2010-01-28 14:01:42

Çelësi i fjalëve të Kishës: përse Zoti e mbron Kainin?


(28.01.2010 RV)RealAudioMP3 Të dashur dëgjues, jo më larg se dje, bota kremtoi Ditën e Kujtesës, për të mos harruar shfarosjen e hebrenjve nga nazistët, dhe të gjitha genocidet në rrjedhë shekujsh. Dimë se të persekutuarit janë të Lumë për Zotin, por si sillet Hyji me persekutuesit? Në Bibël, në Librin e Zanafillës, Hyji e mbron Kainin, i cili vret qëllimisht të vëllanë. Cila është e mira që mund të vijë nga sjellja e Kainit? Kësaj pyetjeje do të përpiqemi t’i përgjigjemi sonte.

Zoti është drejtësi e njëkohësisht edhe mëshirë: njëra nuk mund të kuptohet pa tjetrën. Është drejtësi e nuk mund ta lerë pa e dënuar krimin: “Çka bëre?! Zëri i gjakut të vëllait tënd bërtet tek unë prej dheut” (Zn 4,10). Kaini dënohet të jetë gjithë jetën endacak dhe rravgues. Por Zoti është edhe mëshirë, prandaj ndalon ashpër që ndokush ta prekë Kainin e ta vrasë. Vë një shenjë mbi të “që të mos e vrasë askush që do ta gjente” (Zn 4,15). Mesazhi është i qartë: nuk zhduket e keqja me një të keqe tjetër, një vrasje me një vrasje tjetër. Pra, “Zoti e nxjerr të mirën nga e keqja”, por kjo shprehje duhet interpretuar drejt, për të shmangur justifikimet e atyre që bëjnë keq. E keqja është e keqe dhe e tillë mbetet, nga e keqja nuk vjen asnjë e mirë. Por, është e nevojshme të dalim nga spiralja e dhunës e kjo bëhet vetëm duke bërë mirë. Këtu qëndron origjinaliteti i mesazhit të krishterë.
Zoti, që na u zbulua përmes Jezusit të Nazaretit, dënon çdo të keqe dhe shpall se faza e fundit e mbretërisë së vet do të përkojë me zhdukjen e plotë të së keqes, të vuajtjes e të vetë vdekjes. Faza e ndërmjetme e historisë, nga e tashmja tek e ardhmja, është koha e zgjedhjes ndërmjet së mirës e së keqes, ndërmjet dritës dhe errësirës, egjrës dhe grurit. Zoti e urren të keqen, por e do mëkatarin dhe atij i jep kohën e hapësirën për t'u kthyer në rrugën e së mirës, pra në rrugën e vetë Hyjit: vetëm Ai është i mirë e burim i së mirës. Ky është origjinaliteti i moralit të krishterë e për këtë arsye, ai dallohet nga çdo lloj morali tjetër, që mund ta kritikojë të keqen, por nuk tregon se si mund të kapërcehet ajo. Interesante janë fjalët e filozofit francez Pol Rikër për këtë: “Etika vë në kontradiktë predikatin e keq me predikatin e mirë, duke dënuar të keqen, ia vë fajin lirisë. Feja nuk shkon në atë drejtim, zanafilla e së keqes nuk përbën problem për të, është fundi i së keqes që e shqetëson. Feja justifikon njeriun që e ka lënë pas të keqen e është kthyer në rrugë të drejtë… por nuk e justifikon puritanin e paaftë të kalojë nga dënimi tek mëshira, që mbetet brenda kufijve të etikës, pa hyrë në Mbretërinë që vjen”. Dënimi i së keqes, apo i mëkatit, është i qartë dhe mund ta kuptojë edhe arsyeja e thjeshtë; feja shkon përtej, pasi nuk është vetëm denoncim, por edhe shëlbim e fund i së keqes.
Fatkeqësisht, edhe në bashkësinë e krishterë, vihet re prirja për të denoncuar ose për të mos u pajtuar me të keqen, pa e kapërcyer atë përmes një rruge a një gjesti që ta shndërrojë të keqen në të mirë. Kështu, e keqja (mëkati), individuale apo kolektive, nuk mund të shëlbehet. Mesazhi i krishterë është shpresëdhënës, sepse pikërisht pas dënimit pa kushte të së keqes individuale ose shoqërore, vjen gjithmonë premtimi për shpëtim e çlirim, që vepron në të tashmen historike, por që do të plotësohet krejtësisht në fundin e kohrave. Shpresa pra, nuk është thjesht pritje, por impenjim i vazhdueshëm në të tashmen e historisë për të zgjeruar kufijtë e së mirës e për të zvogëluar ato të së keqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.