2010-01-30 11:52:31

Shenjtorët e Javës së ardhshme


Sot e diel 31 janar, Kisha katolike kremton të dielën e katërt të kohës së zakonshme liturgjike gjatë vitit kishtar dhe po sot me 31 janar, kalendari Kishtar përkujton Shën Gjon Boskun, meshtar, themelues i Salezianëve, atë e mësues i të rinjve dhe Shën Marçelën romake, dishepulle e Shën Jeronimit.
Festa e Shën Gjon Boskut na kujton se edhe njerëzit e kohëve tona shkandullohen e mrekullohen për Jezusin: e për ta pranuar Atë, duhet shikuar me sytë e fesë e të dashurisë, që na mësojnë se Krishti është Biri i Zotit e se prandaj vetëm kush beson në Të, e percepton të renë që Ai e Fjala e Tij Ungjillore sjell ndërmjet njerëzve.
Nesër e hënë me 1 shkurt do të kremtohet festa e shën Brigjidës, abateshë në Irlandë dhe shën Ludovikës Alberoni, vejush romake. Liturgjia e ditës na kujton se Dymbëdhjetë Apostujt, të thirrur nga Jezusi, nisin misionin e shëlbimit: predikojnë pendesën dhe mbretërinë e Hyjit, pastrojnë zemrat njerëzore nga e keqja, kujdesen për ata që vuajnë. Janë të dërguar për të dëshmuar jetën, duke u bërë shembull e model për të krishterët e të gjitha kohërave.
Të martën e ardhshme me 2 shkurt do të kremtohet Paraqitja e Krishtit në tempull, që ndër shqiptarë njihet edhe si festa e Zojës së qirave. Liturgjia e kësaj feste na çon në skenën biblike ku, të mbyllur brenda mureve të Tempullit, Simeoni e Ana, sipas Ligjit fetar të popullit Hebre, presin dritën dhe shpëtimin. Por Jezusi nuk do të kufizohet brenda mureve. Zoti do të përshkojë udhët e botës për të shpëtuar mbarë njerëzimin.
Të mërkurën me 3 shkurt kalendari Kishtar do të përkujton Shën Vlashin, ipeshkëv i Sebastës e martir, që na kujton se Zoti është bariu i çdo besimtari: kush ecën pas tij, nuk ka frikë nga askush, nuk i mungon asgjë!
Të enjten që vjen me 4 shkurt kalendari përkujton shën Eutikin, martir dhe Shën Jozefin nga Leonesa, kapuçin.
Në jetën e shenjtorëve e gjejmë Jezusin që tregon një pushtet aq të fuqishëm mbi forcat e natyrës, sa t’i nxisë dishepujt t’i bëjnë vetes pyetjen: “Kush është ky?”. Përgjigjen e gjejmë në fe, që na i hapë sytë për të kuptuar kush është në të vërtetë Jezu Krishti e për të lëvduar Zotin, që e mbajti premtimin.
Të premten e ardhshme me 5 shkurt, Kisha do të kremtojë Shën Agen, virgjër e martire; Shën Adelajden, abateshë dhe Shën Elizabeta Kanorin, nënë familjeje.
Liturgjia e festës së shenjtoreve na mëson se të gjithë ata që e preknin Jezusin, shëroheshin. E të prekësh do të thotë të jesh afër. Afërsia, formë e parë dhe themelore e marrëdhënieve me tjetrin, na kujton se edhe feja është lidhje e drejtpërdrejtë e personale me Hyjin. E ndërsa jemi në bashkim me Zotin, ai vetë na nxit t’i qëndrojmë pranë edhe të afërmit.
Të shtunën me 6 shkurt kalendari përkujton Shën Pal Mikin me shokë, martirë japonezë dhe Shën Dorotenë, virgjër e martire.
Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është kundër sjelljeve formale, dokeve e zakoneve meskine, krijuar nga traditat njerëzore, që ndryshojnë me kohë, sepse e zvogëlojnë shpirtin e njeriut. Zoti do që njeriu të ecë në rrugën e së mirës me vetëdije e liri të plotë.
Të dielën e ardhshme 7 shkurt, bie e diela e 5-të gjatë vitit kishtar e po këtë ditë kalendari përkujton edhe Shën Rikardin meshtar dhe të Lumin Piun IX, papë.
Këta na nxisin të meditojmë për revolucionin fetar që solli Jezu Krishti, i cili u kujtoi njerëzve se pastërtia fizike nuk duhet ngatërruar me pastërtinë fetare, që është pastërti e shpirtit. Është zemra ajo që duhet pastruar - vijon të na porositë Krishti.







All the contents on this site are copyrighted ©.