Piu XII dhe hebrenjtë: dëshmia e një jezuiti në "L'Osservatore Romano"
(02.02.2010 RV)Rasti paraqitet sot gjerësisht në gazetën e Vatikanit “L’Osservatore
Romano” e ka të bëjë me dëshminë e një jezuiti për qëndrimin e Papës Piu XII ndaj
hebrenjve. Kujtojmë se është në përfundim Çështja e Lumnimit për Papën Paçeli, i cili
ka qenë gjithnjë objekt diskutimi ndërmjet katolikëve e hebrenjve, që e akuzojnë se
ka heshtur për shfarosjen e tyre nga nazistët, gjatë Luftës II Botërore. Jezuiti
në fjalë, që më vonë do të bëhej kardinali Paolo Deca, më 28 qershor 1964 botoi dëshminë
e tij në “L’Osservatore della Domenica”, ku përshkruan përmbajtjen e një bisede private
me Piun XII, gjatë së cilës Papa i pati thënë: “Ankohen se Papa nuk flet. Por Papa
nuk mund të flasë. Nëse do të fliste do të bëhej më keq”. Pra, mund të diskutohet
nëse Piu XII bëri mirë apo keq që heshti, ky është një diskutim historik, por është
jashtë çdo diskutimi që vendimin për të heshtur e mori, sepse mendonte se do ta keqësonte
situatën, nëse do të fliste. Piu XII, dëshmon kardinali jezuit Deca, u dërgoi
tri letra ipeshkvijve polakë, ku ngre zërin kundër mizorive naziste, por vetë ipeshkvijtë
nuk i botuan nga frika se mos u bënin më keq të persekutuarve. Pastaj tregon se Papa
e kishte mirë parasysh si rrezikun që vinte nga komunizmi, ashtu edhe rrezikun që
vinte nga nazizmi, por në atë moment historik shihte nazizmin si problem kryesor.
“Duan të shkatërrojnë Kishën e ta shtypin si hardhucën – thoshte. Për Papën nuk do
të ketë vend në Evropën e re. Thonë se duhet të shkoj në Amerikë. Por unë nuk kam
frikë e do të qëndroj këtu”. Piu XII u përpoq të kontaktojë vetë Hitlerin e më
vonë Ripentropin, por pa rezultat. Megjithatë, të gjitha kongregatat rregulltare e
shkollat katolike kishin bekimin e tij për çdo civil, apo hebre të shpëtuar nga kthetrat
e nazistëve. Në rastin e familjes Lihtner, fshehur në Abruco të Italisë, Vatikani
ndërhyri pranë shtetit italian, me anë të Nunciaturës apostolike, siç dëshmohet nga
dokumenti i Ministrisë së Jashtme Italiane, botuar në librin e Xhuzepe Perrit, “Rasti
Lihtner”. Dëshmi tjetër e qartë në favor të Piut XII është ajo e Kryerabinit hebraik
të Romës në atë kohë, Xoli, i fshehur në një familje punëtorësh, gjatë pushtimit gjerman.
Kur përfundoi lufta, ai u kthye në fenë katolike e mori emrin Eugjenio, pikërisht
që ta falenderonte Papën Eugjenio Paçeli për ndihmën e dhënë hebrenjve.