2010-01-28 14:58:15

Maqedonia e kujton bijën e vet, të Lumen Nënë Terezë, manifestime kulturore kushtuar kësaj figure vigane.


(28.01.2010 RV)Të shtunën e kaluar më 23 janar, Maqedonia nisi aktivitetet përkujtimore të së Lumes shqiptare Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut, në kuadrin e Vitit Jubilar të 100 vjetorit të lindjes, me një ekspozitë pikturash në Sulihan, nën organizimin e Lëvizjes Qytetare ZGJOHU.
Nga kjo lëvizje paralajmëruan se do të ketë manifestime edhe gjatë ditëve në vijim. Kurse nga Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, premtuan se do të sponsorizohen të gjitha aktivitetet që ndërlidhen me shënimin e 100 vjetorit të ditëlindjes së nobelistes shqiptare, të Lumes Nënë Terezë.
Në këtë manifestim kulturor, morën pjesë autoritete shtetërore nga Maqedonia e Kosova, personalitete të kulturës, feve e qytetarë.
"I madh është ai komb që ka bijë e bija siç është Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Nënë Tereza, por një komb gjykohet jo aq shumë se sa njerëz të mëdhenj ka në historinë epokale të tij por nga mënyra se si sillet ndaj tyre, prandaj ‘ZGJOHU’ sot ka vendosur të nis aktivitetet për shënimin e vitit të Nënës Tereza me rastin e 100 vjetorit të lindjes së saj", tha Artan Grubi, Lëvizja Qytetare ZGJOHU.
"Sot shënohet fillimi i aktiviteteve për nder të 100 vjetorit të Nënës Tereza dhe me këtë mendoj që ne do të dëshmojmë që Nënë Tereza me origjinë është nga Shkupi, me origjinë është shqiptare dhe të gjitha tendencat për manipulim rreth origjinës së saj përfundimisht do të duhet t'u jepet fund në këtë vit jubilar. Mendoj se do të përkrahim edhe mëtej të gjitha organizatat qytetare dhe të gjitha institucionet tjera të cilat do të merren me aktivitete të këtilla dhe ne do të jemi bashkorganizatorë", deklaroi zëvendëskryeministri Abdylaqim Ademi.
Edhe mysafirët nga Kosova përshëndetën nismën e aktiviteteve për shënimin e 100 vjetorit të lindjes së figurës madhore, Nënë Terezës.
"Figura e Nënës Tereza është figure e cila kërkon një nderim të posaçëm e posaçërisht në 100 vjetorin e lindjes së saj. Unë e kam kënaqësinë që jam prezent në fillimin e këtyre aktiviteteve kulturore", tha Valton Beqiri, ministri kosovar i Kulturës.
"Pak është ta nderojmë Nënën Tereza, duhet ta duam e mbi të gjitha duhet ta imitojmë.  Dhashtë Zoti që takime të këtilla të begatojnë jo vetëm mendjen  por edhe zemrën tonë që të jemi sy, dorë dhe zemër e hapur për të kuptuar, për të dashuruar dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin", tha prifti kosovar don Lush Gjergji,Vikar i Përgjithshëm i Kishës katolike të Kosovës..
Gjatë ekspozitës me rastin e fillimit të aktiviteteve për shënimin e 100 vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, Nënës Terezë u promovua dhe një këngë kushtuar asaj nga këngëtari Selami Kolonja dhe një poezi e thurur pikërisht për jetën e Nënës Tereza. Po më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt........RealAudioMP3
 
Për Nënë Terezen janë shkruar shumë biografi. Janë realizuar edhe filma, pa kujtuar këtu mijëra shkrime kushtuar së Lumes, që kanë parë e shohin dritën e shtypit në revistat e gazetat e mbarë botës, sepse misioni i saj vijon. Vijon jo vetëm përmes veprimtarisë së mijëra motrave të saj, por edhe përmes veprimtarisë së përditshme të çdo besimtari të krishterë, që dëshiron të shuajë etjen e Krishtit në kryq për dashuri.
Ndërmjet gjithë këtyre shkrimeve, që në gushtin e vitit të kaluar, zgjodhëm biografinë, që na u duk më afër së vërtetës mbi jetën e saj.
Nuk është autobiografi, që e shkroi ajo vetë, me dorë të saj.
Nënë Terezës as që i shkoi ndonjëherë mendja të shkruante një autobiografi. Ndoshta, po ta kishte porositur Papa (e ajo njohu Papën Pali VI e Gjon Palin II) edhe mund ta kishte shkruar, për të bërë dëgjesën shenjte. Por atë që nuk ia kërkuan kurrë papët, ajo e tha me gojë, për t’i shprehur Jezusit dashurinë e saj të pakufishme, pa i shkuar në mend se dikush i mblidhte ditë për ditë fjalët e saj.
Këto fjalë, të mbledhura nën kujdesin e Josč Luis Gonazales-Balado, u radhitën në librin ‘Jeta ime’. Po i shkepusim keto fragmente e pikërisht: ‘Gatishmëria për t’i shërbyer Jezusit’.

“Një fakt shumë domethënës është ai i taksistit të Nju Jorkut, që nuk pranoi të më çonte në kuvendin e motrave tona të degës kundruese në Bronxin e Jugut.
Nuk i pata njoftuar për vizitën time, prandaj duhet të shkoja atje me ndonjë mjet të rastit, por ky njeri refuzonte të vinte me mua, sepse kishte frikë.
Më kot i përsërisja se motrat tona kishin një shtëpi e se jetojshin atje. Nuk më besonte.
Për ta bindur, i thashë:
“E po mirë, atëherë po bëjmë kështu: unë po ulem përpara, pranë jush e do ta shihni se nuk do të na kërcënojë asnjë rrezik”.
Pranoi e u nisëm në drejtim të Bronxit Jugor.
Taksisti i mirë u mrekullua, kur pa motrat e reja që qeshnin e kënaqeshin, në sa njerëzit më përshëndesnin duke ulur paksa kokën. Ata që më njihnin, megjithëse ishin të dehur, më flisnin duke hequr kapelat.
Taksisti nuk e besonte syve!
Jam e bindur se shenjtëria është arsyeja e parë mbi të cilën bazohet Kongregata jonë.
“Për ne”, u them motrave të mia “shenjtëria nuk duhet të jetë e vështirë, sepse duke u bërë shërbim falas e me gjithë zemër të varfërve, ne i kalojmë me Jezusin të 24 orët e ditës e të natës. E me qenë se çdo misionare e dashurisë bën pjesë ndër të Varfërit më të varfër, përvoja e kushtit të katërt provohet edhe në çdo punë që bëjmë njera për tjetrën.
Një herë kardinali kryeipeshkëv i Sent Lyi, në SHBA, më kërkoi t’i shkruaj dy fjalë në Shkurtoren e lutjeve të përditshme.
I shkrova: “Lejoje Jezusin të të përdorë si të dojë, pa pritur që ta kërkojë shërbimin”.Ai m’u përgjigj, gjithnjë me shkrim: “Ju nuk e dini ç’më bëtë: Çdo ditë bëj rrëmimin e ndërgjegjes e pyes vetveten: “A e kam lejuar Jezusin të më përdorë si të dojë, pa më këkuar lejë?”.

****
Të njihemi nga afër me veprimtarinë e përditshme të motrave të Nënë Terezës. Njohje që nuk mund të mos na shtyjë t’i bëjmë vetes pyetjen: ‘Po ne, si e kalojmë ditën? Ditët? Ç’bëjmë për Jezusin? E, sidomos, ç’mund të bëjmë?
Nënë Tereza na këshillon, duke përshkruar një ditë nga jeta e saj dhe e motrave të saj të Kongregatës, që nuk jetojnë për vete, por për njerëzit më të braktisur të botës, në emër të Krishtit:

"E fillojmë ditën në orën 4. 30 të mëngjesit, me lutje e meditim.
Bashkësia jonë është shumë e bashkuar: prandaj gjithçka e bëjmë së bashku. Bashkë lutemi. Bashkë shtrohemi në sofër. Bashkë punojmë.
E nisim ditën me Meshën Shenjte, me Kungimin, për ta vijuar me meditim.
Pastaj, me që secila nga ne ka vetëm dy sari, njërën palë duhet ta lajmë ditë për ditë, për ta ndërruar të nesërmen.
Në orën 7. 30 simotrat shkojnë tek Shtëpia e njerëzve në prag të vdekjes (kuptohet se jam duke folur për ditën e bashkësisë së Kalkutës, ndonëse ajo, me ndryshime krejt të parëndësishme, është e njëjtë në të gjitha viset ku jemi të pranishme).
Të tjera shkojnë në dispanseritë e në strehët për të gërbulurit.
Të tjera, në punë ndër shkollat e lagjeve të varfëra, të cilat na janë besuar.
Të tjera, në kuzhinë, ku na përgatisin për të ngrënë, ne e të varfërve tanë.
Të tjera shkojnë të vizitojnë familjet nevojtare, që kanë njerëz të sëmurë.
Të tjera, të japin mësime katekizmi.
E kështu me radhë….
Mund të them se përhapemi në të gjithë qytetin (kujtoj se vetëm në Kalkutë kemi pesëdhjetë e nëntë qendra: Shtëpia e njerëzve në prag të vdekjes, ndonëse më e njohura, nuk radhitet ndërmjet tyre).
Përhapemi në të gjithë qytetin, me rruzare në dorë (kështu e themi zakonisht rruzaren: duke ecur rrugëve. Nuk shkojmë kurrë ndërmjet njerëzve, pa u lutur më parë. Rruzarja ishte, është e do të jetë gjithnjë forca jonë e mbrojtja jonë).
Në të katër anët e botës, motrat vishen si unë, me të njëjtën sari.

“Në orën 12. 30 kthehemi për të ngrënë drekë.
Pas dreke, ata që kanë turnin, bëjnë punët e shtëpisë.
Më pas, të gjitha motrat pushojnë një gjysëm ore. E natyrshme, pasi kanë ndenjur në këmbë gjithë paraditen e lume.
Aty nga ora 2. 00 bëjmë një orë lexim shpirtëror.
Pastaj marrim një tas çaj.
Në orën tre, motrat me kushte dalin rishtas (rishtaret e dëshirtaret rrijnë në shtëpi: ndjekin mësime teologjie, studiojnë Shkrimin Shenjt e njihen me tema të tjera të kësaj natyre. Për shembull, njihen nga afër me Kushtetutën…).
Nga ora 6. 15 deri në 6. 30 kthehen përsëri. Nga 6.30 deri në 7. 30 bëjmë adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament që vendoset jashtë, mbi elter.
Kjo orë adhurimi na detyron ta ndërpresim punën, pa harruar se për ne puna është lutje e lutja, shërbim ndaj të varfërve.
Mund të punojmë 10 ose 12 orë, pa e ndërprerë shërbimin.
Në 7.30 hamë darkën.
Pas darke, për njëzet minuta, përgatisim punën për të nesërmen.
Nga 8.30 deri në 9.00 çlodhemi (të gjitha flasin atëhere me zë të lartë, sepse kanë punuar gjithë ditën).
Në orën 9. 00 themi lutjet e mbrëmjes e përgatisim meditimin për mëngjesin e së nesërmes.
(Mend harrova; pas drekës, bëjmë rrëmimin e ndërgjegjes, themi Oficen Hyjnore e bëjmë Udhën e Kryqit).
Çdo javë kemi një ditë ushtrimesh shpirtërore.
Këtë ditë rishtaret dalin nga shtëpia e shkojnë për të punuar, duke pasur parasysh se janë të vetmet, që nuk shkojnë në punë çdo ditë.
Të gjitha motrat me kushte rrinë në shtëpi ditën e ushtrimeve shpirtërore.
Është ditë shumë e rëndësishme, që na krijon kushte të rifitojmë forcat e të mbushim përsëri boshllekun shpirtëror, krijuar nga vrapimi i përditshëm.
Këtu qëndron bukuria e saj.
Është edhe dita në të cilën, përveçse i kushtohemi në mënyrë të veçantë adhurimit, edhe rrëfehemi.
Puna që bëjmë ne, misionaret e bamirësisë, nuk është tjetër, veçse mjet për ta shndërruar dashurinë tonë për Krishtin në vepra konkrete dashurie e jete.
Tejet i bukur fakti, që ne e ju plotësojmë njëri-tjetrin.
Atë që bëjmë ne në lagjet e mjerimit, ju ndoshta nuk mund ta bëni.E atë që bëni a që mund të bëni ju, sipas vendit që zë secili në shoqëri e sipas thirrjes individuale, në familje, në vendet e studimit a të punës, ne nuk mund ta bëjmë.
Po të gjithë së bashku, ju e ne, jemi duke bërë diçka të bukur, për Zotin!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.