2010-02-03 15:54:10

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme flet për Shën Dedën: kush i shërben Ungjillit nuk kërkon pushtet, apo karrierë. Falenderimi i Papës për klaustralet.


(03.02.2010 RV)Si zakonisht të mërkurave, edhe sot, Papa Benedikti XVI mbajti audiencën e përgjithshme në Sallën Pali VI në Vatikan, katekizmin e së cilës ia kushtoi shën Domenikut, apo shën Dedës, themeluesit të Urdhërit të Fretërve Predikatarë. Ky urdhër predikatarësh e teologësh, që rinovoi Kishën e Mesjetës, theksoi Ati i Shenjtë, vazhdon t’i mësojë Kishës bashkëkohore se një i krishterë, sidomos nëse është i shuguruar për meshtar apo rregulltar, ka për detyrë të shpallë Ungjillin e të jetojë me dashuri e bamirësi për të tjerët, duke iu larguar karrierës, apo pushtetit. Papa i këshilloi ipeshkvijtë e meshtarët të kujdesen për “përmasën kulturore” të fesë.
Shkurtimisht, Benedikti XVI përshkroi jetën e shën Domenikut. Një i ri fisnik kastilian, që shkëlqente në studime, por që nuk hezitonte t’i shiste librat për të ndihmuar ndokënd në fatkeqësi. Më vonë, një meshtar brilant, i cili kur u zgjodh në detyra të rëndësishme për Kishën e shoqërinë, nuk e konsideroi këtë si privilegj personal, por si shërbim që u duhej bërë të tjerëve me përkushtim e përvujtëri. Këto janë veçoritë e Shën Dedës së Guzmanit, të cilat do të përvijonin stilin e një Urdhëri të rëndësishëm fetar, siç është ai i domenikanëve. E Papa e krahasoi me realitetin kishtar të sotëm:
“A s’është vallë tundim, karriera, pushteti, një tundim nga i cili nuk shpëtojnë as ata që kanë një rol qeverisjeje në Kishë? E kam kujtuar këtë pak muaj më parë, gjatë shugurimit të disa ipeshkvijve: “Nuk kërkojmë pushtet, prestigj, vlerësim për vetveten. E dimë se si gjërat në shoqëri, e jo rrallë edhe në Kishë, vuajnë për faktin se shumë nga ata që kanë përgjegjësi, punojnë për veten e jo për bashkësinë””.
Para se dy aspiratat më të mëdha të shën Domenikut – ungjillëzimi i atyre që nuk e njihnin Krishtin dhe riungjillëzimi i atyre që kishin dalë nga rruga e drejtë e fesë – të bëheshin qëllimi i jetës edhe për ndjekësit e tij, i riu kastilian e vë veten në provë. I varfër e i përkorë, shpjegoi Papa, shenjti i ardhshëm përkushtohet me entuziazëm në predikimin për albigjezët, një grup heretik mesjetar, që përbuzte materien deri në mohimin e mishërimit të Krishtit dhe kundërshtonte luksin, në të cilin jetonte një pjesë e klerit të kohës. Shembulli i shën Domenikut i bindi albigjezët e misioni i predikimit do të karakterizojë krejt jetën e shenjtit:
“Ky shenjt i madh na kujton se zemra e Kishës duhet të digjet gjithmonë nga zjarri misionar, i cili na shtyn pa pushim të çojmë kudo Lajmin e Mirë të Ungjillit e, aty ku është e nevojshme, ta bëjmë sërish ungjillëzimin: me të vërtetë, është Krishti pasuria më e çmuar, që burrat e gratë e çdo kohe e të çdo vendi kanë të drejtë ta njohin e ta duan!”
Kur Urdhëri i Fretërve Predikatarë konsolidohet, me ndihmën e Papëve të kohës, shën Deda merr dhe riharton Rregullën e Shën Agustinit. Jeta në bashkësi dhe studimi janë dy shtyllat e pazëvendësueshme, me të cilat mbahet misioni i ungjillëzimit të domenikanëve. Në veçanti, të shtyrë nga shenjti, ndjekësit e tij të parë formohen nëpër universitete. Kemi të bëjmë me një gjest të guximshëm, theksoi Papa, pasi në atë kohë, shkolla shihej me dyshim, por objektivi ishte formimi i shëndoshë teologjik:
“Zhvillimi i kulturës u imponon atyre, që i shërbejnë Fjalës së Zotit, në çdo nivel, të jenë të përgatitur mirë. U bëj thirrje të gjithëve, barinj e laikë, ta kultivojnë këtë “përmasë kulturore” të fesë, që bukuria e së vërtetës së krishterë të kuptohet më mirë e feja të ushqehet vërtet, të përforcohet e të mbrohet. Në këtë Vit Meshtarak, ftoj seminaristët dhe meshtarët ta vlerësojnë pasurinë shpirtërore të studimit. Cilësia e shërbimit meshtarak varet edhe nga përkushtimi ndaj studimit të të vërtetave të zbuluara”.
Edhe struktura e brendshme e Urdhërit të sapolindur domenikan e pasqyron këtë objektiv. Ashtu si për françeskanët, anëtarët e tij janë lypës, pra pa prona për të administruar e prandaj, më të gatshëm për qëllime apostolike. Ky organizim, nënvizoi Benedikti XVI, nxiste jetën vëllazërore e kërkonte bindje të forta personale:
“Zgjedhja e këtij sistemi vinte pikërisht nga fakti se domenikanët, si predikatarë të së vërtetës së Zotit, duhej të ishin koherentë me atë që shpallnin. E vërteta e studiuar dhe e bashkëndarë me dashuri me vëllezërit është baza më e thellë e gëzimit. I Lumi Jordan i Saksonisë thoshte për shën Domenikun: “Ai e përqafonte çdo njeri me krahët e dashurisë e, meqë i donte të gjithë, të gjithë e donin”.
Shën Domeniku i Guzmanit vdiq në vitin 1221 e 13 vjet më vonë kanonizohet. Jeta e tij, përfundoi Papa, na tregon dy mjete të domosdoshme, që veprimi apostolik të ketë sukses. I pari është devocioni marian, veçanërisht përmes Rruzares, ndërsa i dyti vjen nga kujdesi që shenjti kastilian pati për disa kuvende murgeshash. Duke bërë kështu, tha Papa, shën Deda:
“…i besoi deri në fund vlerës së lutjes e ndërhyrjes për suksesin e punës apostolike. Vetëm në Parajsë do të arrijmë ta kuptojmë se me sa fryt e shoqëron veprimin apostolik, lutja e murgeshave të klauzurës! Secilës prej tyre i drejtoj falenderimin e dashurinë time atërore”.
Ndër përshëndetjet e fundit të Benediktit XVI, po veçojmë atë që u drejtohej pjesëmarrësve të Takimit ndërkombëtar, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, me temë: “Të jetosh e të komunikosh Ungjillin në shekullin XXI”. Në këtë takim merr pjesë edhe Kryeipeshkvi metropolit i Tivarit, imzot Zef Gashi.RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.