Sot me 22 janar kalendari Kishtar përkujton Shën Vinçenc Palotit, meshtar
(22.1.2010 RV)“Është meshtar i mirë. I përgatitur, rrëfyes në Seminarin romak
dhe në Kolegjin Urbanian të Propaganda Fides. Aktivizohet në shumë vepra bamirësie.
Po pse dashka të themelojë një shoqëri për apostullimin katolik? Sikur për këtë të
mos ishin prej kohe strukturat e Kishës? Vinçenc Paloti, romak, i
lindur në vitin 1795, meshtar që nga viti 1818, u ndesh me mosbesim e pengesa të shumta
në botën kishtare kur, ashtu si pak kush, (dom Nikollë Maca në Veronë për shembull)
kuptoi s’kërkonte koha nga katolikët. Pas stuhisë së Revolucionit francez
e të Napoleonit, ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë e studiues u vunë me gjithë shpirt
në mbrojtje të fesë. E Vinçenci e shikonte këtë dhe e vlerësonte. Por ai mendonte
se kjo ishte e pamjaftueshme: problemi i vërtetë nuk ishte të mbrohej gardhi, brënda
të cilit ndodheshin besimtarët. Jo, duheshin fituar besimtarë të tjerë, kudo, duke
i shembur gjerdhet. E shtonte: kjo është detyrë e të gjithëve; çdo i krishterë e ka
për detyrë ta ruajë fenë e ta përhapë atje ku nuk ka arritur akoma ose ku nuk është
më. Ky ishte një program sulmi. Vinçenci respektonte mandatin e veçantë
të Papës, të ipeshkvijve, të klerit, por fliste edhe për ‘apostullimin katolik” si
detyrë dhe e drejtë e çdo besimtari, sepse Zoti i urdhëron të gjithë të kujdesen për
shëndetin e shpirtit të të afërmit. Mbi këtë bazë lindi në vitin 1835 Vepra e Apostullimit
Katolik, shoqatë laikësh, që do të kishte si pjesë të brendshme e si forcë lëvizëse
një bashkësi meshtarësh, e ndjekur nga Kongregata e Motrave të Apostullimit katolik
(që njihen me emrin Palotine). Qëllimi: ta bënte Krishtin të njohur me fjalë, me mësim,
me vepra materiale e shpirtërore bamirësie Gregori XVI e miratoi veprën, e atëherë
në Romë të gjithë nisën ta shikojnë me nderim don Vinçencin. Por shoqëria e tij e
apostullimit, pas fillimit të mbarë, nisi të haste pengesë pas pengese, duke filluar
nga shtyrja e vazhdueshme e miratimit të rregullës (deri në vitin 1904).
Vinçenci vdiq me famën e njeriut shenjt, por që ama e kishte bërë një gabim. Gjithsesi
ai që quhej ‘gabimi i tij’, vijonte të përparonte, duke bërë që, në fund të shekullit
XX, palotinët të luanin një rol gjithnjë më të rëndësishëm. E megjithatë ky i ashtuquajtur
‘gabim’, që solli frymë të re në Kishë, e ngadalësoi çështjen e shenjtërimit të Tij,
gjithnjë përmes keqkuptimesh e dritëshkurtësie. U desh Papa Piu XI për t’i dhënë fund
mosbesimit e për ta shpallur Vinçencin punëtor të vërtetë’ e ‘bashkëpunëtor të çmuar
të misionit katolik’, ndërsa shenjt u shpall nga Gjoni XXIII në vitin 1963.
Dy vjet më pas, dekreti Apostolicam actuositatem i Koncilit II të Vatikanit do të
shpallte solemnisht: “Laikët kanë të drejtën dhe detyrën e apostullimit, që buron
nga bashkimi i tyre me Krishtin, Kryet e Kishës”. Kështu jehuan fjalët e Vinçenc Palotit,
130 vjet pas vdekjes së tij në Kishën universale, me zërin e Papës Pali VI dhe të
ipeshkvijve të mbarë botës.