Sot me 29 janar, kalendari Kishtar përkujton Shën Kostancin, ipeshkëv i Perugjës.
(29.01.2010 RV)Martiriologu Jeronimian e kujton më 29 janar. Sipas gojëdhënës,
nga e cila kemi katër variante, Kostanci u arrestua dhe u hoq zvarrë para konsullit
Luçio gjatë persekutimit të Antoninit. Pasi u rrah mizorisht me kamxhik, u mbyll
së bashku me disa shokë në një furrë të madhe të ndezur, prej nga doli mrekullisht
i paprekur. U flak rishtas në burg, ku me sjelljen e tij shembullore, ia doli t’i
kthejë në fenë e Krishtit rojet, që e ndihmuan të ikte. U strehua në shtëpinë
e një farë Anastasi, edhe ky i krishterë, por u arrestua përsëri. U martirizua pranë
Kishës së Trivios, në zonën e Folinjos, ku shërbente. Kisha u shemb rreth vitit 1527,
po fusha ku derdhi gjakun për Krishtin vijon t’ia ruajë emrin. Quhet edhe sot e kësaj
dite ‘Fusha e Shën Kostancit’. Pas martirizimit, reliket e shenjtit u mbartën në
Perugja e u varrosën në vendin mbi të cilën më pas u ngrit katedralja e qytetit italian.