2010-01-30 12:40:41

Si mund të afrohen njerëzit tek Krishti përmes botës dixhitale. Intervistë me koordinatorin e "Pope2you".


Mesazhi i Benediktit XVI për Ditën Botërore të Komunikimeve u prit me entuziazëm edhe nga vetë meshtarët, të cilët prej kohësh janë të impenjuar në ungjillëzimin përmes internetit. Njëri prej tyre është don Paolo Padrini, koordinator i projektit “Pope2you” në Këshillin Papnor për Komunikimet Shoqërore. Të dëgjojmë mendimin e tij për Mesazhin e Papës:RealAudioMP3
E prisja, si shumë meshtarë. Jam shumë, shumë i kënaqur për këtë mesazh e duhet të them se nuk mund të mos lidhet me atë të vitit të kaluar – drejtuar të rinjve – në të cilin Papa pati bërë një seri propozimesh, të bazuara, jo te lehta, por të guximshme. Ai na shtyn drejt përdorimit të vetëdijshëm të internetit e në fjalët që thotë, fshihen nxitje të mëdha.
Don Paolo, ç’do të thotë të shpallësh Ungjillin në internet? Ju çfarë keni mësuar nga përvoja e arritur?
Kam mësuar një gjë shumë të rëndësishme: sa shumë predikimi i Ungjillit do të thotë në thelb të shpallësh praninë e Krishtit në mesin e njerëzve. Është Zoti që na vjen në mënyra të ndryshme. Pa dyshim, është prania sakramentore, por është edhe një prani, që realizohet përmes takimit me të krishterin, që është dëshmitar i Jezu Krishtit. Rrjeti ka shumë nevojë për dëshmitarë, që t’ua ngjisin të tjerëve lumturinë dhe dëshirën për ta shpallur Ungjillin konkretisht. Rrjeti nxit miqësitë, gjërat konkrete, e në të krishterët jemi të thirrur, ndoshta providencialisht, për të qenë aty e për t’u dhënë shpirt këtyre miqësive, për t’u dhënë një fytyrë, që është ajo e Jezu Krishtit.
Don Paolo Padrini, teknikisht, praktikisht, si e përdorni internetin për punën tuaj baritore?
Do të thosha në dy linja. Sigurisht që është linja themelore, ajo që më jep më shumë kënaqësi, e takimeve të vogla të përditshme. Përmes Facebook-ut, përmes blogut që bëj për Blogsfere e përmes mjeteve të tjera, kam mundësi të takoj persona: persona që më shkruajnë, me të cilët shpesh vazhdon një reflektim e një ndihmë, që shkon përtej internetit, persona me të cilët kemi më pas kontakte telefonike. Disa herë, kam pasur mundësi të takoj persona në nevojë, që më pas janë bërë miq të vërtetë. Pastaj, është aspekti i predikimit: një fjalë e mirë, thënë me sinqeritet, u mohohet shumë vetëve, sepse, për shembull, janë larguar nga famullia. E aty, në internet, unë arrij të them një fjalë, diçka të re e interesante. E është kënaqësi të shohësh pastaj se si personat thonë: “Interesant ky diskutim, të lumtë, ke thënë gjëra të bukura”. E në atë moment, bëj batutën: “Këto i kam thënë edhe sot paradite në Meshë…” Prandaj, rrjeti mund të jetë një mjet për t’i afruar njerëzit tek Krishti.







All the contents on this site are copyrighted ©.