2010-01-22 13:52:49

Katedralja e Shën Palit në Tiranë shenjë e lashtësisë dhe aktualitetit të krishterimit ndër shqiptarë


(23 .01. 2010 RV)Pra tetë vjet më parë, më 26 janar 2002, Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, me një kremtim solemn liturgjik, në praninë e kardinalit Anxhelo Sodano, asokohe Sekretar i Shtetit të Vatikanit, ia kushtonte Kishën Katedrale të vet Shën Palit Apostull. Tetë vjet më vonë, ky kushtim merr një rëndësi të veçantë, edhe në kuadrin e festës liturgjike të ‘Kthimit të Shën Palit Apostull në rrugën e Jezusit, që kremtohet më datën 25 janar, e pastaj kujtojmë lidhjen e ngushtë të kësaj figure jashtëzakonshme të këtij Apostulli me depërtimin e Ungjillit në trevat shqiptare, pra me Ungjillëzimin e Popullit Shqiptar.
Kujtojmë se Shën Pali qe i pari nga Apostujt e Krishtit, që shkeli në trevat shqiptare e që mbolli ndër to farën e mirë të Ungjillit të Krishtit, e cila u mbiu dhe u rrit e ujitur, e kultivuar edhe me gjak martirësh në shekujt e historisë gjithnjë të trazuar të këtyre trojeve, duke arritur një nga kulmet më të tmerrshme nën diktaturën komuniste.
Prandaj edhe i dërguari i Papës Gjon Pali II, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinalit Sodano, tetë vjet më parë, gjatë homelisë së tij në Katedralen e Tiranës, vuri theksin pikërisht mbi persekutimin e besimtarëve nën thundrën e kësaj diktature ateiste:
“Nata e gjatë dhe e dhimbshme e persekutimit tashmë kaloi – tha Hirësia e Tij Sodano – e një ditë e ndritshme nisi të agojë në këtë skaj të Evropës, ku po lind një epokë e re në jetën e atdheut. Simbol i këtij kapitulli të ri në historinë kombëtare dëshiron të jetë katedralja e re e Tiranës, që u ngrit në zemër të kryeqytetit, gati-gati si të donte t’u fliste të gjithë besimtarëve, t’i ftonte të kthehen e të venë në qendër të jetës individuale e shoqërore, kultin e Hyjit, krijuesit e Zotit tonë”.
Për ne të krishterët – shpjegoi në vijim kardinali Sodano – ky është Urdhërimi i parë, ndërmjet Dhjetë Urdhërimeve të Tynzot: “Unë jam Zoti, Hyji yt. Nuk do të kesh Zot tjetër, përveç meje!”. E ky është mësimi që Zoti i ka dhënë e vijon t’i japë popullit të vet. “Unë jam Zoti, Hyji yt, që të nxori nga dheu i Egjiptit, nga skllavëria; nuk do të kesh zota të tjerë, përveç meje!”.
Duke komentuar leximet e Meshës Shenjte me ritin e kushtimit, Kardinali Sodano e quajti tempullin e ri, ngritur në zemër të Tiranës “Një shkallë drejt qiellit”; (leximi i parë, cfr Zan 28, 11-18; 28,17); Tempull shpirtëror (Leximi II, nga Letrat e Shën Palit drejtuar Korintianëve). E iu drejtua besimtarëve shqiptarë me fjalët gjithnjë aktuale të Shën Palit:
“Vëllezër, ju jeni ndërtesa e Zotit… A nuk e dini ju, se jeni tempulli i Hyjit e se Shpirti i Hyjit banon në ju?”.
Kjo britmë e Apostullit, të cilit iu kushtua shtatë vjet më parë Katedralja, kumbon ende e do të kumbojë në shekuj jo vetëm brenda mureve të saj. Britma përhapet në të katër anët e vendit, duke i bërë një thirrje të amshuar banorëve të këtyre trevave, si simbol mistik i pranisë së Krishtit në zemrat e të krishterëve.
Kardinali Angjelo Sodano u la shqiptarëve një mesazh thellësisht aktual, në emër të Papës, duke u bërë thirrje: “Hyni në këtë Katedrale të re për të dashur Zotin, e dilni prej këndej për të dashur të afërmin”.
Kështu, tetë vjet më parë, në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë, katolikët ia kushtuan katedralen e tyre kryesore Shën Palit Apostull.
Po ngrehina kishtare, e rrethuar nga kompleksi i ndërtesave të tjera, që zbukurojë qendrën e Tiranës, nuk u përket vetëm katolikëve: në të janë të mirëpritur të gjithë, edhe pse, përveç misionit të saj kryesor, që është ai fetar, katedralja e Shën Palit në Tiranë është edhe qendër kulture e arti.
Është vetëm tetëvjeçare, ndër më të voglat në moshë, përballë Katedraleve madhështore të krishterimit, që lartohen në kryeqytetet e botës prej mijëra vjetësh e ku punuan artistë të pavdekshëm botëror.
Por gjithsesi as Katedrales së Tiranës nuk i mungojnë veprat e artit: madje, në këndvështrimin arkitektonik, ajo vetë është një vepër arti. E pastaj, sapo hyn në tempull, të bie menjëherë në sy një Kryq masiv, me Krishtin e kryqëzuar, që i pret me krahë hapur të gjithë ato që shkelin në Tempull. Ka edhe vetratat e shumta, realizuar nga një grup vetratistësh breshianë, me skena nga jeta e Shën Palit. U shtohet edhe një vetratë, që paraqet Nënë Terezën me ipeshkvin e parë të katedrales, imzot Mirditën, falë veprimtarisë së palodhshme të të cilit u ngrit ky tempull. E një tjetër përjetëson vizitën e Gjon Palit II, i pari Papë që shkeli në Shqipëri. Papa Wojtila nuk e pa të kryer Katedralen e Tiranës, por shuguroi ipeshkvin e saj të parë, imzot Rrok Midritën në Katedralen më të njohur të Shqipërisë, atë të Shkodrës.
Ka pra edhe shumë vend për kryevepra të tjera, që mund e duhet të dalin nga duart e artistëve shqiptarë, të cilët e dinë mirë se Ungjilli është burim i pashtershëm frymëzimi e se prej tij janë frymëzuar artistët si Da Vinçi, Buonaroti, Rafaeli… për të mos kujtuar artistë të tjerë të mëdhenj të të gjitha kohërave e kombeve.
Duhen kujtuar, pastaj, veprimtaritë e shumta kulturore, ndërmjet të cilave ato muzikore. Katedralja e Tiranës ka korin e saj tejet të përgatitur, të drejtuar nga muzikantë shumë të njohur shqiptarë, që shoqëron kremtimet fetare; ka instrumentistët e saj, jep koncerte e zhvillon veprimtari të tjera artistike e kulturore gjatë gjithë vitit.
Nuk mund të mos kujtojmë se kjo Katedrale e Shën Palit është kryetempulli i dioqezës së lashtë të Durrës-Tiranës, që ekzistonte që në shekullin XIII e që më parë njihej si Metropoli e Epirus Novus. Burimi më i lashtë, që na flet për ekzistencën e krishterimit në këto vise që në shekullin IV, është vëllimi VII i veprës monumentale ‘Illyricum Sacrum” – “Iliria Kishtare”, e cila përshkruan pikërisht organizimin kishtar të trevave të Ilirisë.
Që në vitin 95 pas K. Dioqeza e Durrësit kishte ipeshkvin e vet të parë, shenjt e martir: Çezarin. E shumë më vonë, një ipeshkëv tjetër, tepër të njohur martir: Imzot Viçenc Prennushin, shuguruar ipeshkëv më 1940, Martir më 1948, në dioqezën e tij.
E, pas një heshtjeje të gjatë, shkaktuar nga persekutimi, dioqeza e mbetur pa bari, pa të shkelte në një truall ku ende nuk ekzistonte katedralja e sotme, Ipeshkvin e vet të parë, imzot Rrok Mirditën, që u shugurua më 25 prill 1993 nga vetë Papa Gjon Pali II. Asokohe dioqeza quhej ende e Durrës-Tiranës, ndërsa më pas Papa Vojtila e ngriti në rangun e Kryedioqezës, duke ia ndryshuar edhe emrin në “Arkidioqeza Metropolitane e Tiranë-Durrësit”. Më 29 qershor 2005 imzot Rrok Mirdita merrte, në Romë, nga Papa Benedikti XVI, Palion e metropolitit. Katedralja ka vetëm shtatë vjet që është kushtuar, por i ka rrënjët në një histori shumëshekullore: në historinë e krishterimit ndër shqiptarë që, duke i bërë ballë shpatave e shekujve - hyri në mijëvjeçarin e tretë të krishterimit!







All the contents on this site are copyrighted ©.