2010-02-01 15:16:19

Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot: dashuria, udhë e përkryer. Lutja për të sëmurët nga gërbula e për paqen në Tokën e Shenjtë


(01.2.2010 RV)Udha e përkryer e krishterë është dashuria, sepse esenca e vet Zotit është dashuria: kështu tha dje Papa gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot duke u folur shtegtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Ati i Shenjtë Benedikti XVI komentoi himnin e dashurisë nga letra e parë e Shën Palit drejtuar Korintianëve, propozuar dje nga liturgjia e Fjalës. Ky himn, tha Papa, është “një ndër faqet më të bukura të Besëlidhjes së Re e të tërë Biblës”, në cilën na tregohet “udha” e përkryer e jetës së krishterë. Kjo udhë “nuk qëndron në posedimin e cilësive të jashtëzakonshme si: të flasësh gjuhë të reja, të njohësh të gjitha misteret; të kesh fe që bën mrekulli apo të bësh gjeste heroike. Këtë udhë e gjejmë në dashuri - agape - që do të thotë në dashurinë autentike, atë që Zoti na ka dëftuar në Jezu Krishtin”.
“ Dashuria është dhurata ‘më e madhe’, që i jep vlerë të gjitha dhuratave tjera, e megjithëkëtë ajo ‘nuk krenohet, nuk mbahet me të madh, por i ‘gëzohet të vërtetës’ e të mirës së tjerëve. Kush don më të vërtet ‘nuk e kërkon interesin e vet’, ‘nuk e mban mend të keqen’, ‘arsyeton gjithçka’, ‘beson gjithçka’, ‘shpreson gjithçka’, ‘duron gjithçka’ (krh. 1Kor 13,4-7). Në fund, kur do të takohemi sy më sy me Zotin, të gjitha dhuratat tjera nuk do të kenë vlerë; e vetmja që do të mbetet në amshim do të jetë dashuria, sepse Zoti është dashuri e ne do të jemi të ngjashëm me Të, në bashkim të përsosur me Të”.
“Dashuria - nënvizoi Papa - është shenja dalluese e të krishterit. Është sintezë e tërë jetës së tij: e asaj që beson dhe e asaj që bën”. E për këtë - ripohoi Benedikti XVI - desha t’ia kushtoja Enciklikën time të parë pikërisht temës së dashurisë: “Deus caritas est”:
“Dashuria është thelbi i vet Zotit, është kuptimi i krijimit dhe i historisë, është dritë që i jep mirësi e bukuri ekzistencës së çdo njeriu. Në të njëjtën kohë, dashuri është, për tu shpreh kështu, ‘stil’ i Hyjit dhe i njeriut besimtar, është sjellje e atij që, duke iu përgjigjur dashurisë së Zotit, jetën personale e organizon dhe e jeton si dhuratë e vetes për Hyjin e për të afërmin. Në Jezu Krishtin këto dy elemente formojnë njësinë e përsosur: Ai është Dashuri e mishëruar”.
Në vazhdim Papa kujtoi se dje u kremtua festa e Shën Gjon Boskos, pajtorit të të rinjve. Edhe ai si shenjtorët tjerë, është “himn i vërtetë i dashurisë”:
“Në këtë Vit Meshtarak dua të lutem për ndërmjetësimin e tij për meshtarët që të jenë gjithmonë edukatorë e prindër për të rinjtë; e duke përjetuar këtë dashuri baritore, shumë të rinj ta pranojnë thirrjen Hyjnore për ta dhuruar jetën e tyre për Krishtin e për Ungjillin. Zoja e Bekuar Ndihmëtare, shembull dashurie, na i plotësoftë këto hire e bekime Hyjnore”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot Benedikti XVI kujtoi edhe Ditën Botërore të të Sëmurve nga Gërbula e kujtoi atë Damiano de Veuster, që e dha jetën për këta vëllezër e motra, e të cilin e shpalli shenjt në tetorin e kaluar:
“Mbrojtjes së tij qiellore ia besoj të gjithë njerëzit që mjerisht ende sot vuajnë për shkak të kësaj sëmundjeje, si dhe punëtorët e shëndetësisë e vullnetarët që punojnë për një botë pa gërbulë. Në mënyrë të posaçme përshëndes Shoqatën Italiane ‘Miq të Raoul Follereau”.
E në vijim Papa u bashkua shpirtërisht me shumë të krishterë në të gjitha viset e botës, që dje në Ditën e dytë të Lutjes për Paqen në Tokën e Shenjtë, iu lutën Zotit për pajtimin në vendet e Jezusit.
Pastaj, duke iu referuar krizës ekonomike që është duke shkaktuar humbje të mëdha të vendeve të punës, uroi dhe kërkoi nga të gjithë: sipërmarrës, punëtorë, qeveritarë të tregojnë përgjegjësi të madhe e të punojnë për kapërcimin e kësaj krize të thellë ekonomike e papunësie që prek shumë individë e familje:
“Mendoj në disa realitete të vështira në Itali, si për shembull, Termini Imerese e Portovesme; i bashkohem thirrjes së Konferencës Ipeshkvnore Italiane, e cila inkurajon të punohet e të bëhet gjithçka është e mundur për të mbrojtur e rritur punësimin e njerëzve, duke siguruar një punë dinjitoze e të përshtatshme për mbajtjen e familjeve”.

Në mbarim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, dy të ri të shoqatës kishtare të Veprimit katolikë, që morën pjesë në Karvanin e përvitshëm të paqes, dolën së bashku me Papën në dritare të studios së tij nga ku lexuan një mesazh të shkurt e pastaj së bashku me Benediktin XVI liruan në ajër pëllumbat e paqes mes duartrokitjeve të shtegtareve e besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.