbona e se Dieles *