Shqipëri: regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike e fetare, shprehje emancipimi
(02.2.2010 RV)Regjistrimi i ri i popullsisë dhe banesave është një proces që
pritet t'i përgjigjet standardeve më të mira evropiane dhe që do ta ndihmojë Shqipërinë
në rrugën drejt integrimit në BE. Për herë të parë ky regjistrim, që pritet
të përfundojë brenda vitit 2011, do të japë një tablo të plotë dhe të përgjithësuar
të situatës demokratike dhe social-ekonomike të Shqipërisë. Pyetësori që do u jepet
shtetasve shqiptarë do të përmbajë pyetje që prekin jo vetëm gjendjen ekonomike dhe
social-kulturore, por edhe përkatësinë e tyre etnike dhe fetare. Ky moment shihet
si një shprehje e emancipimit të vendit që aspiron standardet e Evropës.
Sipas drejtores së INSTAT, Ines Nurja, regjistrimi mbi bazën e etnisë dhe fesë nuk
përbën qëllimin primar të regjistrimit, pasi pyetjet për këto çështje janë si shumë
të tjera që i përmban pyetësori. Qëllimi, sipas saj, është marrja e një informacioni
të plotë mbi grupet etno-kulturore që janë në Shqipëri. "Regjistri zyrtar
i popullsisë, që do të merret me anë të këtij regjistrimi, nuk do të bëjë ndryshime
mbi regjistrin civil. Pra, shifrat që do të nxirren nga regjistrimi i popullsisë ose
përkatësia etnike e individëve të ndryshëm nuk do të mbivendosen mbi regjistrin civil
të popullsisë", sqaron drejtorja e INSTAT. Regjistrimi i popullsisë mbi bazën
e përkatësisë fetare dhe etnike, krahas reagimeve në publik, ka sjellë dhe reagimin
e politikës, duke u mirëpritur nga disa përfaqësues të saj, ndërsa është konsideruar
i panevojshëm nga disa të tjerë. Kryetari i Partisë Demokracia Sociale (PDS),
Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm, e mbështet regjistrimin mbi baza etnike si domosdoshmëri
për një shtet si Shqipëria, që synon integrimin në BE. "Duhet të dimë se
sa njerëz ka në territorin tonë dhe se sa janë jashtë kufijve. Gjithashtu, regjistrimi
përbën një domosdoshmëri, pasi është kërkesë e institucioneve evropiane. Pyetësori
i BE-së dorëzuar qeverisë shqiptare në dhjetor 2009 përmban dy pyetje të drejtpërdrejta
që lidhen me regjistrimin etnik të popullsisë. Po ashtu, ka një rezolutë të Këshillit
të Ministrave të KE-së në korrik 2009, që i rekomandon qeverisë shqiptare regjistrimin
etnik të popullsisë", u shpreh ish-ministri i Jashtëm, Milo, gjatë një emisioni televiziv.
Edhe për Leonard Solisin, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Bashkimi për
të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), regjistrimi mbi baza etnike dhe fetare është një hap
në drejtimin e duhur. "Është shumë mirë të dish se cila është përbërja dhe përqindja
e diversiteteve të ndryshme të popullsisë dhe për këtë nuk duhet të kemi asnjë paragjykim",
shprehet zyrtari i PBDNJ-së. Pyetësori, shton ai, ka të dhëna shumë të domosdoshme
dhe është një përmbushje e Konventës Kuadër e ratifikuar nga Shqipëria në vitin 1999.
Në kundërshtim me këto qëndrime është Shpëtim Idrizi, kryetar i Partisë për
Drejtësi dhe Unitet (PDU), që përfaqëson interesat e komunitetit çam. Idrizi thotë
se është kategorikisht kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza fetare dhe etnike.
"Të gjithë biem dakord që Shqipëria ka nevojë të bëjë një regjistrim të popullsisë,
madje jo vetëm të saj, por dhe të pronave, pasurive, grupeve të ndryshme shoqërore.
Por, regjistrimi mbi baza etnike dhe fetare nuk është një rekomandim i detyrueshëm
për shtetin shqiptar", shprehet kryetari i PDU-së. Kjo, sipas tij, "pasi
Shqipëria është akoma në një fazë tranzicioni, me migrim të brendshëm, të jashtëm
dhe ku ka akoma influenca të shteteve fqinje, të cilët për shkak të një pozicioni
më të favorshëm do të stimulojnë qytetarët shqiptarë të deklarojnë jo të vërtetën
rreth etnisë apo fesë". Pyetësori për regjistrimin që po shqyrtohet nga ekspertët
e INSTAT dhe të grupeve të interesit do të jete gati brenda gjysmës së parë të këtij
viti. Kostoja e këtij procesi, që do të nisë vitin e ardhshëm, arrin në rreth 15 milionë
euro, ku 5 milionë do të mbulohen nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga donatorët.
nga ATSH-ja 30.1.2010.