2010-01-25 18:28:30

Papa mbyll Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve: dashuria e vërtetë nuk i fshin ndryshimet e ligjshme, por i harmonizon në një bashkim më cilësor


(25.01.2010 RV)Sot pasdite, në orën 17.30, Papa Benedikti XVI kryesoi Lutjet Mbrëmësore në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit Apostull, në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës, në përfundim të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve. Të pranishëm, edhe përfaqësues të Kishave të tjera të krishtera. Kujtojmë se këtë vit, Java e lutjes kishte në qendër temën e dëshmisë së përbashkët të të krishterëve, një përmasë kjo gjithnjë e pranishme në mësimet e Atit të Shenjtë.
Papa e filloi reflektimin e tij, duke u nisur pikërisht nga kthimi i Shën Palit Apostull, nga persekutues i të krishterëve në martir për hir të Krishtit. Po ashtu, përmendi përvojën e dishepujve në Emaus, të cilët takohen me Jezusin e ringjallur dhe pasi e njohin, kthehen në Jeruzalem për ta dëshmuar. Po kështu edhe dishepujt e tjerë, pasi u shfaqet Krishti, pasi i ngushëllon dhe u jep forcë, pasi dikon mbi ta Shpirtin Shenjt, bëhen dëshmitarë të tij për gjithë jetën:
“Kjo dëshmi – theksoi Benedikti XVI – si atëherë, ashtu edhe sot, lind nga takimi me të Ringjallurin, ushqehet nga marrëdhëniet e vazhdueshme me Të, merr shpirt nga dashuria e thellë për Të. Vetëm ai, që e ka ndjerë Krishtin të pranishëm e të gjallë… që është ulur në një tryezë me Të, që e ka dëgjuar aq sa i është ndezur zemra, mund të jetë dëshmitar i Tij!”
Papa kujtoi se ekumenizmi modern zuri fill 100 vjet më parë në Edimburg të Skocisë, ku mëse njëmijë misionarë protestantë dhe anglikanë, si edhe një ortodoks, u mblodhën për të reflektuar sëbashku mbi nevojën për të qenë të bashkuar në shpalljen e Ungjillit të Krishtit në botë:
“Me të vërtetë, është pikërisht dëshira për t’ua shpallur të tjerëve Krishtin e për të sjellë në botë mesazhin e Tij të pajtimit, që na bën të provojmë kontradiktën e ndarjes së të krishterëve. Si mund ta pranojnë Lajmin e Mirë të Ungjillit të pafetë, nëse të krishterët, megjithëse besojnë në të njëjtin Krisht, nuk merren vesh ndërmjet tyre?... Bashkimi dhe uniteti i dishepujve të Krishtit është pra, kusht veçanërisht i rëndësishëm për besueshmërinë dhe efikasitetin më të madh të dëshmisë së tyre”.
Ajo që u diskutua 100 vjet më parë në Edimburg është akoma aktuale, sidomos në botën bashkohore, të karakterizuar nga indiferenca fetare e madje edhe nga një lloj kundërshtimi të krishterimit. Por Papa përmendi edhe vështirësitë në rrugën e shpalljes së Ungjillit të Krishtit me një zë të vetëm:
“Fatkeqësisht, nuk mungojnë çështje, që na ndajnë nga njëri-tjetri e që shpresojmë të kapërcehen përmes lutjes e dialogut, por ekziston një temë qendrore e mesazhit të Krishtit, të cilën mund ta shpallin sëbashku: atësia e Zotit, fitorja e Krishtit mbi mëkatin e mbi vdekjen me kryqin e ngjalljen e tij, besimi në veprimin shndërrues të Shpirtit Shenjt”.
E këtu Papa numëroi sfidat e përbashkëta për të gjithë të krishterët, që nga shekullarizimi e indiferenca, relativizmi e hedonizmi, temat delikate që kanë të bëjnë me fillimin e me fundin e jetës, kufijtë e shkencës e të teknologjisë, dialogu me traditat e tjera fetare, por edhe mbrojtja e Gjithësisë, promovimi i së mirës së përbashkët dhe i paqes, mbrojtja e dinjitetit të njeriut, impenjimi për të fituar mbi mjerimin e ditëve tona, mbi urinë, analfabetizmin, shpërndarjen jo të barabartë të të mirave materiale:
“Secili është i thirrur të japë kontributin e vet për të bërë ato hapa, që çojnë drejt bashkimit të plotë ndërmjet të gjithë dishepujve të Krishtit, pa harruar kurrë se uniteti është para së gjithash dhuratë e Zotit për të cilën duhet të lutemi vazhdimisht”.







All the contents on this site are copyrighted ©.