2010-01-26 13:58:31

Gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano” reflekton mbi regjistrimin e popullsisë në Shqipëri


(26.01.2010 RV)Gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano” pasqyron në numrin e saj të sotëm, polemikën mbi regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, e cila do të bëhet me specifikimin e përkatësisë etnike dhe fetare.
“Sabri Godo – shkruan e përditshmja vatikanase – themelues i Partisë Republikane, anëtar i koalicionit qeveritar, e fton qeverinë të mos shpejtohet e të verifikojë më parë opinionin e shqiptarëve përsa i përket vënies në pyetësor edhe të përkatësisë etnike dhe fetare.
Sipas Godos, shumë shqiptarë “kanë ndryshuar fe dhe etni për të marrë dokumentet e për të zgjidhur problemet”. Godo u referohet mijëra emigrantëve në Greqi, që në vitet ’90, për të pasur mundësi pune e për të marrë pasaportën greke, kanë deklaruar se janë të krishterë ortodoksë me origjinë greke.
Edhe më i ashpër – vazhdon “L’Osservatore Romano” – gjykimi i historianit Pëllumb Xhufi, ish-ambasador në Romë dhe ish-zv.president i Lëvizjes Socialiste për Integrim, sipas të cilit “specifikimi i përkatësisë etnike dhe fetare është tradhti e interesave kombëtare”. Me një gjë të tillë, citon akoma Xhufin gazeta vatikanase, dhunohet edhe Kushtetuta, e cila e përcakton Shqipërinë si “shtet i të gjithë qytetarëve, pa dallim kombësie e feje dhe njëkohësisht ulet koka para kërkesave të Greqisë, e cila që nga viti 1993 pretendon këtë lloj regjistrimi”.
Shumë kanë frikë se regjistrimi i përkatësisë etnike dhe fetare do t’i zmadhojë të dhënat mbi pakicën greke në Shqipëri – deri më sot, reflekton gazeta, vetëm pak mijëra për autoritetet e Tiranës, ndërsa 400 mijë vetë për nacionalistët helenë – duke u dhënë kështu të drejtë kërkesave të Athinës që të kujdeset për popullsitë e këtyre territoreve.
Regjistrimi i fundit i popullsisë, ku u pyet edhe për përkatësinë etnike e fetare, është i vitit 1939. Rezultatet e atëhershme i ndanë shqiptarët në 70% myslimanë (sunitë e bektashi), 20% ortodoksë dhe 10% katolikë. Sot, e përfundon artikullin “L’Osservatore Romano”, këto të dhëna nuk i korrespondojnë realitetit.
Për një koment, të dëgjojmë zëdhënesin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, don Gjergj Meta, në mikrofonin e kryeredaktorit tonë, don David Gjugja:RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.