Sot më 2 shkurt, Kisha kremton festën e Paraqitjes të Zotit në Tempull.
(02.2.2010 RV)Festa e ‘Paraqitjes së Zotit në tempull’, është festë e Krishtit
“dritës së popujve” dhe e takimit të Mesisë me popullin e vet në Tempullin e Jerusalemit.
Kremtimi kësaj feste fillon me liturgjinë e dritës, për të vijuar me ndezjen dhe bekimin
e qirinjve dhe me procesionin drejt Elterit të Kishës. Festa e sotme e Paraqitjes
së Zotit në Tempull, dyzet ditë pas lindjes së tij na bën të rijetojmë një çast të
rëndësishëm të jetës të Familjes Shenjte: sipas Ligjit të Moisiut, Krishti Fëmijë
çohet në tempull nga Maria e Jozefi për t’iu kushtuar Zotit. Simeoni e Ana, të frymëzuar
nga Hyji, njohin në këtë fëmijë, Mesinë aq të pritur dhe profetizojnë për të. Jemi
përballë një misteri, të thjeshtë e solemn njëherësh, në të cilin Kisha shenjte kremton
Krishtin, të Shuguruarin e Atit, të Parëlindurin e njerëzimit të ri. Edhe procesioni
me qirinj të ndezur, që shënoi fillimin e kremtimit të festës së sotme, u kujtoi besimtarëve
të pranishëm hyrjen madhështore, të kënduar në Psalmin 23, të Atij që është Mbreti
i lavdisë. Nga liturgjia e Fjalës Hyjnore të kësaj së kremte na shtrohet pyetja: po
kush është Zoti i gjithëpushtetshëm që hyn në tempull?. Përgjigja na vjen gjithnjë
nga Shkrimi Shenjt: është një Foshnje; është Krishti Fëmijë, ndër krahët e nënës së
vet, Virgjërës Mari. Kështu leximet liturgjike, fragmenti i profetit Malaki,
Letra drejtuar Hebrenjve e Ungjilli nga Shën Luka, ndalen te paraqitja e Krishtit,
ndërmjetësuesi që bashkon Zotin me njeriun, duke shlyer distancat, duke zhdukur çdo
përçarje e duke shembur çdo mur që e ndan njeriun nga Zoti. Liturgjia e sotme
na paraqet edhe figurën e Virgjërës Mari, si personi i parë që e shoqëroi Krishtin
në rrugën e bindjes, të fesë së vënë në provë e të dhembjes të jetuar pranë kryqit.
Pra, Maria është Nëna e Atij që është ‘Lavdia e popullit të Izraelit’ e ‘dritë për
të ndriçuar njerëzit’, por edhe shenjë kundërshtie. Zemra e saj e papërlyer duhet
të shporohet nga shpata e dhimbjes, duke treguar kështu se roli i saj në historinë
e shëlbimit nuk përfundon në misterin e mishërimit, por plotësohet përmes pjesëmarrjes
plot dashuri në vdekjen e ngjalljen e të Birit, Qengjit që shlyen mëkatet e botës,
Jezu Krishtit, dritës që i ndriçon njerëzit në rrugën e sigurtë të vërtetësisë e të
dashurisë. Në fjalët e Simeonit plak: “Sytë e mi panë shëlbimin” e të profeteshës
Ana ‘që u flet për fëmijën të gjithë atyre të cilët prisnin Mesinë në Jerusalem, në
këtë mënyrë shpallet identiteti dhe misioni i Mesisë. E ne të gjithë jemi të thirrur
ta pranojmë në zemra e ta ndjekim në jetë me gjeste e vepra dashurie, mirësie e bujarie.
Në mbyllje të këtij reflektimi, po kujtojmë se Liturgjia e kësaj feste na çon
në skenën biblike ku, të mbyllur brenda mureve të Tempullit, Simeoni e Ana, sipas
Ligjit fetar të popullit Hebre, presin dritën dhe shpëtimin. Por Jezusi nuk do të
kufizohet brenda mureve. Zoti do ti përshkojë udhët e botës për të shpëtuar mbarë
njerëzimin.