Me 23 janar kalendari Kishtar përkujton Shën Emerencianën, martire
Duke shfletuar kalendarin kishtar me 23 janar përkujtojmë Shën Emerencianën. Një
autor i panjohur i shekullit V i shtoi përshkrimit mbi martirizimin e Shën Anjezes,
një kapitull të tretë, në të cilin tregon si u kremtuan salikimet e shenjtores, si
iu duk prindërve tetë ditë pas vdekjes e si u themelua bazilika për nder të saj nga
Kostanca, bija e Kostandinit. Ndërmjet besimtarëve që morën pjesë në salikimet
e Shën Anjezes, kujtohet edhe Emerenciana, virgjër e katekumene. Në sa vijonin salikimet,
një sulm i papritur i paganëve fanatikë i shpërndau të krishterët. Po Emerenciana
jo vetëm që nuk iku, por nisi t’u bënte thirrje sulmuesve të hiqnin dorë nga urrejtja
për të krishterët, duke përfunduar e mbytur me gurë. Prindërit e Shën Anjezes e varrosën
trupin e saj në një nga pronat e tyre, fare pranë trupit të bijës së martirizuar.
Kështu Shën Emerenciana, që ende nuk e kishte marrë Pagëzimin shenjt, u pagëzua me
gjakun e vet, duke i hapur kështu udhën doktrinës së Pagëzimit të gjakut, sepse vdiq
për mbrojtjen e drejtësisë e duke dëshmuar Zotin.
Në Martiriologun Jeronimian
shkruhet se Emerenciana u varros në Varrezën e madhe të rrugës romake Nomentana, së
bashku me një grup martirësh të tjerë, në krye të të cilit ishte Viktori. Duke qenë
i lidhur ngusht me Shën Anjezen, emri i saj fitoi popullaritet të madh. Shenjë e qartë
e këtij popullariteti është caktimi i përkujtimit të saj liturgjik më 23 janar, dy
ditë pas festës së Shën Anjezes. Festa e saj u caktua që në shekullin VIII e u regjistrua
menjëherë në Martiriologun e Bedës, në kodikët e vonë Jeronimianë dhe në Sakramentarin
e Gjelazios, prej nga kaloi pastaj në Mesharin dhe në Martiriologun Romak.
Edhe
në ikonografinë e Varrezës së madhe, Emerenciana paraqitet më shumë në mes të grupit
të martirëve, pranë të cilëve ishte varrosur, por nuk mungojnë edhe ikonat e lashta
në të cilat paraqitet vetëm ose ndërmjet Shën Paolinës dhe Shën Daries, virgjëra.
Mbi
varrin e martires, menjëherë pas përfundimit të martirizimit të të krishterëve, u
ngrit një kishë, që sipas Liber Pontificalis, u ndreq nga Adriani rreth viteve 772-
795.
Në shekullin IX reliket e Shën Emerencianës u mbartën në bazilikën e Shën
Anjezes. Papa Pali V porositi një arkëz artistike argjendi, në të cilën u mblodhën
reliket e të dyja shenjtoreve, për t’u vendosur pastaj në elterin e madh.
Por
kujtimi i martires është i gjallë edhe në kisha e bazilika të tjera, posaçërisht në
Romë, duke nisur nga bazilika e Shën Anjezes në Sheshin romak Navona, ku në vitin
1123 iu kushtua një elter, për të kaluar më pas në bazilikën e Shën Pjetrit in Vinkoli,
ku ruhet koka e saj, në Kishën e Shën Anjezes në Kampitel, ku ruhet një gisht e së
fundi, tek famullia e madhe në zonën Nomentana, me emrin e Shën Emerencianës. Shenjtorja
nderohet në të gjithë Evropën, posaçërisht në Spanjë, në Gjermani e në Belgjikë, ku
ruhen edhe sot shumë kapela ngritur që në lashtësi për nder të Virgjërës që u pagëzua
me gjakun e vet.