2010-01-28 13:43:00

Paraqitet një libër mbi Gjon Palin II: “Pse është shenjt”


(28.01.2010 RV)Këto ditë, u paraqit në Romë, në praninë e ish-prefektit të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinal Hosé Saraiva Martins, një libër mbi Papën Gjon Pali II, ku përfshihen të dhëna të reja për Papën polak, i cili do të shpallet i Lum së shpejti nga Kisha. Titullohet “Pse është shenjt” dhe është shkruar nga postulatori i çështjes së lumnimit të Papës Vojtila, imzot Slavomir Oder dhe gazetari italian Saverio Gaeta. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese prestigjoze “Rizzoli”.
Imzot Oder e quan Gjon Palin II “ikonë e Zotit”, e ka njohur personalisht dhe tregon për të shumë episode e anekdota, flet për dokumenta të pabotuara, që zbulojnë aspekte të panjohura të jetës njerëzore, shpirtërore e kishtare të Karol Vojtilës. Po cili ishte me të vërtetë Gjon Pali II? Të dëgjojmë imzot Slavomir Oder, në mikrofonin tonë:
“Një njeri absolutisht i dashuruar me Zotin. Një njeri që e ka konceptuar krejt jetën e tij si miqësi shpirtërore me Zotin. Një njeri që e ka jetuar intensivisht këtë marrëdhënie shpirtërore, e cila, në njëfarë mënyre, është bërë edhe më e ngushtë nga fakti se që fëmijë, Gjon Pali II është privuar nga pikat e referimit të dashurisë njerëzore. Krejt intensiteti i pasurisë së tij njerëzore, pikërisht sepse ishte njeri i vërtetë, duhet kërkuar në marrëdhëniet e tij me Krishtin”.
Fama e shenjtërisë e shoqëroi Vojtilën gjatë gjithë papnisë e mëse një herë gjatë funeralit u dëgjua thirrja spontane: “Shenjt menjëherë!”. Të dëgjojmë për këtë ish-prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinalin Hosé Saraiva Martins:
“Bindjen se Papa Vojtila ishte shenjt e kam pasur gjithmonë. E njihja shumë mirë dhe përshtypja që kam pasur gjithnjë është se ishte me të vërtetë shenjt e si të gjithë shenjtorët, ishte njeri me një humanizëm të jashtëzakonshëm e të thellë. Në fakt, nuk ka dallim ndërmjet shenjtërisë e humanizmit: në fund të fundit, shenjtëria s’është tjetër, veçse plotësia e humanizmit. Shenjt është ai që e jeton plotësisht humanizmin e vet dhe Vojtila ishte njeri, në kuptimin e plotë të fjalës, e prandaj edhe shenjt”.
Në vëllimin “Përse është shenjt” janë botuar dokumente të panjohura, si për shembull, një tekst i vitit 1994, në të cilin Gjon Pali II flet për vullnetin për të hequr dorë nga detyra e tij në rast sëmundjeje të pashërueshme, që mund t’i pengonte ushtrimin e funksioneve. Një dokument tjetër është letra e hapur e Papës për atentatorin Ali Agça, që mban datën 11 shtator 1981, shkruar në polonisht dhe e papërfunduar, në fund të së cilës Ati i Shenjtë ka vënë një iks të madh. Gazetari Saverio Gaeta vë në pah sidomos aftësinë e Papës për të falur:
“Që në autoambulancë filloi t’i kërkonte Hyjit faljen për atentatorin e vet e donte ta rikonfirmonte – pas pesë muajsh – duke treguar se ai i ambulancës, shpallur më pas publikisht nga spitali Xhemeli, nuk kishte qenë një akt instiktiv dhe emotiv. Ishte një gjest i medituar dhe i vërtetë për të dokumentuar se si falja e krishterë bën pjesë në përvojën e fesë dhe të dashurisë, duke nënvizuar se si edhe një gjest kaq i tmerrshëm si atentati, nuk duhej të hapte humnera mes njerëzve, në marrëdhëniet e një personi me tjetrin, edhe pse fjala ishte për atentatorin e viktimën e tij”.
Pak para atentatit, shërbimet sekrete italiane u kishin sinjalizuar autoriteteve të Vatikanit një plan për rrëmbimin e Gjon Palit II nga ana e Brigadave të Kuqe. Në libër del në pah aspekti mistik i Papës, me agjërimin e Krezhmëve dhe me Udhën e Kryqit, çdo të premte. Postulatori zbulon edhe se ai i shkaktonte vetë dhimbje trupit të vet me një rrip të veçantë. Shenjtëria e tij shprehej pra në jetën e përditshme, me përqafimin total të Kryqit e në moton “Totus tuus”, shenjë e besimit të tij të plotë në Zojën e Bekuar. Sërish, Saverio Gaeta:
“Për Gjon Palin II, shenjtëria ishte vërtet diçka që bënte pjesë në çdo moment të jetës së përditshme, prandaj shenjtëri ishte edhe batuta e lezetshme në momentin e duhur, apo lutja në gjunjë pranë lavamanit, pasi kishte larë duart për të kremtuar Meshën, apo misticizmi aq i pastër, sa të shkëputej krejtësisht nga koha e nga ç’ndodhte përreth. Mund të themi me një batutë – të cilën e kam vënë në fillim të librit – e që e pati përdorur para një murgeshe të shqetësuar për shëndetin e tij, e cila i thoshte: “Jam e shqetësuar për Shenjtërinë Tuaj”. Papa iu përgjigj me dashuri: “Edhe unë jam i shqetësuar për shenjtërinë time”. Është një batutë simpatike, por që të bën të kuptosh se sa i qartë ishte ky shqetësim për Papën në çdo moment të ditës e në çdo situatë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.