2010-01-30 09:47:12

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të gjatë vitit kishtar “C”


(30.1.2010 RV)Asnjë profet nuk është i pranuar në atdheun e vet, po Krishti na bindë me dashuri e jo me mrekulli!
Dëgjues të nderuar ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 4-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Leximet biblike të dielës së 4-të gjatë vitit na propozojnë temën e fortë të “profecisë”. Jezu Krishti është profeti i vërtetë që kumton dhe realizon shpëtimin e Zotit në të gjithë e për të gjithë ata njerëz që e dëgjojnë me dashuri dhe e ndjekin konkretisht në udhën e jetës.
Jezu Krishti është më shumë se një profet. Ai jo vetëm që fol në emër të Zotit, por është vet Zoti që flet përmes Tij. Në sinagogën e Nazaretit, sikur do të dëgjojmë nga pjesa ungjillore e kësaj së diele nga Luka (Lk 12,31-13,13), del në pah ‘pretendimi’ i Tij prej profeti: Jezusi paraqitet dhe shfaqet porsi Ai në të cilin profecitë e vjetragjejnë plotësim. Ungjilli i kësaj së diele tregon për reagimet e ndryshme të njerëzve, madje të banorëve bashkëvendas ndaj Jezusit. Herë herë janë reagime të dhunshme, herë tjera reagime refuzimi, që nuk duan të njohin në Të praninë e Zotit, vet Zotin.
Banorët e Nazaretit e refuzojnë dhe kundërshtojnë Jezusin. Edhe sot, ka njerëz që e refuzojnë e ka njerëz që janë të tërhequr e të mahnitur nga Ai. Para personit të Jezu Krishtit Zoti kemi reagime të ndryshme e të kundërta: nga mrekullimi tek indinjata. Ungjilli i kësaj së diele na pyet edhe ne: çfarë kërkojmë ne nga Krishtit Zot?! Të bëj mrekullina edhe në jetën tonë, siç kërkonin banorët e Nazaretit, duam që planet e Zotit ti përshtaten dëshirave e synimeve tona. Jezusi flet për Hyjin Atë që përkujdesët për lumturinë e vërtetë të çdo njeriu dhe na propozon udhën e jetës, udhën e Ungjillit përmes së cilës ne mund të bëhemi e të jemi krishterë të vërtetë, do të thotë bartës të dashurisë.
Krishti nuk don të na mrekulloi por të na shpëtoi. Krishti na bindë me anë të dashurisë e jo të mrekullisë, për këtë na tregon e ofron udhë e mundishme të Kryqit që është udhë e dashurisë së vërtetë, udhë e lumturisë së vërtetë. Realizimi i jetës dhe shpëtimi varën nga përcaktimeve e zgjedhjet që bëjmë në jetën para planit të Zotit.
Hyji nuk është indiferent ndaj historisë njerëzore, madje ka dëshirë të vërë në jetë planin e harmonisë dhe të paqes. Për ta përmbushur këtë plan mbarë njerëzimi është i thirrur të bashkëpunojë me vullnetin shëlbues hyjnor, një vullnet që shtrihet mbi të gjithë njerëzit, mbi të gjitha breznitë e mbi të gjithë shekujt.
Ti dëgjojmë leximet biblike e pastaj komentin nga dom Arian Shkurti..........RealAudioMP3

Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Jer 1, 4-5.17-19

Gjatë periudhës tragjike të rënies së mbretërisë së Judës, Hyji thërret një njeri paqësor të quajtur Jeremia dhe i beson detyrën të denoncojë nga ana e Zotit një shoqëri të korruptuar. Jeremia mëson se jeta e tij do të jetë një luftë e vazhdueshme kundër të fuqishmëve. Ai do të ketë guximin për tu rezistuar gënjeshtrave dhe për të refuzuar hipokrizinë dhe do të vërë në dyshim iluzionet dhe siguritë e rreme të njerëzve të kohës së tij.


Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Fjalët e Jeremisë, birit të Helcisë, një prifti që banonte në Anatot, në dheun e Beniaminit. Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha: “Para se të trajtoja në kraharorin amënor, të njoha e, para se të dilje nga gjiri amënor, të shenjtërova, të caktova të jesh profet i të gjithë popujve.
Prandaj ngjeshi ijët e tua! Në këmbë, pra! Thuaju të gjitha që unë po të urdhëroj. Aspak mos u tremb para tyre, përndryshe do të të bëj që të dridhesh para tyre!
Ja, unë sot ty po të bëj qytet të fortifikuar, shtyllë hekuri, mur tumbaku përballë të gjithë vendit, përballë mbretërve të Judës e princave të tij, priftërinjve të tij e popullit të vendit. Ata do të luftojnë kundër teje, por s’do të ngadhënjejnë mbi ty, sepse unë jam me ty, që të të shpëtoj”, thotë Zoti.
Fjala e Zotit.


Psalmi 71

Goja ime do ta shpallë drejtësinë tënde
----------
Në ndoren tënde, o Zot,
askurrë mos u turpërofsha.
Më shpëto e më dil zot pashë
drejtësinë tënde,
prire mbi mua veshin tënd e më shëlbo!
----------
Ji për mua shkëmb mbrojtjeje,
kullë e pamposhtur për të më shpëtuar,
sepse ti je kështjella ime e strehimi im,
Hyji im, më shpëto prej dorës së mëkatarit.
----------
Sepse ti, o Zot, je shpresa ime,
uzdaja ime, o Zot, qysh prej rinisë sime.
Në ty jam mbështetur
qysh prej kraharorit të nënës,
qysh prej prehrit të nënës
ti je mbrojtësi im.
----------
Do ta shpall pushtetin e Zotit,
o Zot, do të kujtoj vetëm drejtësinë tënde.
Ti më ke mësuar, o Hyj, qysh prej rinisë sime dhe ende sot i kumtoj mrekullitë e tua.
----------

Leximi i dytë 1 Kor 12, 31 – 13, 13

Pali Apostull në të gjitha ngjarjet e tij misionare ka qenë dëshmitar i dashurisë së Hyjit. Në këtë pjesë Ai i këndon kësaj dashurie.
Është një dhuratë që i tejkalon të gjitha të tjerat. Është dashuria që zbret nga Hyji, që përqafon të gjitha krijesat dhe është virtyti më i madh. Kush e pranon dashurinë jeton tashmë në jetën hyjnore.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve

Dhe, ja, po ju dëftoj më të shkëlqyeshmen udhë! Po t’i folja gjuhët e njerëzve e të engjëjve, por të mos kisha dashurinë, do të isha porsi bronzi që kumbon e porsi cimbali që tingëllon! Po ta kisha dhuratën e profecisë e t’i dija të gjitha misteret e të gjitha dituritë; po ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën të mund t’u shndërroja vend maleve, por po të më mungonte dashuria, s’do të isha asgjë! Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time dhe po ta jepja trupin tim të digjej, por, po të më mungonte dashuria, nuk do të më vlente asgjë!
Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme, nuk ka smirë, nuk është mendjemadhe, nuk krenohet, nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban mend të keqen, nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës. Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka. Dashuria nuk mbaron kurrë. Profecitë mbarojnë, gjuhët shuajnë, njohuritë marrin fund. Sepse njohuria jonë është e kufizuar dhe e kufizuar është profecia jonë. Por, kur të arrijë përsosmëria, çka është e kufizuar do të marrë fund. Kur isha fëmijë folja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë. Kur u bëra njeri i pjekur, flaka çka i përket fëmijërisë. Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë e në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe-faqas! Tani njohuria ime është e kufizuar, atëherë do të njoh plotësisht, sikurse jam i njohur.
Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria – këto të tria – porse më e madhja ndër to është dashuria.
Fjala e Zotit.



† Ungjilli Lk 4, 21-30

Luka vendos në gojën e Jezusit një ligjëratë të vërtetë të programit të tij, që zbulon idenë themelore të Ungjillit të Lukës: shpëtimi i dhuruar më parë hebrenjve duhet të shpërndahet në të gjitha vendet.
Banorët e Nazaretit kundërshtojnë fjalët e Jezusit, sepse prisnin nga Ai jo shpalljen e një angazhimi për çlirim, por shenja të ndjeshme të fuqisë së tij, pra mrekulli.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi mori fjalën në sinagogë dhe tha: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjt që e dëgjuat me veshë tuaj.” Të gjithë e miratonin dhe u mrekullonin për fjalët e bukura që dilnin prej gojës së tij. Thoshin: “Vallë, a nuk është ky biri i Jozefit?”
Atëherë u tha: “Me siguri do të ma thoni atë fjalë: ‘Mjek, shëro veten! Gjithçka bëre, si dëgjuam, në Kafarnaum, bëj edhe këtu, në vendin tënd!’ Për të vërtetë po ju them – vazhdoi – asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet. Për të vërtetë, prapë po ju them: në kohën e Elisë profet, kur qielli u ndry për tri vjet e gjashtë muaj dhe u bë uri e madhe në mbarë dheun, ishin shumë vejusha në Izrael, dhe te asnjëra ndër to nuk u dërgua Elia, përveç te vejusha në Sareptë të Sidonisë. Në kohën e Elizeut profet kishte shumë të gërbulur në Izrael dhe asnjë prej tyre nuk u pastrua përveç Naamanit Sirian.”
Këto fjalë i mbushën me zemërim të gjithë ata që ishin në sinagogë. U çuan në këmbë, e qitën jashtë qytetit, e çuan në buzë të malit, mbi të cilin është i ndërtuar qyteti i tyre, për t’ia thyer qafën në greminë. Por ai kaloi përmes tyre dhe vijoi rrugën e vet.
Fjala e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.