2010-01-26 13:58:20

Një faqe interneti që të rinovohet interesi për Koncilin II të Vatikanit


(26.01.2010 RV)Është hapur në internet një faqe e re e disa teologëve italianë, të cilët kanë për qëllim të vlerësojnë trashëgiminë e frytshme të Koncilit II të Vatikanit. Faqja e internetit është “www.vivailconcilio.it” dhe u drejtohet në veçanti të rinjve. Ofron mundësinë për të konsultuar diskutimet e fjalimet magjisteriale dhe esetë teologjike, por edhe për të njohur iniciativa që kanë të bëjnë me Koncilin II të Vatikanit. Në mikrofonin tonë, dy promovuesit e projektit: zv.presidenti i Shoqatës Teologjike Italiane, Marko Vergotini dhe teologu, don Severino Dianik, të cilit ia japim fjalën:
Kur dikush flet përmes internetit duhet të përdorë gjuhën e mjetit. Ne i flasim një publiku kryesisht rinor e mesazhi ynë është “Rroftë Koncili”, që do të thotë se Koncili është i gjallë, është bekim për Kishën. Koncili, thoshte Gjon Pali II, do të jetë busull për Kishën e Mijëvjeçarit të Tretë. Atëherë, në këtë perspektivë, Koncili shtron edhe para nesh detyrën që ta kujtojmë e ta ujisim këtë pemë, që të mbetet gjithnjë e gjelbëruar.
Don Serverino Dianik, ju jeni teolog, por edhe profesor si z. Vergotini. A e dini se studentët e sotëm, që duan të merren me teologji, nuk e kanë shumë parasysh Koncilin II të Vatikanit dhe e shkëmbejnë me koncile të tjera të mëparshme, që vërtet i përkasin lashtësisë së Kishës…
Sigurisht, problemi i kujtimit të gjallë të Koncilit është i rëndësishëm, për të cilin duam të japim edhe ne kontributin tonë të vogël, përmes faqes së internetit. Pasi, disa gjëra të Koncilit, e kam parë vetë në takimet me të rinjtë, janë bërë tashmë pasuri e të gjithëve, prandaj atyre u duket se dëgjojnë gjëra të ditura, por në momentin kur ato janë diskutuar nuk ishin aq të qarta. Kjo është ana pozitive që na gëzon. Koncili ka përfunduar, është bërë linfë jetësore për shumë nga katolikët e sotëm e për shumë të krishterë, sepse përfshiu edhe të krishterët e Kishave të tjera. Por ka edhe pjesë, sidomos ato që përbëjnë risi në planin e jetës së zakonshme, jetës shoqërore e kulturës, që duhen menduar më tej, duhet të reflektohet mbi to, pasi janë të afta të prodhojnë fryte të vërteta.
Prof. Vergotini, më duket se është një nismë, që dëshiron të mos marrë as anën e të ashtuquajturve “tradicionalistë” e as anën e “progresistëve”, ndarje kjo mëse e qartë përsa i përket reflektimeve mbi Koncilin në botën e internetit…
Nëse kjo dëshiron të jetë një faqe interneti e plotë, paqësore e mikpritëse, Koncili nuk ka nevojë për avokatë mbrojtës – ne sigurisht nuk do të jemi të tillë – nuk ka nevojë as për vulgarizim. Prandaj, në këtë linjë, besoj vërtet në qëllimin tonë për ta lexuar historinë e Kishës me busullën e Concilit II të Vatikanit. E ashtu siç ka thënë edhe Papa kohët e fundit, ne nuk mund të bëjmë hapa mbrapa në krahasim me Koncilin. Më duken të gjitha mesazhe që na bëjnë të themi: “Ne duhet të gjejmë fjalët e thjeshta dhe imazhet domethënëse për t’u folur bijve tanë, për të mos e humbur kujtesën, për të mos e harruar leksionin dhe frymën e Vatikanit II.







All the contents on this site are copyrighted ©.