2010-01-25 14:32:36

Bashkimi i të krishterëve dhe shumëllojshmëria e karizmave në qendër të fjalëve të Papës në Engjëllin e Tënzot


(25.01.2010 RV)Lutja për bashkimin e të krishterëve dhe pasuria e karizmave brenda Kishës ishin temat mbi të cilat reflektoi dje Papa në Engjëllin e Tënzot. Një mendim, edhe për shën Françeskun e Sales dhe për meshtarin martir katalan, që u shpall i Lum në Barcelonë.

Duke komentuar Letrën e parë të Shën Palit drejtuar Korintianëve, Benedikti XVI i ftoi të gjithë të reflektojnë mbi faktin se Kisha nuk është një organizëm uniform. Apostulli i Popujve e krahason me trupin e njeriut, që “është një i vetëm, por ka shumë gjymtyrë”. Ati i Shenjtë shpjegoi se Kisha paraqitet si një organizëm i pasur e jetësor, fryt i një Shpirti të vetëm, që i udhëheq të gjithë drejt bashkimit të thellë. Kisha përmban në vetevete karizma të ndryshme, duke krijuar gjithsesi një bashkësi të harmonishme, që zgjat në histori praninë e Zotit të ngjallur. Këtu qëndron shenjtëria e saj, tha Papa:
“Është pikërisht në Krishtin e në Shpirtin e Hyjit, që Kisha është një dhe e shenjtë, pra një bashkim intim, që shkon përtej aftësive njerëzore dhe i mbështet ato”.
Këto reflektime morën rëndësi të veçantë në mbyllje të javës për bashkimin e të krishterëve, me kremtimin tradicional të Mbrëmësores së sotme, kryesuar nga Benedikti XVI, në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës. Duke folur dje për këtë takim të rëndësishëm, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Kishave të tjera të krishtera, Papa theksoi:
“Do t’i lutemi Zotit për dhuratën e bashkimit të plotë të të gjithë dishepujve të Krishtit e, në veçanti, sipas temës së këtij viti, do të përtërijmë impenjimin për të qenë sëbashku dëshmitarë të Hyjit të kryqëzuar e të ngjallur (cfr Lk 24,48). Me të vërtetë, bashkimi i të krishterëve e bën më të besueshme dhe më të frytshme shpalljen e Ungjillit, siç pohoi vetë Jezusi duke iu lutur Atit në prag të vdekjes: “Të gjithë të jenë një gjë e vetme…që bota të besojë”.
Më pas, Benedikti XVI kujtoi figurën e shën Françeskut të Sales, i cili u përkujtua dje:
“Iu përkushtua me sukses të madh predikimit dhe formimit shpirtëror të besimtarëve, duke u mësuar se thirrja për shenjtëri është për të gjithë dhe se secili – siç thotë Shën Pali në krahasimin me trupin – ka vendin e tij në Kishë”.
Shën Françesku i Sales është pajtor i gazetarëve dhe i shtypit katolik, prandaj Papa ia besoi atij Mesazhin për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore, paraqitur dje në Vatikan.
Pas lutjes mariane, një mendim për meshtarin martir katalan Hosè Samso I Elias, vrarë gjatë luftës civile në Spanjë e shpallur dje i Lum në Barcelonë:
“Si dëshmitar i vërtetë i Krishtit, vdiq duke i falur persekutuesit. Për meshtarët, sidomos për famullitarët, ai është model përkushtimi në katekizëm e në bamirësinë për të varfërit”.
Në përshëndetjet në gjuhë të ndryshme, ftesa për t’u lutur për bashkimin e të krishterëve dhe për të qenë bujarë me dhuratat që na bën Zoti, duke kujtuar se Hyji do që t’i shërbejmë, të bashkuar në fe.







All the contents on this site are copyrighted ©.