2010-01-23 15:49:06

Shenjtorët e Javës së ardhshme


Sot e diele 24 janar, kalendari liturgjik i Kishës kremton të dielën e 3-të gjatë Vitit Kishtar e po sot me 24 janar kalendari Kishtar përkujton Shën Françesku i Sales, ipeshkëv i Gjenevës e doktor i Kishës, themelues i Urdhrit të Vizitacionit dhe pajtor i shtypit katolik.
Nesër e hënë 225 janar, është dita e tetë dhe e fundit e Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve dhe festa e të Kthimit të Shën Palit Apostull . Festa e tij na kujton se Krishti u ngjall, duke e shndërruar vdekjen në jetë.
Të martën e ardhshme me 26 janar, sipas kalendarit Kishtar do të kremtohen Shën Timoteu e Shën Titi, ipeshkvij, nxënës të Shën Palit si dhe Shën Paola, matronë romake. Liturgjia e festës së tyre na kujton se Apostujve, të cilët duan të dalin mbi të tjerët, Jezusi u paraqet vetveten si model shërbimi.
Shën Angela Meriçi, virgjër, themeluese e Orsolineve si dhe Shën Vitaliani papë, që do të kremtohen të mërkurën që vjen me 27 janar, na kujtojnë se në sa kthehen nga misioni, apostujt rrezikohen të bien në triumfalizëm, por Jezusi u kujton se duhet të jenë gjithnjë shërbëtorë të njerëzve.
Të enjten e ardhshme me 28 janar, kalendari Kishtar përkujton festën e Shën Tomës së Akuinit, meshtar dominikan, doktor i Kishës, pajtor i shkollave katolike.
 
Të premten që vjen me 29 janar, kalendari Kishtar do të kremtojë Shën Kostancin, ipeshkëv i Perugjës dhe Shenjtorët Papia e Mauri, ushtarë martirë. Ata na kujtojnë se Krishti kërkon edhe shëlbimin e paganëve e se ai ngadhënjen mbi vdekjen e mbi të gjithë shpirtrat e ndyrë. Ngjallja e Jezusit hapi rrugën për t’ia predikuar Ungjillin mbarë njerëzimit.
 
Liturgjia e festës së Shën Martinës, martire, që do të kremtohet të shtunën me 30 janar, na kujton se fuqia që del nga Jezusi shëron e jep jetë. Kush është me të, kush e prek, kush e takon e e mikpret, fiton nga Zoti jetën e pasosur.
 
Të dielën e ardhshme me 31 janar, bie e diela e 4-të gjatë vitit Kishtar e po këtë ditë, me 31 janar, kalendari liturgjik përkujton Shën Gjon Boskon, meshtar e themelues i Salezianëve, atë e mësues i të rinjve. Festa e Shën Gjon Boskut na kujton se edhe njerëzit e kohëve tona shkandullohen e çuditen për Jezusin: e për ta pranuar, duhet parë me sytë e fesë e të dashurisë, që na mësojnë se Krishti është Biri i Zotit e se prandaj vetëm kush beson në Të, e percepton të renë që Ai e Fjala e Tij Ungjillore sjell ndërmjet njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.