2010-01-27 16:16:16

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzon marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë


(27.01.2010 RV)Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi me votim unanim 9-0, marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë. Vendimi i marrë mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:30, është konfirmuar me nje njoftim zyrtar në ditën e sotme. Gjykata e deklaroi si të papajtueshme me Kushtetutën projekt-marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Sipas tekstit, shkeljet janë procedurale dhe thelbësore. Delegacioni që është ulur në tryezën e bisedimeve me palën greke nuk ka pasur lejen e presidentit, pra nuk ka qenë i plotfuqishëm për të marrë vendim ne emër të shtetit shqiptar.
Nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë pranuar kësisoj kërkesën prej 13 faqesh që Partia Socialiste depozitoi në datën 20 tetor 2009 pranë këtij institucioni, me objekt shqyrtimin e pajtueshmërisë me ligjin themeltar të shtetit të paktit detar shqiptaro-grek. Pretendimi i opozitës është se qeveria Berisha i ka dhuruar Greqisë, nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, një sipërfaqe të madhe ujore në detin Jon.
Rrëzimi nga Gjykata Kushtetuese i marrëveshjes detare me Greqinë për përcaktimin e kufijve detare mes dy vendeve i kthen procedurat në pikën e nisjes, në kushtet sikur marrëveshja të mos kishte ekzistuar.
Burime zyrtare nga Gjykata Kushtetuese thanë sot për ATSH-në, se rinisja e procedurave për këtë çështje nënkupton ngritjen nga Qeveria të një grupi të ri negociator, përbërja e të cilit do të ketë dhe miratimin e Presidentit të Republikës..
Në vendimin e marrë dje Gjykata Kushtetuese argumenton se në projekt-marrëveshje konstatohen shkelje proceduriale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982.
Sipas të dhënave, shkeljet substanciale lidhen me elementët që kanë të bëjnë me Konventën për të Drejtën e Detit dhe konkretisht me dy parametra të parashikuar në marrëveshje: atë të baraslargësisë dhe të mesores, ku konstatohet mosrespektimi i kësaj të fundit.
Rinisja e procedurave për këtë marrëveshje me palën greke nga një grup i ri negociator synon që bisedimet të zhvillohen mbi kriterin e barazisë.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje, pas një mbledhje disaorëshe, marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë "për përcaktimin e kufijve detarë mes dy vendeve", pas një ankimimi të disa partive opozitare në muajin nëntor 2009, të cilat pretendonin se ajo ishte hartuar në mungesë të transparencës dhe me përllogaritje të gabuara hartografike.
Gjatë një seance në dhjetor 2009, Gjykata Kushtetuese pezulloi ratifikimin nga Kuvendi të këtij dokumenti, deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Marrëveshja dypalëshe u nënshkrua në Tiranë më 27 prill 2009 nga ministrat e Jashtëm të të dy shteteve







All the contents on this site are copyrighted ©.