2010-01-29 17:49:03

BE: alarm për papunësinë. Imzot Milio: të ndryshojmë modelin e zhvillimit


(29.01.2010 RV)Alarm në Evropë për papunësinë. Sipas Eurostatit, personat pa punë e kanë kaluar numrin 23 milion. Vendi me më tepër probleme në këtë drejtim, brenda Bashkimit Evropian, është Spanja. Fenomeni është i përgjithshëm për krejt botën. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, është tejkaluar kuota rekord prej 212 milion të papunësh. Mbi këto shifra të dëgjojmë opinionin e presidentit të Komisionit të Konferencës Ipeshkvnore Italiane për problemet shoqërore dhe për punën, imzot Arrigo Milio:
Tashmë të gjithë e kanë kuptuar se nuk mund të arsyetojmë mbi këto probleme vetëm në nivel kombëtar. Ndoshta jo të gjithë e kuptojnë se as niveli evropian nuk është i mjaftueshëm. Është globalizimi ai që duhet mbajtur parasysh si për vendet e veçanta, ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Enciklika e Papës “Caritas in Veritate” e thotë qartë këtë. Konfrontimi është global e mbi të rëndon veprimtaria e 5 vendeve që po zhvillohen me shpejtësi. “Caritas in Veritate” shprehet qartë edhe për atë që thoshte – mendoni - 40 vjet më parë, Papa Pali VI: të rishikojmë modelin e zhvillimit. Kjo do të thotë të ndryshojmë stilin e jetesës, nivelin e jetës. Kam përshtypjen se mbi këto tema njerëzit e kanë të vështirë të reflektojnë e të gjithë shpresojnë të kalojë kriza e gjithçka të kthehet si më parë. Por, kjo nuk është e mundur.







All the contents on this site are copyrighted ©.