2010-01-29 15:46:23

Benedikti XVI para Gjykatës kishtare “Rota Romana”: shpallja e martesave të pavlefshme për t’u bërë qejfin bashkëshortëve nuk është shërbim i mirë për drejtësinë dhe të vërtetën


(29.01.2010 RV)Shpallja e martesave të pavlefshme vetëm për t’u bërë qejfin bashkëshortëve, pa marrë parasysh se janë Sakrament i Shenjtë, do të thotë instrumentalizim i së vërtetës dhe i drejtësisë dhe është shfaqja e një ndjenje të gabuar bamirësie. Nuk kishte si t’u fliste më qartë se kaq Papa Benedikti XVI anëtarëve të Gjykatës kishtare “Rota Romana”, të cilët i priti sot në audiencë, me rastin e fillimit të Vitit Gjyqësor.
Martesa, theksoi Ati i Shenjtë, është e favorizuar nga e drejta kishtare, e shtoi:
“Prandaj, në rast dyshimi, ajo duhet të mbetet e vlefshme derisa të mos provohet e kundërta. Përndryshe, rrezikojmë të mbetemi pa një pikë referimi objektive për të shpallur anullimin, duke e shndërruar kështu, çdo vështirësi mes bashkëshortëve në një simptomë të mungesës së bashkimit ndërmjet tyre, bërthama thelbësore e të cilit – lidhja e pazgjidhshme – faktikisht mohohet”.
Benedikti XVI reflektoi mbi marrëdhëniet ndërmjet drejtësisë, bamirësisë e së vërtetës, duke u nisur nga Enciklika e tij e fundit “Caritas in Veritate”. Ekziston një prirje shumë e përhapur – theksoi Papa – për t’ia kundërvënë drejtësinë bamirësisë, sikur njëra të përjashtonte tjetrën:
“Në këtë linjë, duke iu referuar veçanërisht jetës së Kishës, disa mendojnë se bamirësia pastorale mund të justifikojë çdo hap drejt pavlefshmërisë së lidhjes martesore, për të ndihmuar personat që ndodhen në një situatë të parregullt. Vetë e vërteta, megjithëse flitet për të me fjalë të bukura, mund të shihet kështu në këndvështrimin instrumental, i cili ia përshtat sipas rastit kërkesave të ndryshme që paraqiten”.
Në bazën e kësaj mënyre të gabuar veprimi, kritikoi Ati i Shenjtë, është një mentalitet, i pranishëm edhe në Kishë, që nganjëherë e nënvleftëson të Drejtën Kanonike, sikur ajo të ishte një mjet i thjeshtë teknik në shërbim të çfarëdolloj interesi subjektiv, edhe të atyre që nuk bazohen në të vërtetën. Vetëm nëse drejtësia dhe e vërteta mbi martesën kuptohen si duhet, nënvizoi Papa, është e mundur të gjendet vendi i bamirësisë në gjykim. Veprimtaria e gjykatësve nuk mund të mos e përmbajë edhe bamirësinë, duke filluar që nga respektimi i kohëve të gjykimit. Ati i Shenjtë citoi nenin 72 të Rregullores “Dignitas Connubii”, sipas të cilit, të gjitha çështjet nuk duhet të zgjaten më shumë se një vit në gjykatën e shkallës së parë dhe, jo më shumë se gjashtë muaj në atë të shkallës së dytë:
“Njëkohësisht, është e rëndësishme të veprohet faktikisht sa herë që shihet shpresa e përfundimit të mirë të çështjes, për t’i shtyrë bashkëshortët të ripohojnë martesën e të rifillojnë bashkëjetesën bashkëshortore. Gjithashtu, nuk duhet lënë mënjanë përpjekja për të krijuar një atmosferë disponibiliteti njerëzor e të krishterë mes palëve, bazuar në kërkimin e së vërtetës”.
Më pas, Papa Racinger u ndal në një gabim tjetër të mundshëm. Nganjëherë, denoncoi Ati i Shenjtë, nxitet shpallja e martesës si e pavlefshme, për t’u lejuar bashkëshortëve të marrin kështu pjesë në Sakramentet e Pendimit e të Eukaristisë:
“E mira e jashtëzakonshme e ripranimit në Kungimin eukaristik pas pajtimit sakramentor kërkon të konsiderohet e mira e personave e pandarë nga e vërteta mbi gjendjen e tyre kanonike. Do të ishte një e mirë e rreme dhe një mungesë e rëndë drejtësie e dashurie rrafshimi i rrugës drejt marrjes së sakramenteve, me rrezikun që bashkëshortët të jetojnë në kundërshtim objektiv me të vërtetën e gjendjes së tyre personale”.
E Benedikti XVI përfundoi, duke theksuar sërish se drejtësia dhe bamirësia varen nga dashuria për të vërtetën dhe kërkojnë që kjo e vërtetë të dalë në pah:
“Pa të vërtetën, bamirësia bie në sentimentalizëm. Dashuria bëhet një guackë bosh, që mund të mbushet arbitrarisht. Është rreziku fatal i dashurisë në një kulturë pa të vërtetën. Dashuria bëhet kështu pre e emocioneve dhe e opinioneve subjektive, një fjalë e abuzuar dhe e shtrembëruar, aq sa të marrë domethënien e kundërt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.