Me 25 janar kalendari Kishtar kremton festën e Kthimit të Shën Palit Apostull
(25.1.2010 RV)Festa liturgjike e “Kthimit të Shën Palit” nis të përkujtohet
që nga shekulli VI, ndërsa festa e martirizimit të Apostullit të popujve përkujtohet
më 29 qershor. Me këtë festë, që hyn në kalendarin Romak nga fundi i shekullit X,
përfundon simbolikisht Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, duke na kujtuar
se nuk mund të ketë ekumenizëm të vërtetë, pa kthesë të vërtetë te Jezu Krishti.
Festa e sotme na krijon mundësinë ta njohim nga afër figurën shumëdimensionale të
Palit Apostull, i cili për veten shkroi: “Kam punuar më shumë se të gjithë apostujt
tjerë” si dhe “Unë jam më i vogli ndërmjet apostujve, një dështak, i padenjë për t’u
thirrur apostull”. E pikërisht këto fjalë që shkruan për vetveten, i japin
plotësisht të drejtën të drejtën të quhet Apostull: ai ka parë Zotin, Krishtin e ngjallur
e për këtë arsye, është dëshmitar i ngjalljes; ai është dërguar drejtpërdrejtë nga
Krishti, ashtu si të Dymbëdhjetët. Ai i ka tri cilësitë: vegimin, thirrjen dhe misionin,
nga të cilat buron mrekullia e atij hiri Hyjnor që pati në rrugën e Damaskut, ku Krishti
e bëri të kapitullojë pa kushte dhe i dha hirin të bëhet Apostull i Tij. Në vegim,
Pali e pyet Krishtit: “Kush je to, o Zot?” dhe merr përgjigjen “Unë jam Jezu Krishti,
që ti e persekuton”. E vërtetë, Pali bën ndryshim, kthesë në jetën e tij duke hequr
dorë nga jeta e mëparshme e duke filluar një jetë të re në dhe me Krishtin.
Kthimi i Shën Palit, që në rrugën e Damaskut shitohet prej dritës së Krishtit të Kryqëzuar,
të cilin ai, Sauli farize i bindur, e persekutonte në korpin mistik, vë në dukje në
mënyrë të bindshme fuqinë e hirit të Zotit që e rrëzon përdhé Saulin dhe në të e ngjall
personin e ri të rilindur nga feja, Palin, i cili nga armiku i përbetuar i Shëlbuesit,
shndërrohet e bëhet misionari i zellshëm i Ungjillit, në apostullin e popujve, në
dëshmimin e fesë në Krishtit me fjalë e me vepra, me jetë e deri me vdekje.
Udha e Damaskut, ku ndodhi kthimi i Shën Palit, është me rëndësi të dorës së parë
për të kuptuar lidhjen mistike që e bashkon Krishtin me Kishën. Sauli, Apostulli i
ardhshëm nuk u kthye, ashtu si të tjerët, në takim me bashkësinë e krishterë, të cilën
ai madje e persekutoi. U kthye me nismën e vetë Krishtit, që iu duk si i persekutuar.
Shën Pali u kthye njëkohësisht tek Krishti e tek Kisha.
Kështu arriti
tek përkufizimi origjinal i Kishës si Korpi i Krishtit, të cilin nuk e gjejmë tek
autorët e tjerë të krishterë të shekullit të parë. Rrënjën më të thellë të këtij përkufizimi
mahnitës të Kishës e gjejmë tek Sakramenti i Korpit të Krishtit. Thotë Shën Pali:
“Duke qenë një bukë e vetme, ne, megjithëse shumë, jemi një trup i vetëm”.
Prandaj Apostulli i Popujve nuk i deshi bashkësitë Kishtare që themeloi, të ftohta
e burokratike, por plot ndjenjë feje e pasion, sepse i konsideronte si shtrirje të
pranisë personale të Krishtit në botë. Themelonte, kështu, një Kishë të Krishtit të
përbërë nga gjymtyrë të bashkuara e njëkohësisht të dalluara, të cilave u printe fryma
e Shpirtit Shenjt.
Natyrisht të nënvizosh kërkesën e unitetit nuk do
të thotë se duhet rrafshuar ose sheshuar jeta kishtare sipas një mënyre të vetme veprimi.
Gjetiu Pali Apostull mëson të mos shuhet Shpirti, domethënë të krijohet
hapësira për gjallërinë e pabesueshme të shfaqjeve karizmatike të Shpirtit Shenjt
Zot, që është burim energjie e gjallërie përherë të re. Kemi të bëjmë, pra, me një
bashkim si vertikal, ndërmjet Jezusit e besimtarëve, ashtu edhe horizontal, ndërmjet
të gjithë atyre që luten në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit. Bashkësitë e Mbledhjet
tona liturgjike – porosiste Apostulli - duhet të jenë të tilla, sa ta shtyjnë njeriun
që, pa qenë i krishterë, merr pjesë ndër to, të thotë në fund me bindje: “Zoti është
me ju!”. Kuptohet lehtë prandaj sa e madhe është dëshira e Kishës katolike për ta
realizuar atë që uron Shën Pali.