2010-01-30 12:41:04

Mesazhi i Papës për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore: "të ungjillëzohet interneti". Editorial i atë Lombardit: “Komunikimi si mision”


Kohët e fundit, u bë i njohur Mesazhi i Papës Benedikti XVI për Ditën e 44-t Botërore të Komunikimeve Shoqërore, që do të kremtohet më 16 maj të këtij viti. Tema e saj është “Meshtari dhe puna baritore në botën dixhitale: mediat e reja në shërbim të Fjalës së Zotit”. Të dëgjojmë për këtë, komentin e zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:RealAudioMP3
A është e mundur të takohet Zoti, Fjala e Tij, në udhëkryqet e autostradave të ngërthyera, që lënë gjurmë në hapësirën kibernetike? Sigurisht që po, por varet prej nesh. “Edhe në botën dixhitale duhet të dalë në pah se kujdesi plot dashuri i Zotit në Krishtin për ne nuk është diçka e së kaluarës, por një realitet krejtësisht konkret dhe aktual”. Mesazhi i Papës për Ditën e Komunikimeve Shoqërore është i qartë dhe inkurajues. Besimtari që hyn me entuziazëm e guxim në botën e komunikimeve shoqërore, e cila vlon çdo ditë nga risi teknologjike të mahnitshme, nga i-podi tek i-phone e tek i-padi, duhet ta dijë mirë cili është qëllimi që e udhëheq, për të mos mbetur në rrjetin magjepsës të mjetit, duke humbur kështu rrugën. E qëllimi është takimi me Zotin, kuptimi i fundmë i marrëdhënieve të dialogut, miqësisë dhe shkëmbimit, që rrjeti i bën sot të mundura. Sepse kurthet që stërpikin rrugët e hapësirës kibernetike janë të panumërta, nga marrëdhëniet e përcipta tek falsiteti e deri tek perversioni, por ka edhe shumë shtegtarë në kërkim të miqësisë, të së vërtetës e të së mirës. Papa i kthehet imazhit të bukur, të përdorur edhe një herë tjetër, të “oborrit të paganëve” në tempullin e Jeruzalemit, i hapur edhe për ata që nuk e njihnin akoma Zotin, por që kultivonin dëshirën e absolutes e të vërtetave që nuk u kalon koha. Të hyjmë pra, me entuziazëm e me kreativitet, me guxim e kujdes, në kontinentin dixhital, për të zbuluar e për të treguar edhe këtu shenjat e pranisë së Zotit, të dashurisë së Tij për të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.