2010-01-28 15:40:20

Obama përballë amerikanëve pranon gabimet, por nuk tërhiqet nga reformat.


(28.01.2010 RV)Presidenti Barak Obama mbajti dje në Kapitol Hill fjalimin e shumëpritur mbi gjendjen e përgjithshme në SHBA, duke u përqëndruar tek viti i fundit.
Mes tjerash presidenti deklaroi një sërë masash për të stimuluar shtresën e mesme si investime për të rinjtë, miliarda dollarë investime për trena të shpejtësisë së lartë, ndihma për familjet që mbajnë fëmijët por edhe gjyshërit, e në fund pezullimin e rrogave të majme të supermenaxherëve të administratës. Gjithashtu presidenti Obama pranoi disa gabime gjatë vitit të parë të presidencës së tij. “Kur ishte puna e krizës i jemi kushtuar më shumë Uoll Stritit sesa problemeve të njerëzve të thjeshtë.” tha Obama. Por presidenti theksoi se pavarësisht vështirësive, as që i shkon nëpërmend të heqë dorë nga reformat në shëndetësi. Kështu pas një viti qeverisjeje presidenti Obama i kërkon përsëri amerikanëve pëlqimin e tyre.
Në mikrofonin tonë flet Paolo Mastrolilo, specialist i politikës amerikane i gazetës “La Stampa”:

Përgjigje: Presidenti kishte nevojë, që t’ua bënte të ditur amerikanëve se i ka kuptuar vështirësitë e tyre, problemet, cilat janë pakënaqësitë për vitin e parë të presidencës së tij, gjë që amerikanët e shprehën qartë në votimet e fundit në Masaçusets, ku demokratët humbën një vend në senat. Por në të njëjtën kohë, sikur të kishte ndryshuar krejtësisht kurs në krahasim me një vit më parë, do të kishte krijuar përshtypjen se as ai vetë nuk beson tek programet e paraqitura gjatë zgjedhjeve presidenciale. Pra, te ky fjalim është përpjekur që të rivendosë ekulibrin. Me fjalë të tjera, nga njëra anë të pranojë gabimet e veta, kufizimet e presidencës së tij, por dhe ana tjetër të ripohojë të mirën e programeve të parashtruara dhe nevojën nga ana e politikanëve të Uashingtonit, - demokratë dhe republikanë - për të bashkëpunuar për realizimin e reformave. Këto sipas tij janë të nevojshme që mekanizmi i ekonomisë amerikane të rivihet në punë.







All the contents on this site are copyrighted ©.