2010-01-30 11:52:44

Me 31 janar Kisha kujton Shën Gjon Boskun, themelues i Salezianëve, atë dhe mësues i të rinjve.


(31.01.2010 RV)Gjon Bosku është shenjt i madh i kohëve moderne, pajtori i studentëve e i botuesve, meshtar torinez, i lindur në vitin 1841. Shenjti kujtohet si krijues i Oratorëve, vend takimi e dëfrimi për të rinjtë, edukimit të të cilëve Shenjti ia kushtoi gjithë jetën, dhe si themelues i vëllezërve Salezianë dhe i motrave Saleziane. Don Bosku vdiq më 31 janar 1888 dhe u kanonizua nga Papa Piu XI në vitin 1934.
Festa e tij u kremtua kudo kryejnë misionin familjet saleziane, por kremtimet kryesore u mbajtën në Torino.
Kujtojmë se familja rregulltare Saleziane është e pranishme ndër shqiptarë: Shqipëri që në vitet ’30 e pas ndërprerjes gjatë periudhës komuniste, në vitin 1992 rregulltarët u rikthyen menjëherë, për të ngritur oratorët e tyre në Tiranë e në Shkodër, në sa prej vitesh vijojnë misionin edhe në Prishtinë të Kosovës e në Podgoricë të Malit të Zi.

Të guximshëm në shpalljen e Ungjillit dhe të duruar me të rinjtë. Veçoritë e Salezianëve, që vuri në dukje Ati i Shenjtë në audiencë me ta me 31 mars 2008 në Vatikan
Papa Benedikti XVI priti sot 31 mars 2008 në audiencë ne Vatikan anëtarët e Kapitullit të përgjithshëm të Salezianëve. Të jeni të guximshëm në shpalljen e Ungjillit dhe të keni durim në punën me të rinjtë. Këto janë veçoritë e shërbimit të salezianëve, që vuri në dukje Ati i Shenjtë për ndjekësit e shën Gjon Boskut.
Të rinjtë e shohin botën që ndryshon me shpejtësi, duke shtruar para të rriturve probleme etike, kulturore, ambientale të rëndësishme, që tregojnë se ata vetë kanë vlera të shëndosha. Salezianët duhet të jenë në gjendje t’i kuptojnë aspiratat e tyre e të gjejnë përgjigje, që i kanë rrënjët në mesazhin e Jezusit e në thirrjen e veçantë të Shoqërisë së don Boskut:
“Don Bosku deshi që vazhdimësia e karizmës së tij në Kishë të sigurohej nga jeta e shuguruar. Edhe sot lëvizja saleziane mund të rritet në besnikërinë ndaj thirrjes së saj vetëm nëse në qendër të bashkësisë vazhdon të mbetet një bërthamë e fortë jetësore personash të shuguruar. Prandaj, për të forcuar identitetin e krejt Kongregatës, impenjimi juaj i parë duhet të jetë forcimi i thirrjes së çdo saleziani për të jetuar plotësisht besnikërinë e thirrjes së tij për jetën e shuguruar”.
Është e nevojshme, sipas Papës, që të gjithë rregulltarët të marrin një formim të nivelit të lartë, para se të merren më pas me edukimin e brezit të ri. Për t’i bërë ballë shekullarizimit të kulturës, që nuk kursen as personat e shuguruar, theksoi Benedikti XVI, duhet një pjesëmarrje e përhershme në Eukaristinë e përditshme e komunitare, në lectio divina, në jetën e thjeshtë, të varfër e të rregullt të bashkësisë:
“Prej këtej lind vërtetësia shpirtërore e përkushtimit apostolik dhe e bashkësisë kishtare. Besnikëria ndaj Ungjillit, i jetuar fjalë për fjalë, dhe ndaj Rregullës suaj, në veçanti jeta rigoroze dhe varfëria ungjillore, e praktikuar në mënyrë koherente, dashuria besnike ndaj Kishës dhe dhurimi bujar i vetvetes për të rinjtë, sidomos për më nevojtarët, do të jenë garancia e lulëzimit të Kongregatës suaj”.
Ky model apostolik i salezianëve mund t’i përgjigjet asaj “emergjence të madhe edukative”, që Benedikti XVI vë në dukje edhe në Letrën dërguar Dioqezës së Romës mbi këtë temë. “Të edukosh nuk është e thjeshtë – përsëriti Ati i Shenjtë – e sot duket se bëhet gjithnjë e më e vështirë: prandaj jo pak prindër e mësues ndjejnë tundimin për të hequr dorë nga detyra e tyre, e nuk arrijnë as ta kuptojnë se cili është në të vërtetë, misioni që u është besuar atyre”. Fatkeqësisht, shpjegoi Papa, arsyeja qëndron në mungesën e shpresës:
“Pikërisht prej këndej lind ndoshta vështirësia më e madhe për të kryer një vepër të vërtetë edukative: në bazë të krizës së edukimit qëndron në fakt kriza e besimit ndaj jetës, që në fund të fundit, nuk është tjetër veçse mosbesim në atë Zot që na ka thirrur në jetë. Në edukimin e të rinjve, është jashtëzakonisht e rëndësishme që familja të jetë subjekt aktiv. Ajo është shpesh në vështirësi në përballimin e sfidave të edukimit; shpesh nuk është në gjendje të japë mbështetjen e saj specifike, ose mungon krejtësisht. Impenjimi në favor të të rinjve, karakteristikë për thirrjen e Don Boskut, duhet të përkthehet në impenjimin e njëjtë për përfshirjen dhe formimin e familjeve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.