2010-01-26 16:58:54

Të enjten, konferenca e Londrës për Afganistanin


(26.01.2010 RV)Të enjten, më 28 janar, do të zhvillohet në Londër konferenca mbi Afganistanin, vetëm pak hapa nga Bakingam Palas. Qëllimi i saj është arritja e një marrëveshjeje për pajtimin kombëtar, duke dialoguar edhe me talebanët e moderuar, por jo me terroristët. Niveli i sigurisë do të jetë maksimal për shkak të kërcënimeve të fundit terroriste në Britaninë e Madhe, të cilat bëjnë që një atentat i mundshëm në vend të konsiderohet me probabilitet shumë të lartë, por jo i afërt në kohë.
Lankaster Hauz, ku do të zhvillohet konferenca, është vend historik i marrëveshjeve ndërkombëtare. Aty janë bërë shumë mbledhje të G7-ës, është përcaktuar kushtetuta e Nigerisë (1957 e ’58) dhe pavarësia e Kenias (1960, ’62 e ’63). Gjithashtu, po aty është arritur marrëveshja për pavarësinë e Rodezisë, sot Zimbabve.
Konferenca do të kryesohet nga kryeministri britanik, Gordon Braun, nga presidenti afgan, Hamid Karzai dhe nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun. Marrin pjesë ministrat e jashtëm të 43 vendeve, që kontribuojnë në misionin ndërkombëtar në Afganistan, ISAF, ndër të cilët sekretarja e shtetit amerikan, Hilari Klinton, si edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, NATO-s e Bankës Botërore.
Ndërkaq, njoftohet se së shpejti, forcat e NATO-s do të fillojnë një ofensivë të re kundër talebanëve në zonën e Helmandit.







All the contents on this site are copyrighted ©.